AKTUALITET

Erion Muça: Pensionet nuk mbulohen dot nga sigurimet shoqërore, rrezikohet buxheti

12:00 - 29.11.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Shuma që paguhet për pensionet nuk arrin të mbulohet nga pagesat e sigurimeve shoqërore e si pasoje buxheti i shtetit rrezikohet. Por si mund të zgjidhet ky problem? Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Erion Muça, ekspert i ekonomisë e njëkohësisht pedagog tregon se zgjidhja do të ishte rritja e numrit të siguruarve dhe shumave që ata paguajnë në formën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të kompensuar edhe domosdoshmërinë e mbulimit të pensioneve. Ai shton se kërkohet në mënyrë imediate politika konkrete ndërhyrje në tregun e punës me qëllim rritjen e punësimit dhe reduktimin e papunësisë. Sipas ekspertit për rritjen e punësimit kërkohen strategji dhe plane konkrete ndërhyrje të cilat do të përcaktonin edhe hapat që duhet të bëjë shteti me politikat e tij si dhe sesi duhet të bashkërendojë përpjekjet me sektorin privat për të ndikuar në rritjen e punësimit.
A e rrezikojnë pensionet buxhetin dhe pse?
Pensionet, në fakt, e rrezikojnë seriozisht buxhetin pasi shuma për mbulimin e tyre nuk justifikohet me pagesat e sigurimeve shoqërore sasia e të cilave nuk arrin të mbulojë nevojën e kështu ato kompensohen nga buxheti i shtetit. Në këtë aspekt paguhen në shtet më pak sigurime sesa shteti jep për pensione. Nisur nga ky fakt buxheti i destinuar për shpenzime dhe prioritete të tjera orientohet tek pagesa e pensioneve ose duke zvogëluar investimet në drejtime të tjera ose duke rrezikuar mungesën e likuiditetit dhe falimentin.
Çfarë mund dhe duhet të bëhet në këtë drejtim?
Zgjidhja do të ishte rritja e numrit të siguruarve dhe shumave që ata paguajnë në formën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të kompensuar edhe domosdoshmërinë e mbulimit të pensioneve. Për të arritur këtë stad kërkohet në mënyrë imediate politika konkrete ndërhyrje në tregun e punës me qëllim rritjen e punësimit dhe reduktimin e papunësisë. Në këtë prizëm formalizimi i të vetëpunësuarve apo të punësuarve të padeklaruar si dhe marrja me seriozitet i informalitetit në bujqësi si sektor me numrin më të lartë të informalitetit do të sillte një frymëmarrje në buxhetin e shtetit lidhur me aftësinë paguese të pensioneve.
Cilët janë faktorët e tjerë që do të rritnin performancën e tregut lidhur me punësimin dhe kapacitetin e shtetit për mbulimin e pagesës së pensioneve?
Një tjetër aspekt, i cili do të sillte edhe rritjen e buxhetit lidhur me pensionet lidhet shumë me forcimin e mekanizmave inspektues dhe kontrollues të inspektorateve për të frenuar deklarimin e cunguar të sigurimeve shoqërore nëpërmjet reduktimit fiktiv në kontratë të orëve të punës për deklarim të plotë dhe real të tyre. Rritja e buxhetit lidhur me sigurimet shoqërore do të ndikohej pozitivisht edhe në reciprocitetin e njohjes së pensioneve të të punësuarve jashtë vendit dhe shoqërimin e mundësisë me transferimin nga jashtë – brenda vendit të shumës së duhur si dhe përkthimit të saj nga monedha europiane në lek e ku nga diferenca do të sillte një të ardhur transaksioni direkte shtesë në buxhet. Një tjetër element do të ishte edhe fushatat angazhuese moderne për të përfshirë dhe angazhuar pensionistet aktivë në projekte të ndryshme duke thithur donacione e ku angazhimi i tyre të mbulohej progresivisht me sistem bonusesh shtesë pensionit bazuar në kontributin e gjithësecilit nën atë që shteti akumulon nga projekti apo donacioni në fjalë. Një tjetër aspekt do të ishte rishikimi i skemës së sigurimeve shoqërore për të qenë më fleksibël referuar mundësisë për pagesa më të larta të sigurimeve shoqërore për ata që paguhen shumë në raport me orët e punës që punojnë apo punën e lehtë që bëjnë për të cilën marrin shumë të ardhura.
Si mund të rritet punësimi për të rritur sigurimet shoqërore?
Lidhja midis rritjes së punësimit formal dhe sigurimeve shoqërore është e padiskutueshme. Por për rritjen e punësimit kërkohen strategji dhe plane konkrete ndërhyrje, të cilat do të përcaktonin edhe hapat që duhet të bëjë shteti me politikat e tij si dhe sesi duhet të bashkërendojë përpjekjet me sektorin privat për të ndikuar në rritjen e punësimit. Strategjitë duhet të përfshinin një analizë të kujdesshme bazuar në anketim, sondazhe dhe hulumtim empirik se cilat janë nevojat dhe kërkesat e tregut të punës, sa profesionistë kemi në dispozicion? Sa të kualifikuar janë për këto pozicione dhe a i duhen aftësi shtesë? Nëse po cilat dhe në cilin drejtim? A i kemi mundësitë dhe kapacitetet për kualifikim nëse po për sa kohë mund ti zhvillojmë? Cila është metoda më efikase për informimin, orientimin dhe ndërmjetësimin në këto pozicione? Cilat janë hapat e duhur për garanci në kërkimin e punës dhe finalizimin e saj? Si funksionon tregu i punës dhe profesioneve? Etj. Pas kësaj analize dhe përgjigjeve të pyetjeve ndërtohet një plan i cili do të sillte një zgjidhje afatmesme dhe afatgjatë në rritjen e punësimit dhe rrjedhimisht sigurimeve shoqërore për të mbuluar pagesën e pensioneve.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.