Kulturë

Kur realizmi magjik ka aromë Irlande

10:30 - 01.12.21 Gazeta Shqiptare

(Shënime për librin e Jan Carson, “Zjarrvënësit”)



Nga Ben Andoni – Belfasti është gati i panjohur për shqiptarët. Për ata pak që e kanë parë dhe ca më pak ata që jetojnë aty, ai nuk ka sjellë mbresa për të cilat publiku i sotëm shqiptar mund të abstragojë lirisht. Bash për këtë na shërben letërsia dhe sidomos ajo, që sot konkurron në kornizën e letërsive më të mira të kohës. Dhe, Irlanda e Jan Carson është një vend pjellor me letërsi dhe me art, që veçmas letërsisë, ka nxjerrë vazhdimisht shumë personazhe dhe autorë edhe në gjini të tjera të artit, ashtu si edhe në zhanre të ndryshme mes tyre. “Zjarrfikësit”, që po vjen në shqip në përkthimin e këndshëm të Maniela Sota është romani i dytë i autores dhe vjen në kuadër të projektit “Creative Europe”, e cila duhet thënë se në vitet e fundit ka ndihur shumë me botimet bashkëkohore tek ne. “Toena” ka ditur në kuadrin e projekteve të saj ambicioze t’i bashkëngjitet me dinjitet letërsisë bashkëkohore me përzgjedhje të këtilla në vitet e fundit. E veçanta është përdorimi i elementëve të realizmit magjik dhe racionimi i këndshëm i tri linjave në vepër për të shkuar te një roman koral me gati tre regjistra, ku narracioni ndërthuret me kujdes që nga veta e parë dhe deri tek e treta. Historia kryesore ashtu si mund të merret me mend, lidhet me zjarret, në rastin tonë ato që e kanë mbërthyer ngado qytetin dhe që janë të ndezura nga një zjarrvënës i pakapshëm dhe i cili inkurajon të tjerët në shkatërrim. Dëshira për shkatërrim është ngado. Ndjesia që të lë libri qysh në kapitullin e parë është një perceptim disi i errët dhe disi me suspansë emocionuese të atyre zgjedhjeve humane, që na duhet të bëjmë në jetë. Në rastin e librit tonë, një lloj shqetësimi, që Xhonatani, një nga personazhet e kësaj vepre, nuk di se çfarë të bëjë dhe vetë apo të justifikohet me zgjedhjet që ka bërë në jetë. Autorja ka zgjedhur një epigram të këndshëm të Xhorxh Eliot te “Silas Mar” për të bërë udhë në gjithë këtë mëdyshësi: “Në kohët e vjetra, engjëjt vinin dhe merrnin për dore burrat e i largonin nga qyteti i shkatërrimit. Tani nuk shikojmë më engjëj me krahë të bardhë. Por, përsëri burrat ikin tutje shkatërrimit kërcënues: një dorë vendoset mbi ta dhe i udhëheq përpara butësisht drejt një toke të qetë dhe të ndritur, në mënyrë që ata të mos shohin më pas dhe ajo dorë mund të jetë e një fëmije të vogël…”.

benmi benirrr beniii
<
>

Dhe, realisht, një nga personazhet kryesore, Xhonatan, druhet se vajza e tij e porsalindur nuk është aq fare e pazakonshme sa duket. Epigrami nuk është fare pa lidhje, as ndihma e realizmit magjik, që dora-dorës do të na zbërthehet me tri pjesët e romanit dhe që kulmojnë diku edhe te të habitshmit, ose të ashtuquajturit fëmijët me flatra, që përbën një linjë shumë interesante. Qasja e fillimit në një narracion të brendshëm të Xhonatan me një përballje me fëmijën dhe atë meditim të thellë se ku do e përcjellë kjo jetë bashkë me të gjithë krahasimet e mundshme, duket si një narracion gati shpenzues, ku veç shenjave të pikësimit, nuk ka ndalesë tjetër. Personazhi ynë bën krahasime me çdo gjë dhe ndalet aty ku ngjashmëria e vajzës së vogël i afrohet të ëmës. Pas këtij monologu të brendshëm tejet të zgjedhur disi hamletian, pjesa të fut në atmosferën e Belfastit, këtij qyteti me histori të një lufte të pashoqe civile, por edhe të mirënjohur nga kronikat e dikurshme ndërkombëtare për shkak të incidenteve gati të rregullta pak dekada të shkuara. Por edhe në këtë mjedis, vende e vende ironia e autores është e këndshme dhe nuk i lë gjë mangët humorit tradicional irlandez. Vallë pse duhet të jetohet në këtë vend mbushur me kaq probleme? Semi, një ish-ushtarak dhe personazh kyç, na vjen në një nga pjesët e romanit teksa po lufton veç me të kaluarën e tij të errët dhe frikën se dhuna në gjakun e tij dhe sherret fshihen edhe janë të trashëguara edhe sot te djali i tij. Kjo, sepse romani si temporitëm përshkruan ankthin e një zjarri që nuk ndalon. Ndërkohë, ndalohet në një gjendje disi futuristike ku qyteti është në zjarr dhe “Semi nuk e duron këtë vend, por as nuk mundet ta mallkojë. Ai do të jepte çdo gjë, të zhdukej prej tij. Të fluturonte dhe ta fillonte nga e para, në një vend më të ngrohtë, si Florida ose Benidorm. Në një vend që të mos të dukej si një akuarium me peshq të kuq. E kishte provuar. Zoti e di se sa shumë ishte përpjekur. Por, ky vend është si magnet: e kishte marrë me të mirë, e kishte zvarritur, e kishte kthyer prapë. Nuk ka rëndësi sa larg shkon ai, me avion, me anije, apo me mendimet e tij çdo ditë – ky është vendi më i vështirë për të mbajtur distancë – ai përsëri do të jetë bir i këtij qyteti; bir jobesnik, por, megjithatë, i lidhur me të”. E qyteti vazhdon e është në flakë dhe autoritetet po e humbasin krejt kontrollin. Ndërsa gjërat rrokullisen aq shumë duket në një farë mënyre sikur nuk ke hapësirë mes fantazisë dhe së vërtetës, të drejtës dhe të gabuarës, linjat që e përshkojnë romanin fillojnë të mjegullohen dhe dy personazhet tona janë mes dilemave. Por, lexuesi nuk ka kuptuar që pak nga pak po futet teknika e realizmit magjik dhe autorja Jen Carson nuk e shpërdoron, por duke e njohur mirë këtë makth, sepse është edhe vetë pjesë e kësaj zezone, mundohet të zhdërvjelltësojë dhe përmes asaj pamjes së parë që asgjë nuk lëviz, në fakt të tregon se gjithçka lëviz frikshëm. Përballë dilemave ne kemi dhe vende e vende humanizëm të personazheve dhe gjendjen tokësore të tyre, edhe nëse ata na shfaqen në segmente më të shkurtër. Kristina që mban Sofinë e vogël na përshfaq një dashuri jo thjesht si dado, por edhe si njeri. Autorja ndërkohë nuk bëhet shumë e fiksuar që të na tërheqë vëmendjen te dhuna që këtu është e pamatë, por të bën të abstragosh se nga vjen bash origjina e kësaj gjendjeje, që nuk i ndahet Belfastit. Dhe Xhonatan na shfaqet sërish, por në një drejtim tjetër, pasi qyteti për të nuk e ruan peshën që mbart te Semi. Pse qyteti vazhdon e digjet? Dhe, realisht një zjarr i vetëm këtu, një tjetër atje, secili i planifikuar dhe i ndezur nga duar të ndryshme të mbajnë në një suspansë, ku lexuesi indirekt do të përfshihet dhe madje të kontribuojë me vëmendjen e tij. “Dhe këto nuk janë zjarret e zakonshme të Natës së Njëmbëdhjetë, që çdo vit paralajmërojnë fillimin e një Nate të Dymbëdhjetë. Nuk janë as tradicionale, as të pritshme. Gratë tërheqin dritaret dhe i mbyllin që mos të hyjë ngadalë asnjë. Ky është Belfasti. Ky s’është Belfasti. Ky është qyteti që nuk lë asnjeri të largohet”. Dhe Belfasti është realisht i lodhur nga lufta, nga zjarret, ato pa zjarr apo si quhen tashmë me eufemizëm “Stina e zjarreve”. Befas në qytet në ‘Youtube’ shfaqet edhe njeriu që mëton se ka vënë zjarrin, i maskuar dhe duke vepruar… Këtu ndërkallet sërish ironia e autores dhe i gërsheton linjat në historinë e saj, që kryesisht bëhet në verë, duke bërë analogji deri me politikanët si mundohen të shfrytëzojnë gjithçka. Po vallë cili fshihet me këtë dhe ç’lidhje ka kjo me personazhet tona? Pakuptueshmëria dhe dhuna tashmë zbret e shfaqet dhe bëhet më e përfaqësuar deri në personazhet e saj. Semi tashmë është i bindur se djali i tij është kreu i së keqes. Teksa dikur vetë ky Unionist kënaqej me atë që ai dhe të tjerët si ai u bënin: “katolikëve dhe tani ndjen turpin që ia kaloi zemërimin djalit të tij. Një njeri i egër, me logjikën e një dhunuesi: Ka diçka në të që dëshiron të godasë”. Dhe sërish, ndërkallja e jashtëzakonshme me këta fëmijë të ashtuquajtur të veçantë. “A ka ‘fëmijë të pafat’ në Belfastin Lindor? – Ka rreth njëzet. Disa kanë dhunti më të mira se të tjerët. Për të qenë e sinqertë, doktor Mëri, janë nja dy prej tyre, që unë mendoj se nuk duhet të cilësohen si ‘fëmijë të pafat’, si ai që mund ta mbajë frymën e vet me të vërtetë shumë gjatë nën ujë. – S’besoj se do ta quaja një dhunti të veçantë. Ndoshta ka vetëm mushkëri më të mëdha se mesataret”. Metafora merr jetë dhe gërshetimi i linjave të këtyre personazheve e zbulon nga pak fabulën e fëmijëve të tillë dhe ankthin e tyre, por edhe të personazheve tona. Merita e përkthyeses është se e racionon shumë mirë regjistrin për të sjellë kadencën e Irlandës në këtë roman, që duket i vështirësisë jo të vogël, mbi të gjitha frymën e realizmit të saj magjik alla Irlandë. Dhe Sota e zgjidh bashkë me detyrat e përkthimit, që duhet thënë se nuk kanë qenë aq të lehta me anglishten e sotme alla-irish. Por ia vlen për Jan Carson, shkrimtares dhe artistes, por edhe aktivistes së njohur. Është nga ajo lloj letërsie, që është e nevojshme të shihet në ditët tona, por edhe të shijohet për t’u parë nga bashkëkohësit.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.