OPINION

Shqipëri-Kosovë, Koha për kompromisin e shumëpritur historik

09:00 - 01.12.21 Halil Rama
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qëndrimi pothuajse në unison i dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti, duke dalë jashtë petkut diplomatik për dakortësinë e bashkimit Shqipëri-Kosovë, ka ngjallur optimizëm në hapësirën mbarëshqiptare në botë




Bashkimi kombëtar, kjo aspiratë shekullore e shqiptarëve, më në fund duket se është vënë në start të mbarë. Qëndrimi pothuajse në unison i dy kryeministrave të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Albin Kurti, duke dalë jashtë petkut diplomatik për dakortësinë e bashkimit Shqipëri-Kosovë, ka ngjallur optimizëm në hapësirën mbarëshqiptare në botë.

Kështu nëse Rama, i “provokuar” nga gazetarët deklaroi pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Elbasan më 26 nëntor 2021, se momentalisht nuk e di kur do të mbahet referendumi për bashkimin kombëtar, por shprehu bindjen se një ditë do të bëhet dhe se në këtë referendum ai do të votojë pro bashkimit, për Albin Kurtin, “Kosova dhe Shqipëria janë dy vende ‘si një lis me dy degë dhe puna mes dy vendeve duhet bërë si patriotë e të flasim si diplomatë”.

Shpresëdhënës në këtë aspekt qe edhe miratimi i Marrëveshjes midis dy qeverive respektive për të lehtësuar lejet, për të jetuar në të dy anët e kufirit të shqiptarisë, duke bërë të mundur që çdo shtetas në dy vendet, mjafton të plotësojë një formular dhe të deklarojë një adresë të përshtatshme, dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë ai merr lejen 5-vjeçare. Më pas menjëherë do i takojë leja e përhershme, si në Shqipëri dhe në Kosovë, pa pasur nevojë të bëjë aplikim tjetër.

ORGANIZATAT PARTNERE TÍ PARAPRIJNË BASHKIMIT

 Të parat që e kanë përshëndetur këtë qëndrim qenë organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftrave për liri e pavarësi të popullit shqiptar (OBVL) dhe Organizata e Veteranëve të LANÇ të Kosovës. Kjo edhe për faktin se ato prej dekadash kanë qenë promotore të bashkimit kombëtar.

Krerët e dy organizavate tona, Dr.Ymer Dishnica-Nderi i Kombit, Heronjtë e Popullit Rrahman Parllaku e Fadil Hoxha, dhe pasardhësit e tyre, respektivisht Myfit Guxholli e Sotir Budina, Vaide Hoxha, Vehap Shita e Zija Mulhaxha, të mbështetur dhe nga kryesitë e dy organizatave kanë mbajtur disa takime ku kanë konkluduar në domosdoshmërinë e bashkimit kombëtar.

Madje kjo tezë është diskutuar dhe ka gjetur mbështetje edhe në takimet e kryesive të dy organizatave me ish-kryetarët e parlamenteve të dy vendeve, Ilir Meta e Jakup  Krasniqi, në Tiranë dhe në Prishtinë, në kuadrin e 70-vjetorit të Konferencës historike të Bujanit.

Pas këtyre takimeve institucionale, në tryeza të veçanta, apo dhe dreka e darka pune, eksponentë të veçantë të dy organizatave janë dakortësuar për mbajtjen e një kuvendi të përbashkët që të legjitimojë bashkimin në një organizatë të vetme.

Në stadin aktual të zhvillimeve, pas deklarimeve publike të lidershipeve të dy qeverive, bashkimi i organizatave të veteranëve, dhe pse jo edhe i organizatave tjera partnere të të dyja shteteve, do t’i paraprinte bashkimit kombëtar. Parasëgjithash këtë e mundësojnë pikëpamjet programore si dhe takimet e përbashkëta pa asnjë ndasi në festat kombëtare e përkujtimore, si më 5 Maj, 17 shkurt, 16 shtator, 28-29 Nëntor etj, data këto të skalitura në memorien tonë kombëtare, ku shprehet mirënjohja, respekti dhe vlerësimi për gjakun e derdhur e për kontributin e dhënë nga patriotët shqiptarë për pavarësinë e çlirimin e atdheut tonë të dashur. Ashtu siç qenë bashkë në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit dhe më 28 Nëntor 1912 në aktin historik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ashtu siç udhëhoqën e mirëkordinuan veprimet luftarake gjatë Luftës së Lavdishme Nacionalçlirimtare Rrahman Parllaku e Fadil Hoxha, në viset shqiptare dhe në Kosovë, edhe në kohët që jetojmë ky bashkim është më evident se kurrë.

Mjafton vullneti i mirë i dy kryesive, dhe pse jo edhe i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ dhe ky bashkim është plotësisht i mundshëm në një kuvend të përbashkët kombëtar.

Bashkimi në opinionin e gjerë publik tashmë është arritur. Kosova është kryesisht shqiptare, dhe me Republikën e Shqipërisë aksionet e përbashkëta administrative në sektorë të tillë si arsimi, policia, koordinimi i politikës së jashtme, trashëgimia kulturore, si dhe bashkëpunimi në tregëti, dhe së fundi me heqjen e barrierave për lejet e qëndrimit 5-vjeçar të qytetarëve në Shqioëri dhe Kosovë, kanë ndikuar gjithashtu në masë të madhe bashkimin mes dy shteteve.

KOHA PËR KOMPROMISIN E SHUMËKËRKUAR

Pesë vjet më parë, Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, Rrahman Parllaku, në emër të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar (OBVL) u drejtoi një promemorie krerëve më të lartë të shtetit (ish-Presidentit të RSH, Bujar Nishani, ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, dhe Kryeministrit Edi Rama, si dhe kryetarëve të partive parlamentare, ku argumentonte domosdoshmërinë e unifikimit të qëndrimeve në funksion të integrimit euroatlantik të vendit. Apeli i gjeneralit legjendë bëhej në një kohë kur klima politike në vend ishte tejet e tensionuar.

“Në moshën time të thyer, 97-vjeçare, përballë revanshit të nostalgjikëve të diktaturës komuniste dhe ekstremistëve pa fre të të dyja palëve, e ndjej si obligim t’ju bëj thirrje, që t’i riktheheni arsyes së shëndoshë, për të realizuar pajtimin kombëtar, aq shumë të dëshiruar nga shqiptarët e të gjitha kohërave”, shkruante gjeneral Parllaku në promemorien e tij para katër vitesh.

Kryesia e OBVL konkludon se kjo promemorie është në koherencë të plotë me aktualitetin e sotëm, kur klasa politike, si në Shqipëri edhe në Kosovë duket se është në hullinë e gjetjes së kompromisit historik për çështjen tonë kombëtare.

Duke e vlerësuar këtë situatë në kontekstin historik, OBVL-ja u bën thirrje drejtuesve të organizatave partnere, OJF-vë e Fondacionave të shumta që ushtrojnë aktvitetin e tyre në Shqipëri e Kosovë që të ulen në tryeza e takime të përbashkëta për të unifikuar qëndrimet që t’i paraprijnë procesit mbarëkombëtar të bashkimit. Ëahtë koha për të arritur kompromisin historik aq të domosdoshëm që të konsistojë në unifikimin e qëndrimeve për të përmbushur detyrimet për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe për të ndikuar në kancelariritë europiane që të mundësohet heqja e vizave për kosovarët. Për këtë vendimmarrje historike le t’iu referohem kuvendeve historike mbarëkombëtare, që nga Lidhja e Lezhës që i bashkoi shqiptarët rreth heroit kombëtar, Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit që ndikoi në bashkimin e shqiptarëve për mbrojtjen e çështjes kombëtare, jo vetëm ndaj fqinjëve grabitqarë, por edhe para Europës e deri te Konferenca e Pezës që bashkoi shqiptarët pa dallim feje, krahine e ideje në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ashtu siç veteranët e LANÇ bënë atë Luftë të lavdishme, duke e bërë Shqipërinë pjesë të Aleancës së fuqishme Antifashiste të Popujve të drejtuar nga SHBA, Anglia e ish-BS, është koha që edhe krerët e dy shteteve, qeverive e politikës shqiptare në Shqipëri e Kosovë, të realizojnë  paraprakisht pajtimin kombëtar, si imperative i ditës.

Lehtësimi i procedurës për marrjen e leje-qëndrimit, rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit, hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar mes Kukësit dhe Dragashit, lehtësira në procedura doganore dhe kontroll të mallrave, kalendari i përbashkët kulturor vjetor mes Kosovës dhe Shqipërisë, njohja e diplomave, si akte tjera të 13 marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës të premten më 26 nëntor, gjatë takimit të qeverive të të dy vendeve, janë hapa konkret në kontekstin historik të bashkimit kombëtar.

*Mjeshtër i Madh & Sekretar i Përgjithshëm i OBVL-së

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.