KULTURË

“Arti duhet mbrojtur për qindra arsye, që lidhen me dëshminë e kohës dhe me dinjitetin e artistit”

11:11 - 27.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Suzana Varvarica KukaStudiuese arti – Një komb i një populli që të prezantojë ekzistencën e tij, prezanton simbolet figurative, të cilat marrin pamjen e simboleve kombëtare dhe trashëgohen në mënyrë legjitime nga një brez te një tjetër. Këto simbole pasurohen në varësi të situatave që kalon në kohë historike dhe në hapësirë pozicionale politike një komb dhe populli i tij. Në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj, kombet u pasuruan me simbole të karakterit politik dhe të mendimit ideologjik. Shumë simbole u tretën dhe disa mbetën në pamjet e veprave të arteve figurative. Dhe disa prej tyre duhet të diskutohen, për t’ia bërë të qartë publikut të sotëm, që pse ato janë aty dhe pse nuk duhet të preken? Një përgjigje e shpejtë është: Vepra e artit nuk duhet të preket, nuk duhet të dëmtohet zanafilla e veprës së artit. Ajo duhet të mbrohet për qindra arsye, që lidhen me dëshminë e kohës dhe me dinjitetin e artistit. Ajo nuk duhet të preket, edhe pse disa në ditët e sotme pretendojnë ta bëjnë këtë në emër të një nacionalizmi të tepruar dhe agresiv. Më lejoni t’ju kujtoj sesi vrulli i një grupi njerëzish, fatkeqësisht nën mendësitë “demokratike”, të cilat nuk ishin të tilla, ndërhynë në mozaikun e madh të Tiranës në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar dhe hoqën yllin në flamurin shqiptar, i cili e përfaqësonte popullin dhe kombin shqiptar gjatë kohës komuniste. Një pyetje mund të shtroj. Meqë simboli i yllit mbi flamur u hoq nga mozaiku i muzeut, i quajtur “Shqipëria marshon”, a mos mendojmë se në faqet e shkruara të historisë së kombit tonë komunist, gjatë gjysmës së dytë të shek. XX do të mund ta heqin këtë fakt këta persona që mendojnë se mbrojnë demokracinë, e ardhur fatmirësisht pas viteve 90-të? Vërtet mendojnë ata se ky akt është demokratik dhe se ky akt na bëri më të mirë dhe vërtet demokrat? Askurrë! Heqja e yllit shtoi një segment negativ në historinë e artit shqiptar. Ashtu siç dhjetëra e dhjetëra vepra apo punime arti, fill pas viteve ‘90-të u dogjën e u shkatërruan, u vodhën dhe u tregtuan jashtë vendit. Një histori e re e dhimbshme brenda historisë së një populli. Brezat duhet ta njohin, për të kuptuar më mirë arkeologjinë e të menduarit të sotëm dhe psikologjinë e marrëdhënieve ndërvedi, për t’u dhënë shans ndryshimeve të domosdoshme të kohë paskohëshme. Simbolet figurativë në veprat e artit janë dëshmi e përvojës njerëzore të një grupi të caktuar shoqëror, i shfaqur në një kohë të caktuar. Ata janë mjete që na njohim me kohën, me aktin e ngjarjes, me propagandën dhe ideologjinë politike të ekzistencës së grupit në një shoqëri kombëtare por edhe më gjerë. Në veprat e artit të çdo periudhe historike zbulojmë simbole figurativë, të cilat i veçojmë dhe i vëzhgojmë me shumë kujdes. Fillimisht zbulohet objekti që përmban në subjektin e vet simbolin konvencional dhe më pas zbulojmë arsyet e abstragimit funksional, i cili vjen nga një objekt material dhe kthehet në një përfaqësim abstrakt. Ka do kohë, e që nga viti 1946, kur boceti “Partizani çlirimtar apo fitimtar” i skulptorit të ri Andrea Mano, i cili nuk e kishte përfunduar ende Akademinë e Arteve, u përcaktua fitues në një konkurs të shpallur nga qeveria shqiptare e asaj kohe. Ky bocet u realizua si monument prej tij me disa ndryshime, u derdh në bronz dhe u inaugurua më 29 nëntor të vitit 1949. Monumenti u quajt “Partizani” dhe ky emër gjendet në gazetën politike “Zëri i Popullit” të datës 30 nëntor 1949.




tmp_RL47Oy_73ace1fb8ca7eee3_UAE-Three-Finger-Salute-Sheikh-Hamdan Monument-to-the-Partisan-Tirana 20200527_172546
<
>

Ndërsa vetë autori e quajti ashtu siç populli i Tiranës nisi ta quajë “Partizani çlirimtar ose i panjohur”. Mbase, ky fakt lidhet me arsyen se populli i Tiranës dëshironte t’i vendoste një emër dhe kërkonte ngjashmërinë me partizanët që kishte njohur e nuk e kishte gjetur këtë ngjashmëri në portretin e partizanit prej bronzi. Ky monument është i pasur edhe me dy kompozime të gjinisë së relievit, të cilat autori i quante “Partizanët në sulm”. Kompozimet janë tregimtare dhe në imazhet e tyre shihen grupe partizanësh me armë e flamur dhe kanë një gjuhë figurative, duke e plotësuar më së miri aktin e sulmit të figurës kryesore dhe të vetme të monumentit 3. 60 m të lartë, i cili qëndron mbi një bazament 3. 90 m. Relievet me shumë figura, me objekte, me lëvizje dhe gjeste njerëzore i tërheqin antropologët studimorë, nga historianët dhe kritikët e artit që të analizojnë çdo qelizë të tyre. Madje, në çdo kohë që kalon ardhja në sfondin studimor të studiuesve të rinj, sjell edhe mendime dhe arsyetime të reja mbi veprat e artit. Të dy relievet kanë cilësi që e përmbushin qëllimin e autorit për të treguar aktin e sulmit në betejë. Në mënyrë logjike njeri prej kompozimeve ka kohë që po diskutohet në mjedise intelektuale dhe jo të tilla, në arsye të dorës së majtë të flamurtarit, e cila ka figurën e një dore me tre gishta të hapur dhe dy të mbyllur. Për studimet, kjo dorë përbën një simbolikë figurative. Ajo është një objekt material që përfaqëson një kuptim tjetër përtej kuptimit të mirëfilltë të një dore dhe në këtë mënyrë kthehet në një simbolikë, që kërkon të arsyetohet dhe të zbulohet funksioni i saj abstragues. Pse kjo dorë e flamurtarit është shprehur nga artisti në këtë formë figurative? Cili është funksioni dhe kuptimi abstrakt i saj? Me pak fakte dhe shkurtimisht po iu njoh pa hyrë në historinë e fakteve të njohura. Të mos harrojmë se koha kur u porosit monumenti ishte një kohë e miqësisë dhe e dashurisë së Partisë Komuniste Shqiptare me Partinë Komuniste të Jugosllave, që edhe e ndërtoi partinë shqiptare. Ishin vitet 1941-1948, kur diktatorët Enver Hoxha dhe Josif Tito ishin të lumtur me politikat e tyre të mbrapshta komuniste. Ishte koha kur popujt shqiptar dhe jugosllav përshëndesnin dhe i adhuronin miqësinë e dy partive dhe dy udhëheqësve. Madje, brohorisnin në të dyja gjuhët. Asaj kohe, ish-partizanët shqiptarë edukoheshin dhe stërviteshin si oficerë të ardhshëm në Zagreb dhe Beograd, si dhe Enver Hoxha ndjehej mjaft i mirëpritur në Jugosllavinë e Titos, duke kaluar ditë të tëra të gëzueshme. “…Ishte koha kur tre gishtat e hapur në këtë formë ishin përshëndetja kombëtare jugosllave, e dokumentuar për herë të parë në kryengritjen e parë dhe të dytë serbe, të ndodhura në fillim të shek. XIX – dëshmon Magdalena Petroviç Jeliç, mësuese serbe. Ajo shkruan se këto kryengritje ishin rebelimi i të krishterëve ortodoksë kundër sundimit osman dhe kjo dorë ngrihej e tillë si përshëndetje, që simbolizonte trinitetin e shenjtë “Ati, Biri, Fryma e shenjtë”. U përdor në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore dhe u harrua për t’u ripërtërirë në një luftë tjetër të vitit 1990…”. Anamaria Dutceac Segesten – shkencëtarja e fushës së politikës shkruan në vitin 2011 se: “…Gjatë Luftës së Dytë Botërore… në një letër e çetnikëve drejtuar partizanëve jugosllavë theksohej se qeveria e vërtetë ishte në Londër, në mërgim dhe se ata do të vrisnin të gjithë ata që nuk do të përshëndesnin me kryqëzimin e tre gishtave, që ishte simbol i etnonacionalizmit serb…”. Në një aspekt tjetër, historia e kishës ortodokse serbe na njeh edhe me një fakt tjetër, se ky simbol ishte simbol betimi, i lidhur me monarkinë serbe dhe është një simbol mjaft fanatik i saj. Regjimi i komunizmit jugosllav e ndaloi kategorikisht këtë përshëndetje, kundërshtoi dhe e shtypi kishën serbe, duke e parë si një rrezik për idealet jugosllave. Këto janë disa fakte që tregojnë se ky simbol ka buruar prej ngjarjeve dhe situatave të atyre viteve kur Shqipëria ishte e lidhur me Jugosllavinë dhe në mënyrë krejt të natyrshme është skulpturuar kjo dorë që mbart simbolikën abstrakte, e cila lidhet ngushtësisht me një simbolikë jugosllave dhe me trinitetin e shenjtë. Njohja me historinë politike dhe ideologjike të pasluftës është e rëndësishme për ta lexuar këtë monument. Jashtë këtij konteksti dhe asaj kohe, ky simbol nuk duhet të argumentohet dhe as të keqinterpretohet, as të tentohet të hidhet urrejtje kundra monumentit, i cili ka përmbushur në një mënyrë dinjitoze kërkesën e kohës, për të glorifikuar përmes artit të skulpturës monumentale, luftën partizane dhe sakrificat e atyre djemve të rinj idealistë, që dhanë jetën për kombin e tyre, qofshin këta edhe partizanë jugosllavë, të cilët u vranë dhe ata për të njëjtin qëllim. Ishim në luftë botërore. Çdokush që tenton të bashkojë dhe njehsojë situatën e atyre viteve me vitet pas ‘90-ës dhe të kohës që jetojmë, kur dhe ky simbol u kthye në një simbol agresiv dhe i urrejtjes ndaj kombit tonë në Kosovë, gabon rëndë. Në ditët e sotme kjo përshëndetje është kundërshti dhe urrejtje e pjesës më të egër nacionaliste serbe. Me këtë tekst nuk mbroj aspak simbolikën e trajtuar më lart, por argumentoj pse nuk duhet t’i tjetërsojmë funksionin figurativ dhe historik monumenteve të ngritura në tokën tonë. Tentoj të mbroj historinë e zhvillimit të mendimit intelektual dhe artistik të kohës kur u ndërtua monumenti, i cili është vendosur sot në marrëdhënie me mendimin intelektual dhe artistik të sotëm. Nëse do të mbronim shkatërrimin e monumenteve dhe veprave të tjera të artit, do të thotë se duhet të zhdukim të gjitha simbolet e komunizmit, kryesisht grushtin komunist, simbol i dhunës së proletariatit dhe diktaturës komuniste, e cila ushtroi gjenocidin dhe shfarosjen e inteligjencës politike, ekonomike, ushtarake e të besimit gjatë ‘40 – të viteve të kohës së diktaturës. A mundet të shkatërrojmë gjithçka? Dhe pse? Le të lejojmë nacionalizmin ta zëvendësojmë me patriotizmin, le të kuptojmë se jetojmë në një kohë që kanë një ndryshim thelbësor. Por çfarë ndodh me tre gishtat në ditët e sotme në “Burj Park” të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku është ngritur një monument i simbolit të familjes mbretërore, i porositur nga lartësia e tij Sheiku Mohammed bin Rashid al Maktoum në shkurt të 2013-ës? Ajo është një dorë e që ka formën e simbolit me tre gishta të hapur e dy të mbyllur e që nënkupton “Win, Victory and Love/Fitore, Fitore dhe Dashuri” e që simbolizon etikën e punës, suksesin dhe dashurinë për kombin. E solla këtë shembull për të treguar se objekti material, në këtë rast dora me tre gishta, në kohë të ndryshme, nga popuj të ndryshëm, me besime të ndryshme abstragohet si simbol funksional me kuptim të ndryshëm. Një hipotezë. Skulptori Andrea Mano ishte i lidhur ngushtësisht dhe familjarisht me partinë dhe Luftën Nacionalçlirimtare. Ishte me pikëpamje të majta, por i përkiste edhe besimit të krishterë ortodoks. Përse të mos mendojmë se dhe partizanët e krishterë shqiptarë, ashtu si dhe ata myslimanë të asaj kohe shkonin drejt betejave, duke iu lutur Zotit për t’i ndihmuar dhe kjo dorë i përket më së pari “Trinitetit të shenjtë”, i cili nuk është pronë vetëm e të krishterëve jugosllavë?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.