AKTUALITET

Tejkaloi afatet në zbardhjen e vendimit për heqjen e një qytetari nga puna, ILD kërkon uljen me 40% të rrogës për gjyqtarin

14:13 - 01.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Matit, Rexhep Karaj, i cili dyshohet se ka abuzuar me detyrën duke shtyrë afatet e dhënies së vendimit për një çështje të marrë në shqyrtim prej tij ku një qytetar kishte paditur bashkinë e Matit për heqje të padrejtë nga puna.




Vendimi gjyqësor ishte zbardhur nga gjyqtari Karaj jashtë të gjitha afateve procedurale, duke mos i dhënë mundësinë qytetarit që të ushtronte të drejtën e ankimit në gjykatat më të larta.

ILD në mbyllje të hetimeve kërkoi nga KLGJ marrjen e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 % për një periudhë jo më të gjatë se një vit” për gjyqtarin Karaj

Njoftimi i plotë

Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani për procedim disiplinor me masën “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 %, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, për magjistratin R.K.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor, i nisur me iniciativë ndaj magjistratit R.K., me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, pas një ankese të qytetarit N.P., që pretendonte se vendimi gjyqësor ishte arsyetuar dhe zbardhur nga magjistrati në tejkalim të të gjitha afateve procedurale, duke mos i dhënë mundësi atij si paditës, që të ushtronte të drejtën e ankimit në gjykatat më të larta. Qytetari kishte paditur bashkinë Mat për zgjidhje të padrejtë të marrëdhënies së punës.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, provohet se:

Magjistrati R.K. ka një vonesë prej 5 muaj e një ditë të arsyetimit të vendimit, referuar nga qytetari ankues, (Rrëzim i padisë së N.P. si i pabazuar në prova e ligj), në kapërcim të afatit 20 ditor, të parashikuar në  nenin 308, paragrafi i dytë i K.Pr.Civile, afat i cili është tejkaluar plot 6 herë, me një vonesë prej 131 ditë nga shpallja e vendimit përfundimtar, si dhe të afatit 15 ditor të parashikuar nga neni 443, paragrafi i parë i K.Pr.Civile për ushtrimin e të drejtës së ankimit nga palët në proces.

Nga të gjitha provat e marra gjatë hetimit disiplinor edhe për vendime të tjera të magjistratit, rezulton se mosarsyetimet në kohë të vendimeve gjyqësore janë jo vetëm janë të përsëritura dhe vazhduese, por rezultojnë të jenë gjithashtu dhe të pajustifikuar.

Nga ana e magjistratit janë ndërmarrë veprime që përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të afateve procedurale civile të arsyetimit të vendimit gjyqësor, duke tejkaluar afatet tej çdo llogjike, pavarësisht çështjeve me vështirësi të një niveli mesatar.

Veprimet e magjistratit R.K. janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhence e ardhur edhe si pasojë e ngarkesës, e përsëritur në rastet e analizuara gjatë hetimit. Nuk u provua që këto vonesa të jenë kryer më dashje, me qëllim krijimin e vonesave për palët për të ushtruar ankim ndaj vendimarrjeve të gjyqtarit apo qëllime të tjera.

Veprimet e magjistratit kanë sjellë si rrezik evident vonesën në ushtrimin e të drejtës së ankimit dhe mundësinë e një drejtësie të mohuar.

Si pasojë e shkeljes disiplinore të kryer nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor është cënuar prestigji i figurës së gjyqtarit, si dhe është cenuar besimi i publikut të drejtësia.

Për sa më sipër, i kërkohet Këshillit të Lartë Gjyqësor pranimi i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj R.K, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 102, pika 1, shkronja “d” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar dhe dhe caktimin e masës disiplinore “Ulje e përkohshme e pagës deri në 40 % për një periudhë jo më të gjatë se një vit”.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.