KULTURË

“Jorgoja i Tropojës”, nga Bislim Ahmetaj, një tregim antologjik

09:00 - 25.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Luljeta DANO – Djalë i një tropojani dhe i një grekeje, personazhi real i Jorgos së Tropojës dhe personazhi i Jorgos së Tropojës në librin e autorit Bislim Ahmetaj janë dy të ndryshëm, ndonëse në pamje të parë duken i njëjti person. Ky zotëri, mik familjeje i Ahmetajve, ndonëse i dha shumëçka nga vetja, emrin, portretin, historinë e prindërve të tij, madje dhe praninë e vet sonte në promovimin e librit, në laboratorin krijues të shkrimtarit rilind një tjetër personazh…
Ajo ç’ka një autor merr nga jeta e gjallë: emrat e njerëzve të vërtetë, vendet, ngjarjet, madje dhe vetë historia më duken gjithmonë të shtruara për letërsinë, si lëkura e ariut të pyllit që shtrohet në skenës e operas mbi të cilën diva këndon arien.
Unë votova pro titullit Jorgoja i Tropojës, mes një liste titujsh nga autori për të përzgjedhur, pak para se libri të shkonte në shtyp, ende pa e lexuar tregimin dhe librin.
Tregimin Jorgoja i Tropojës e lexova pas botimit me mahnitje, si një skedë e rrallë dhe e hapur antropologjike. Në zbërthimin e elementëve të asaj skede, gjen formulën që vetëm letërsia mund ta krijojë, si forcë eterike që mbush çdo hapësirë ku bëhet jetë.
Me një ritëm që mbërthen vëmendjen e lexuesit tregimi flet për babain e Jorgos, Mehmet Miftari, lindur në një familje të madhe nga fundi i shek.XIX, në kufirin më verilindor të Shqipërisë. Duke u rritur, kur duhet të zgjedhë dhe ai zanatin që do i japë bukën e përditshme, Mehmet Miftari, si shumë shqiptarë të tjerë, zgjedh luftën. Por jo luftën legjendare që u mëkohet fëmijëve gjeneratë pas gjenerate, si etje për liri kundër pushtuesve të huaj, mijëvjeçar pas mijëvjeçari. Mehmet Miftari, i cili në oborrin e kullës të të parëve, “e vetmja pasuri ishin katër – pesë rrënjë mana… askush nuk e dinte si ishin mbjellë aty. Veç periudha maj – qershor, kur ata piqeshin, ishte festë në atë familje, kur uria merrte arratinë”, Mehmeti që po rritej i pashëm, i fortë dhe sypatrembur “mësoi se lufta, po nuk të mori jetën, të bën të pasur. Vendosi që aty ku do të kishte luftë, do të ishte dhe Mehmeti”. Por jo për të luftuar për lirinë, siç mësohet nga faqet e shkëlqyera të historisë shkruar me lumenj gjaku në veriun e Shqipërisë, ku kemi dhe fenomenin e jashtëzakonshëm të amazonave mesjetare, në një dokument të shek. XVII, thuhet se vajzat e Kelmendit, martohen pasi të kenë mbushur njëzet e pesë vjeç, moshë e cila në Europë, ku vajza martohej sapo bëhej zonjushë dhe gruaja njëzet e pesë vjeç konsiderohej e plakur. Kelmendaset përkundër, nuk duhej të martoheshin, por të qëndronin nën armë si luftëtare të lirisë dhe vetëm pas mbushjes së kësaj moshe liroheshin nga detyra e ushtarit dhe lejoheshin të martoheshin e të jetonin si gra. V. Zmajeviçi i dërgonte Romës në vitin 1707: “300 gra, të armatosura me çdo gjë… edhe njëherë tjetër vetëm me gurë ato i dhanë dërmën ushtrisë së Vuçi Pashës që pati 500 të vdekur, të cilët mbetën të varrosur nën gurë”.




 

 

Mehmet Miftari është një antihero, zgjedh të punojë mercenar me pagesë, për të bërë para dhe plaçkë lufte. Mercenarizmi, kjo faqe pak e njohur në historinë shqiptare, por që lehtësisht gjykohej si një zanat, krahas zanateve të tjera të punës, me të cilën një burrë mbante shtëpinë gjatë shekujve të kaluar. Mercenarizmi preferohej nga zotërit e luftës, të pajtonin ushtarë të huaj, sepse mercenarët nuk kishin lidhje shpirtërore me vendin ku bëhej lufta, paguheshin me ar e argjend dhe me mallra nga plaçkitjet në popullatën fatkeqe.
Tregimi Jorgoja i Tropojës është tregimi për mercenarin Mehmet Miftari. Autori B. Ahmetaj fillon të numërojë me një marsh luftarak pjesëmarrjen e Mehmet Miftarit si mercenar me pagesë:


Luftoi për ushtritë austriake, turke. U fut në ushtrinë e qeverisë së Vlorës dhe kur pa se nuk po e paguanin, dezertoi. Mbasandaj krijoi një çetë të vogël të armatosur, me një uniformë të çuditshme që nuk i përkiste asnjë shteti, u soll me çetën e tij andej – këndej, gjersa u bashkua me trupat e të çmendurit Haxhi Qamili. Me atë çetë bëri plaçkë sa për dy luftëra, cilëson B. Ahmetaj. Më 1920 – ën, Mehmet Miftari mbërrin në Vlorë. Jo, për të hedhur në det italianët, por për t’u bashkuar me ta. Në kohën e Mbretit Zog, pa punët e tij. Me pushtimin fashist, u emërua komandant i një njësie territoriale në Kosovë për llogari të pushtuesit italian. Shkonte e vinte me kuajt ngarkuar me mallra prej andej. Me ushtrinë nën kurorën e Viktor Emanuelit III, Mehmet Miftari shkoi gjer në frontin e luftës italo – greke në Thesali.
Këtu Bislim Ahmetaj ndërpret forcërisht numërimin monoton ekstrem të luftrave ku mercenari Mehmet Miftari siguroi bukën e përditshme dhe mirëqenien, sepse në frontin e luftës italo – greke në jugun e poshtëm, Mehmeti bie në dashuri së pari dhe së fundmi në jetën e vet me një greke që nuk ia shqiptonte dot as emrin: Anaksimandhros Jorgos Aleksandrukos.
Sjell greken e bukur në malësinë e epërme dhe endet komit nëpër male, se ishte rishtas një dezertor lufte në kërkim nga ushtria.
Gjashtë muaj pas mbërritjes dhe dasmës grekja e bukur lind Jorgon dhe vdes.
Kjo tanimë është historia joreale e Jorgos së Tropojës, sepse historia që tregohet nëpërmjet letërsisë është diçka krejt tjetër, pavarësisht emrave dhe ngjarjeve që ka shtruar autori, si lëkura e ariut në skenë mbi të cilën këndon diva e operës.
Tregimin Jorgoja i Tropojës e kam soditur si një pikturë me kornizë të vogël, por me shumë ngjarje të dukshmetëpadukshme që krijon gjuha e autorit përmes dritëhijes.
Fjala letërsi lindi nga fjala latinisht për gërmën, për një gërmë të vetme, por ajo përkufizohet nga pranëvënia e gërmave dhe fjalëve të një autori që ngrenë ide me interes të përhershëm dhe universal.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.