Kryesore

Flet mjeku i njohur në Gjermani, Drilon Çupi: Vdekshmëria nga COVID është ulur me 80% ndërsa hospitalizimet me 50%

11:00 - 23.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Vdekshmëria nga COVID është ulur me 80% ndërsa hospitalizimet kanë pësuar një rënie me 50% krahasuar me një vit më parë. Kështu është shprehur mjeku i njohur i mjekësisë interne dhe urgjencës në Gjermani Drilon Çupi gjatë një interviste për “Gazeta Shqiptare”. Ai ka bërë me dije se aktualisht po përballemi me një valë të katërt të pandemisë që po shoqërohet me një rritje të konsiderueshme të numrit të infektimeve. Çupi sqaron se studimet kanë treguar që efektiviteti i vaksinave zgjat rreth 6 muaj dhe për këtë arsye është kjo dhe koha e marrjes së dozës së tretë për të mbajtur titrin e antitrupave më të lartë. Ndërkohë ai shton se fundi i pandemisë do jetë nëse mbi 85% e popullatës botërore të jetë e imunizuar por aktualisht vaksinimi në botë është akoma shumë i ngadalshëm.
Si paraqitet aktualisht situata lidhur me pandeminë?
Jemi në fundin e vitit të dytë të pandemisë dhe kjo tashmë i ka dhënë mundësi të gjithë njerëzimit një eksperiencë të fituar në lidhje me dinamikën e pandemisë. Siç dhe është deklaruar në studime, por dhe nisur nga eksperienca e kaluar, muajt e stinëve të ftohta si vjeshtë-dimër sjellin gjithmonë rritje të veprimtarisë virale sikurse janë dhe koronaviruset. Aktualisht po përballemi me një valë të katërt të Pandemisë që sikurse po e shikoni po shoqërohet me një rritje të konsiderueshme të numrit të infektimeve por që numri i vdekjeve është shumë i vogël në raport me numrin e infektimeve. Ulja e numrit të vdekjeve në krahasim me valët e mëparshme është si rezultat i 3 faktorëve: imunizimi pasiv nëpërmjet infektimit me vetë virusin, imunizimi aktiv me anë të vaksinimit dhe rritja e eksperiencës terapeutike.
A ka variante të reja të sars cov 2 në qarkullim dhe sa të rrezikshme janë?
Në trajektoren pandemike të kësaj sëmundje infektive virale janë shënuar ashtu siç edhe u priste variante të ndryshme të virusit bazë. Çdo virus ka potencialin e ndryshimit të vetvetes duke e bërë atë një agjent mjaft të rrezikshëm infektiv në raport me veprimtarinë e tij patogjene. Rreziku potencial i mutacioneve të SARS-CoV-2 janë: Rritje e transmetueshmerisë, rritje e vdekshmërisë, rritje e sëmundshmërisë, ulje e efektivitetit të vaksinave dhe rezistenca në terapi. Ekzistojnë shumë mutacione të SARS-CoV-2 dhe më kryesoret janë ato që kanë pasur përhapje më të madhe në botë, siç janë: B.1.1.7 (?, 501Y.V1, në Mbretërinë e Bashkuar) që ka rritje të transmetimit, hospitalizimit dhe vdekshmërisë; B.1.351 (?, 501Y.V2, Afrika e Jugut) me rritje të theksuar të transmetueshmërisë dhe hospitalizimit; B.1.1.28 P.1 (?, 501Y.V.3, Brazil) rritje të theksuar të transmetueshmërisë, hospitalizimeve dhe vdekshmërisë dhe ulje të efekasitetit të vaksinave. B.1.617 (?, Indi dhe tashmë Mbretërinë e Bashkuar). Do ndalem pak më gjatë tek ky variant pasi momentalisht paraqitet me një rritje të theksuar të transmetueshmërisë dhe hospitalizimit dhe uljen e efikasitetit të vaksinave edhe në vendet që janë më në progres me procesin e vaksinimit. Ekzistojnë dhe mutacione të tjera nëpër botë, por që fatmirësisht kanë mbetur të izoluar në rajone të caktuara nëpër bote dhe nuk janë përhapur në masë të madhe në njerëz siç janë: Lambda ( C.37) që është detektuar për herë të parë në Peru në gusht të vitit 2020 dhe që për 1 vit është përhapur në rreth 30 vende dhe që ka transmetueshmëri të madhe dhe rezistencë nga vaksinave të krijuara deri tani. Mu ( B.1.621) që është detektuar në Kolumbi në janar të 2021 ekzistojnë dhe nëntipa variantesh sipas OBSH që janë: Epsilon ( B.1.429, B.1.427) që është detektuar në shtator të 2022 në Kaliforni, USA; Zeta (P2) që është detektuar në Brazil në fillimin e këtij viti; Theta (P3) që është detektuar në shkurt të këtij viti në Filipine; Eta ( B.1.525) që është detektuar në Britaninë e madhe dhe Nigeri Iota (B.1.526) që është detektuar në New York City në dhjetor të 2020; Kappa (B.1.617.1) që u detektua në Indi në dhjetor të vitit 2020. Siç e shikoni ekzistojnë shumë variacione të virusit SARS-CoV-2 dhe rrezikshmëria është shumë e madhe në çdo kohë të kësaj pandemie dhe ora lëviz kundra nesh. Në vazhdimësi pritet të dalin mutacione që kanë karakteristika të ndryshme në varësi të mutacionit që është. Prej shumë muajsh pas variantit bazë tashmë mbretërinë akoma varianti delta që ka një transmetueshmëri shumë të lartë.
A ka rënë virulenca e virusit klasik?
Mutacionet e reja kanë rritur transmetimin e tyre dhe kanë fituar terrenin e përhapjes në krahasim me variantin bazë të SARS-CoV-2. Kjo ka bërë që varianti bazë të dalë në plan të dytë për sa i takon protagonizmit në këtë pandemi. Varianti bazë është akoma midis nesh, dhe ka rrezikshmërinë e tij infektoze por pasardhësit e tij lëvizin shumë më shpejt se ai dhe kjo bën që të na duket sikur ai nuk është më midis nesh.
Si paraqiten shifrat e hospitalizimeve dhe vdekjeve krahasuar me një vit më parë kur vaksina ende nuk ishte aplikuar?
Duke vështruar kurbat e ndryshme të shteteve më të zhvilluara të botës në lidhje me mortalitetin ndaj Covid-19 vërehet që me përafërsi rreth 80 % është ulur duke marrë të dhënat që në fillim të nëntorit 2021. Në lidhje me hospitalizimin është rreth 50% ulje, kurse për shtrimet në repartin intensiv rreth 70%. Arritja e këtyre vlerave është si pasojë e imunizimit nëpërmjet infektimit me SARS-CoV-2, vaksinimit dhe terapisë më të mirë ndaj pacientëve të infektuar me SARS-CoV-2. Më saktë krahasimi i 2 viteve do jetë në fillim të vitit 2022 kur të mbarojë komplet ky vit për të parë më saktë shifrat që do të dalin, pasi tani ndodhemi në valën e katërt dhe kjo duhet të merret parasysh në krahasimin midis 2 viteve.
Si shpjegohet fakti që persona të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës përfundojnë të hospitalizuar apo dhe humbin jetën?
E kam dëgjuar shpesh këtë pyetje. Përgjigja ka shumë argumentime që po i përmend më poshtë. Varianti delta e ka ulur efektivitetin e vaksinave në vetvete. Ndaj variantit bazë të SARS-CoV-2 qëndronte efektiviteti i vaksinave mRNA 95% kurse mutacioni delta e ka ulur këtë shifër në 80%. Kjo shifër është akoma më e ulët për vaksinat e llojeve të tjera sikurse ato kineze apo ato me vektor. Në procesin e vaksinimit ishin në fillim personat që ishin vulnerabël në lidhje me shëndetin. D.m.th. ishin personat e moshës së tretë, persona me sëmundje kronike apo merrnin medikamente që për pasojë ishin imunoinkompetent. Kur disa prej këtyre pacientëve u ndeshën me SARS-CoV-2 atëherë gjithsesi ishte e nevojshme hospitalizimi për ta ku një pjesë e vogël e tyre pësuan dhe vdekjen. Statistikisht ishte gjithsesi jo relevante hospitalizimi apo vdekjet e te vaksinuarve ndaj Covid-19. Për shembull nëse një person ka sëmundje kardiake kronike, sëmundje pulmonare kronike dhe renale dhe është mbi 70 vjeç edhe nëse vaksinohet ndaj Covid-19 gjithsesi është një pacient që pritet që të shkojë drejt vdekjes nga një çrregullim multiorganor që është i njohur por që virusi SARS-CoV-2 thjesht ka ndezur fitilin që do ta dërgojë drejt bombës së vdekjes.
Çfarë këshilloni për këto kategori të riskuara?
Këto kategori të pacientëve duhet që përveçse vaksinimit të mbajnë masat anticovid si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, distanca dhe higjiena personale. Lloji i vaksinës ndikon shumë në efektivitetin ndaj SARS-CoV-2. Aktualisht kemi në treg disa lloje vaksinash që kanë efektivitet të ndryshëm ndaj SARS-CoV-2 dhe vetëkuptohet që personat që janë të vaksinuar me vaksina me efektivitet të ulët pritet që të hospitalizohen apo edhe të vdesin ndaj Covid-19.
Pas sa muajsh këshillohet të aplikohet doza e tretë e vaksinës?
Ashtu sikurse e thashë dhe më lart, studimet kanë treguar që efektiviteti i vaksinave zgjat rreth 6 muaj dhe për këtë arsye është kjo dhe koha e marrjes së dozës së tretë për të mbajtur titrin e antitrupave më të lartë.
A jeni pro Green Pass?
Unë jam dakord në parim për Green Pass në mënyrë që të dallohet popullata nga pikëpamja e imunizimit. Personat që janë vaksinuar apo e kanë kaluar Covid-19 duhet të gëzojnë më shumë liri në përditshmëri në krahasim me ata që nuk janë imunizuar ende. Kjo nuk ka vend për diskriminim, por shkencërisht është sinjifikante. Shkencërisht personat e imunizuar qoftë me vaksinë apo të infektuar ndaj SARS-CoV-2 e kalojnë shumë lehtë Covid-19 sesa ato që nuk janë imunizuar ende. Kjo të mbetet aktive derisa të jemi në Modusin e Pandemisë. Ata që janë kundra kësaj ideje nuk kanë argumente shkencorë.
Mendoni se na pret një dimër si ai i vitit të kaluar?
Aktualisht jemi në valën e 4 dhe do ketë sërish hospitalizime dhe vdekje sidomos në popullatën e pavaksinuar. Ngadalësimi i procesit të vaksinimit do sjellë një tjetër dimër të vështirë për ne. Imunizimi nuk ka arritur akoma në shifrën ku ne të themi që jemi shumë optimist që s’do ketë valë. Megjithatë unë e kam shprehur dhe në shkrime të tjera që me kalimin e kohës valët e hospitalizimit apo vdekjes do të jenë më të vogla me kalimin e kohës pasi popullata sa vjen e po imunizohet qofte me vaksinë apo duke u infektuar ndaj SARS-CoV-2.
Si paraqiten shifrat e riinfektimeve dhe a kalohet më lehtë covid nëse është riinfektim?
Probabiliteti që një person të riinfektohet qëndron tek shifra 20% nga një studim i gjerë në Danimarkë. Ato janë në shifra më të vogla dhe riekspozimi i sistemit imunitar ndaj të njëjtit virus e bën luftën më të thjeshtë për sistemin tonë imunitar pasi ai i ka ngritur tashmë armatën specifike ndaj virusit dhe konfrontimi është më efikas. Kjo tregon që rrezikshmëria për një prognozë të pafavorshme është shumë më e vogël.
Po për personat që kanë aplikuar vaksinën kineze rekomandoni një dozë të tretë Sinovac apo Pfizer?
Duke qenë që vaksinat mRNA kanë efikasitetin më të madh atëherë duhet dhënë prioritet këtyre vaksinave. Sidomos në këtë kohe ku në magazinat e shteteve ekzistojnë sasira të konsiderueshme të këtyre vaksinave. Duke u kthyer në pyetjen tuaj duhet që doza e tretë të aplikohet vaksinat mRna, kjo praktikë po realizohet edhe në Gjermani në rastet e personave që janë vaksinuar me 2 doza Sinovac nga Turqia, Iraku, Siria, etj.
Cila nga vaksinat ka efektshmëri më të lartë?
Siç fola dhe më sipër efektshmëria e vaksinave është ulur nga varianti delta por gjithsesi nga studimet e deritanishme Pfizer-BioNtech dhe Moderna janë vaksinat më efikase ndaj SARS-CoV-2.
Kur mendoni se do të vijë fundi i pandemisë?
Fundi i pandemisë do jetë nëse mbi 85% e popullatës botërore të jetë e imunizuar. Vaksinimi në botë është akoma shumë i ngadalshëm. Rreth 53% e popullatës botërore është e vaksinuar me 1 dozë të vetme. Kjo tregon që kemi akoma rrugë për të bërë për të parë dritën në fund të tunelit. Kur nuk kishte vaksina njerëzit ankoheshin që pse nuk ka vaksina. Tani që vaksinat janë të pranishme ata fillojnë filozofojnë në lidhje me to. Konspiracionistët po sjellin dëme të mëdha në popullatën tonë botërore pasi po zgjasin kohën e pandemisë.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.