OPINION

Patriotizmi me abetare!

GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këtë fundnëntori, me tamtame të bujshme, siç ndodh jo rrallë festave të nëntorit, qeveria shpalli nismën “Një gjuhë, një abetare” për hartimin e një abetareje të re mbarëkombëtare. Ajo çfarë e bën tamtamin veçanërisht patetik është fakti se që prej vitit 2012, Shqipëria e Kosova e kanë një abetare mbarëkombëtare. Me të fëmijët shqiptarë kanë mësuar e mësojnë sot e gjithë ditën. Por, qeveria thotë se na duhet një e re, se jemi në kontekst të ri, duhet t’i përshtatemi epokës së re digjitale, kurrikulës së re, e shumëçkaje të re. Këto të rejat duket se janë aq shumë sa madje-madje deri edhe koncepti një komb- një gjuhë, po na shitet si i ri. Duhet thënë që në krye të herës se të gjithë pajtohemi që çdo ndërhyrje në të mirë të rritjes së cilësisë së teksteve shkollore dhe të përmirësimit të infrastrukturës mësimore është domosdoshmëri. Por ne nuk mund të bëjmë naivin e të besojmë se shkollës shqiptare do t’i ndryshojë fytyra fill pas një teksti të ri abetareje, që do të bëhet gati për një vit, pa pasur fare kohë të testohet si fillim diku,!




Abetarja e re, edhe më pro-digjitalja në histori po të jetë dhe ashtu qoftë, nuk e mbush dot si me magji mungesën e pajisjeve digjitale (si smart board, tabletë, pajisje të teknologjisë VR etj.), në klasat e shkollave shtetërore të Republikës së Shqipërisë, që vetëm klasa digjitale nuk janë. S’do të ndodhë as më shumë as më pak se ç’ndodh në lëndën e informatikës, që bëhet me tekste që shpjegojnë si përdoret kompjuteri, por laboratorët nuk e kanë asnjë kompjuter.

Abetarja e re, sado e epërme në nivel shkencor të jetë dhe ashtu qoftë, nuk mund ta shtrijë rrezen e shkencores te të gjithë tekstet e tjera shkollore, që janë ende me gabime, me informacion të vjetëruar, me gafa konceptuale, me gjuhë të papërshtatme për nivelin moshor të nxënësve.

Abetarja e re, edhe më e përkryera në botë po të jetë dhe ashtu qoftë, nuk e përmirëson dot problemin e thellë dhe shumë serioz që kemi me analfabetizmin funksional te të rinjtë.

Abetarja e re, sado mbarëkombëtare të jetë (dhe qoftë përherë, ajo dhe i gjithë korpusi tekstor shkollor!), nuk mund të lëbyrë sytë e shqiptarëve të diasporës, që e dinë se sa pak apo aspak bën shteti shqiptar për të mbështetur mësimdhënien e gjuhës shqipe jashtë vendit. Dhe mbështetja është lehtësisht e matshme. Sa buxhet cakton shteti shqiptar për shkollat shqipe në diasporë? Çfarë motivimi iu jepet atyre arsimtarëve të diasporës për punën e sakrificën e jashtëzakonshme që bëjnë? Apo ende ka të iluzionuar, që quajnë motivim një të rrahur shpatullave dhe ca buzëqeshje sa për fasadë. Këtyre, një abetare e re mbarëkombëtare nuk iu zgjidh telashet e mëdha për të ngritur e mbajtur klasat dhe as dhe mungesën e teksteve të gjuhës shqipe sipas niveleve!

Abetarja e re, sado me frymë patriotike të ndërtohet, vështirë të mund të ketë aq forcë madhore sa të ndreqë e përmirësojë nivelin e arsimit në Shqipëri e Kosovë. Dhe problemi nuk është fare te abetarja, që profesoresha e nderuar Mimoza Gjokutaj, e quan me të drejtë “monument kulture”. U bëftë realitet një abetare që të jetë realisht më e mirë se abetaret ekzistuese! Problemi është te patriotizmi me abetaren!

Një qeveri që e ka seriozisht idenë për të përparuar e ndriçuar kombin e nis te investimi për arsimin. Nëse Shqipëria vijon të jetë ndër vendet e fundit në Evropë për investimet në arsim, me një buxhet që nuk arrin as  5% të PBB, këto historitë me abetare të mrekullueshme, mbeten veçse përpjekje patetike për të vënë emrin në nisma të ashtuquajtura patriotike.

Si për forcë të një zakoni që s’di të shkulet, politikës shqiptare ia ka fort ënda të  darovitë popullin me karamele patriotike. Po ta kishin vërtetë merakun e kombit, do të  investonin në arsim e kulturë, do të rrisnin ekonominë e vendit e s’do i linin të rinjtë të marrin udhët e botës për një jetë dinjitoze, që vendi i tyre ende nuk ua ofron; po ta kishin përnjëmend merakun e gjuhës, do t’i mbushnin bibliotekat e shkollave, lagjeve, qyteteve me libra, do të ndërtonin një korpus të madh elektronik të gjuhës shqipe, do të kishin synim parësor shkollimin e kulturimin e shqiptarëve, duke rishikuar kryekëput politikat arsimore në vend.

Mirëpo, asnjëra prej këtyre punëve, veprave e reformave me themel, edhe po të ketë nisur ka vite e vite që nuk ka bitisur. E meqë asgjë e bërë sa për sy e faqe nuk ka duk, kombi e gjuha mbeten do tempuj të shenjtë, ku hyjnë të falen qeveritarët. Të gjithë në përpjekje për t’u dukur si patriotët e vërtetë të Abetareve, si Naum Vegjilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami Frashëri, Parashqevi Qiriazi, etj.; të gjithë në përpjekje për të mbuluar me tisin e shenjtërisë patriotike kostumet e tyre populiste.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.