OPINION

Fama apo vepra? Kush e mban gjallë autorin?

09:46 - 30.11.21 Behar Jacaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Për çfarë gjallimi e ke fjalën?”, Më  pyeti një mik pasi i parashtrova dilemën e vendosur në titull. Personalisht jam i mendimit që një shkrimtar, ditën që vendos të bëhet i tillë, luftën madhore të tij nuk e ka më me mbijetesën fizike, por me kohën dhe me mbijetesën në kohë të veprës dhe emrit të tij, edhe pas ai të jetë i kyçur dhe i kalbur në banesën e fundit. Pak a shumë kjo qe përgjigjja ime.
“Atëherë, padyshim që këtë lloj gjallimi ta jep VEPRA”- u përgjigj miku im pa më të voglën mëdyshje. Në gjykimin tim përgjigjja nuk është kaq e thjeshtë, por shumë më komplekse.  FAMA dhe VEPRA jo gjithmonë shkojnë paralel me njëra-tjetrën. Madje, mund të përmendim edhe raste kur shkojnë në kahe krejtësisht të kunderta. Zhvillimet teknologjike dhe krijimi i një jete virtuale shume të gjallë u ka mundësuar pasjen e famës shumë personazheve publike që nuk kanë asnje lloj talenti, vlere apo vepre. Në të tillë personazhe nuk përjashtohen as autorë librash (shkrimtarë). Të shumtë janë autorët që janë të famshëm (aq sa mund të të japë famë Shqipëria), që përmenden gjithandej, por që nuk u  mbahet  mend asnjë vepër. Këtu nuk po flas vetëm për autorë të rinj që nuk lexohen përtej virtualitet, por edhe të tjerë  që më shumë famë u jep një rrugë, një shkollë, një statujë që ka marrë emrin e tyre, sesa vepra që ata kanë lënë pas. Për ta vazhduar me tej raportin mes veprës dhe famës, jo të rrallë janë rastet kur vepra e ka tejkaluar famën e  autorit. Këtu me vjen ndërmend “Ushtari i mirë Shvejk”. Shumëkush e njeh dhe i mban mend emrin dhe bëmat e personazhit Shvejk, por nuk janë po kaq të shumtë ata që mbajnë mend emrin e Jaroslav Hashek, autorit që krijoi dhe shkroi bëmat e ushtarit të mirë! Si ky rast mund të përmendim plot të tjerë.
Për ta konkretizuar, për t’ia hapur petët lakrorit  kur i thonë një llafi, personalisht gjykoj se Shqipëria ka tepricë autorësh të famshëm dhe mungesë veprash madhore. Gjithësekush mund ta kundershtojë këtë pohim, mund të fillojë një diskutim se ç’është dhe ç’nuk është një vepër madhore, mund të listojë shkaqet që nxisin dhe që pengojnë daljen e saj në dritë, por unë këmbëngul ta çoj diskutimin aty ku e nisa, tek raporti i vepreës me famën dhe, ajo që po përpiqem të them është se ka shumë autorë (jashtzakonisht shumë) që nuk lënë vend pa u përmendur, a pa e përmendur vetën si shkrimtarë dhe që nuk u njihet asnjë vepër. Asnjë për be! Kjo ndodhë me të gjallë dhe me të vdekur. Me autorë që koha i ka nxjerrur jashtë lojë, por që vazhdon t’i mbajë gjallë, siç thamë,  një rrugë, një shkollë, një statujë në park…
Ia vlen të përmendim një paradoks tejet interesant. Në Shqipëri, kur botohet një liber, ai që del në qarkullim nuk është libri, por autori. Libri qëndron në magazinë, në rastin më fatlum ngroh raftet e ndonjë librarie, ndersa autori qarkullon nga një studio në tjetrën, nga një takim në tjetrin duke folur për sikletet e të shkruarit në përgjithësi dhe madhështinë e librit të sapo nxjerrë në veçanti. Këto të sjellin ndërmend atë shprehjen e njohur të M.Tëain që thoshte nga zhurma, duket sikur pula sapo ka bërë një asteroid. Dëgjoj shpesh të thuhet se është e pamundur të bëhet ndryshe, sepse libri pa promovim është identike me një foshnje që lind e vdekur. I qendroj fort bindjes sime se duhet të shkojë lexuesi tek libri dhe jo libri tek lexuesi, por, për hir të së vërtetës promovimi është i domosdoshëm, sidomos për një lexues dembel që navigimin e sheh shumë më joshës sesa leximin. Nevoja për famë nuk mund të dallohet tek promovimi që i bëhet një libri, por ama mund të shihet si drita e diellit tek gatishmëria që kanë autorët për të dhënë intërvista edhe kur nuk kanë absolutisht  asgjë për të thënë. Një pasqyrë e qashtër ku reflektohet nevoja për famë është edhe moria e shkrimeve dhe intervistave ku autoret përpiqen ti japino përgjigje pyetjes: “Pse shkruaj?”. Përtej absurditet që mbart si pyetje (parimisht bie dakort që nuk ka pyetje të keqija, por, për ne kjo pyetje është e njëllojtë me pyetje të tipit; pse ushqehesh?, pse bën seks?, apo pse strukesh kur ke ftohtë?, pra një proces i vetvetijshëm që nuk ka nevojë për sqarim), pra, përtej pyetjes, përgjigjën e japin ca autorë që nuk dihet ÇFARË  shkruajnë dhe KUJT  i intereson për shkrimet e tyre.




Poashtu, marrja pjesë vazhdimisht dhe vazhdimisht nëpër juri të ndryshme është shfaqja më e kamufluar dhe më e fortë e nevojës për famë.

Ah, se për pak harrova. Në panele televizive gjen vazhdimisht shkrimtarë që diskutojne për tema sociale, madje edhe për  receta gatimi!

Ç’të keqe ka të duash të jesh i famshëm?! Absolutisht asgjë të keqe. Madje kjo nevojë është gur themeli në çdo psikikë njerëzore për aq kohë sa secili prej nesh e ka provuar   frikën e braktisjes dhe të ndjerit i  parendësishëm. Sigurisht as shkrimtarët nuk bëjnë përjashtime. Ajo që dua të them wshtw se e vetmja rrugë e lavdishme që çon një shkrimtar tek fama, madje edhe tek përjetësia, kur e meriton atë, është vepra e tij. Shtigje dhe akrobacira të tjera mund të sigurojmë një famë mjerane, të përkohëshme, por kurrsesi dinjitet. Aq më pak lavdi!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.