Kryesore

Cosa Nostra dhe Shqipëria

08:45 - 18.11.21 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bllokimi në maj të vitit 2021 në një llogari bankare në një bankë tregtare në Shqipëri i 18 milionë eurove të sipërmarrësit 89 vjeçar italian të qytetit të Palermos, Francesco Zumo kaloi pa asnjë njoftim në media. Ky sipërmarrës, sipas mediave shumë serioze italiane( https://palermo.repubblica.it/cronaca/2021/11/12/news/mafia_e_riciclaggio_blitz_del_servizio_centrale_operativo_della_polizia-326041107/), ka patur ndër vite marrëdhënie me grupin e njohur mafioz të Italisë së Jugut “Cosa Nostra”. Madje, 30 vite më parë, në vitin e largët 1991, ka qenë hetuar për këto lidhje të tij edhe nga gjykatësi hero i Italisë Giovanni Falcone, një vit më vonë i vrarë nga Cosa Nostra. Më 1 dhjetor 2020, po sipas mediave italiane (https://palermo.repubblica.it/cronaca/2020/12/01/news/palermo_maxi_confisca_per_zummo_l_imprenditore_del_sacco_era_a_disposizione_dei_boss_-276487452/), Zumo-s i sekuestrohen nga policia italiane 150 milionë euro, para këto në dispozicion të bosëve mafiozë të Italisë së Jugut. Por, sipas hetimit të Prokurorisë së Palermos, Zumo-s i kishin ngelur edhe para të tjera jashtë Italisë, dhe pikërisht 18 milionë euro në qytet-shtetin Lihtenshtajn. Zumo e kishte të pamundur t’i transferonte këto para në Itali, pasi ndiqej dhe hetohej nga policia. I çoi disi më pranë, në Zvicër, në një bankë në kantonin Tiçino, në veri të Italise. Prej këtej, po mendonte t’i pastronte diku në Singapor apo Honkong. Për këtë i duhej një kompani guackë. E gjeti tek sipërmarrësi shqiptar ish-pronar i ARMO-s. Ky i premtoi se kundrejt një tarife jo fort të lartë, paratë mund t’i sillte në Shqipëri dhe brenda pesë ditëve, ato do të dërgoheshin, tashmë të pastruara si blerje dhe investime nga kompania e tij e naftës, në Singapor apo Honkong. Mirëpo paratë erdhën në maj 2021 në Shqipëri dhe u bllokuan aty. Po pse? Sepse sistemi i ngritur i sinjalizimit të fondeve me origjinë të dyshimtë funksionoi tek bankat tona. Ky sistem vrojtohet dhe kontrollohet me efektivitet nga banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë. Ajo, në zbatim të ligjit “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit”, si dhe të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, mbikqyr fort veprimtarinë e subjekteve të licencuara prej saj dhe vlerëson zbatueshmërinë e akteve ligjore dhe rregullative mbi parandalimin e pastrimit të parave. Banka qendrore ka marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Në bazë të saj, të dyja institucionet shkëmbejnë informacione në kohë reale dhe Banka e Shqipërisë rrit rolin e saj mbikëqyrës, me qëllim forcimin e sistemit parandalues në vend dhe zvogëlimin e mundësive të përdorimit të sistemit bankar për pastrim parash. Paratë e italianit mafioz u bllokuan në Shqipëri nga sinjalizimi i ardhur nga sistemi ynë bankar. Më vonë, Prokuroria anti-mafie e Italisë bashkëpunoi me SPAK dhe rezultati janë arrestimet e ditëve të fundit në Palermo dhe në Tiranë. Megjithë këtë sukses të pamohueshëm, rreziku i depërtimit të parave mafioze të vendit fqinj tek ne është shumë i lartë. Sipas mediave italiane, çdo vit pastrohen 200-300 miliardë euro para të pista në Itali. Një pjesë e tyre mund dhe po provohen të pastrohen edhe këtu tek ne, në Shqipëri. Jemi në një gjendje tejet problematike. Vjet, Shqipëria u rifut në zonën e rrezikshme të rrezikut të lartë të pastrimit të parave, sipasTask Forcës së Veprimit Financiar (FATF) të “Moneyval”, struktures se përhershme te Këshillit të Europës, e cila vlerëson zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave. Ky vendim erdhi pas monitorimit të përqëndruar për rrezikun e pastrimit të parave tek ne. Shqipëria kishte dalë nga kjo listë në vitin 2015 dhe qëndroi pesë vite nën vëzhgim, me synimin për të dalë përfundimisht nga zona e rrezikut. Shqipëria u vlerësua nga Moneyval mbi përputhshmërinë me standardet e FATF, duke dhënë 40 rekomandime teknike për kornizën ligjore. Sipas Moneyval, sektor me rrezik të lartë tek ne është ndërtimi, për faktin se në katër vitet e fundit bumi në ndërtim nuk ka ardhur kryesisht nga rritja e kreditimit të sistemit bankar për blerjen e apartamenteve, as edhe nga paratë e emigrantëve. Rreziku që aktiviteti të jetë financuar nga fonde me origjinë të dyshimtë, të “çertifikuara” vetëm nga një firmë dhe vulë mbi një akt shitblerjeje në një zyrë noteriale, është real.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.