OPINION

Pastrimi i parave, mola që po i ha shqiptarët

08:45 - 03.12.21 Flutura Açka
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të nderuar shqiptarë kudo që të jeni!




Ju pyesni shpesh me të drejtë për 30 vite: ku janë paratë tona? Ju i  hidhni sytë rrotull të shurdhuar nga zhurma e betonierëve dhe mendoni, para ka e para s’ka. Më lejoni t’jua vizatoj sipas mënyrës sime vendin ku fshihen paratë tona.

Në një nga mbrëmjet e fundit, për shkak të rrebeshit të shiut mbeta e ngujuar në një taksi me orë nëpër trafikun e Tiranës. Kështu që taksisti kishte kohë të mjaftueshme të shante e të mallkonte ndërtimet që e kishin ngulfatur kryeqytetin tonë, por edhe të më tregonte një histori taksish, nga ato që e tejkalojnë edhe fiksionin. Para meje kishte përcjellë njëfarë prokurori, i cili kishte sharë mo zot ma keq trafikun e çmendur të Tiranës. “Po pse nuk e dënoni njeriun që e shkatërroi Tiranën?”, pyeti me naivitet taksisti, duke nënkuptuar dorëzanin e Bashkisë së Tiranës që ka firmosur plot 3,6 milionë metra katrorë ndërtime në Tiranë vetëm në tre vitet e fundit, ndërtime që rreth 60 % të burimeve të financimit i kanë pasur të pambuluara ditën e dhënies së lejes së ndërtimit.

I zënë ngushtë nga pyetja e taksistit dhe që të mos e ulte imazhin e epërm që populli ka për shtetin e vet, prokurori i tha: “Po si të dënojmë ne kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë!”. Kjo është historia dhe ky është perceptimi që i keni dhënë ju shtetit për pinjollët tuaj bastardë politikë.

Vetëm mbrëmë, prej një udhëtimi deri në Fushë-Krujë, serbratori i makinës sime nga 720 km të mundshme udhëtim në nisje, shkoi në 560 km në kthim, pra plot 160 km udhëtim imagjinar për 60 km udhëtim real. Me një llogari të thjeshtë prej staticieneje, 100 mijë shqiptarëve (ta zëmë se aq lëvizin në ditë) që hyjnë e dalin në Tiranë dhe që udhëtojnë të paktën 100 km në ditë, u duhet të harxhojnë 2,7 orë më shumë, pra 270 mijë orë, ose 11250 ditë kalendarike, duke i pandehur shqiptarët edhe udhëtarë nate, edhe pse e dimë se ç’ferr është të udhëtosh natën nëpër Shqipëri.

Pra, shkurt, shqiptarët në një ditë në trafikun e Tiranës harxhojnë plot 32 vite jetë, ose më mirë në një vit humbin 11 shekuj. Po të marr parasysh marzhin e gabimit tim, po them plot 10 shekuj! Sa për karburantin, bëjeni llogarinë vetë fare thjeshtë nga shifrat që sapo ju përmenda. Llogarisni pastaj stresin, smogun e sakatimin mental që kemi pësuar të gjithë ne bashkë.

Pyetja është: kush ua paguan shqiptarëve 10 shekuj humbje në një vit vetëm prej këtij urbanizimi të etshëm, të frikshëm e në shërbim të mafies së ndërtimit, e cila është tani, në fakt, pushteti në këtë vend dhe që e ka kthyer këtë vend në lavatriçen e pastrimit të parave të krimit në Europë e në botë. Përse nuk ia kurseni shqiptarëve këtë humbje? Sepse nuk keni virtyte, se kursimi sipas Ciceronit “është mëma e të gjitha virtyteve” dhe juve ju mungon kryevirtyti, që t’ia kurseni kohën shqiptarëve. Hidhni sytë rrotull, të nderuar shqiptarë dhe shiheni vendin ku janë betonuar paratë tuaja, ato i qarkullon pushteti, jo mileti. Provoni t’ia merrni ato para!

Nuk ia merrni dot, sepse kur ai jua zë dritaret me një pallat ngjitur që mbin gjithë natën para syve tuaj, ju jeni duke zapuar televizionet “Basha-Berisha, Basha-Berisha”.

Nuk ia merrni dot, sepse kur ai ju shemb pa gdhirë Teatrin Kombëtar, ju prisni t’jua bëjnë betejën të tjerët, mbase fantazmat.

Nuk ia merrni dot, se kur një birbo komunist jua jep për mëngjes Ditën e Festës Kombëtare të Pavarësisë portretin e Enverit, ju hutoheni pas videoklipit të radhës që kryeministri jua hedh si karamele.

Nuk ia merrni dot, sepse kur e gjithë bota proteston në rrugë kundër regjimeve, ju argëtoheni në rrjetet sociale dhe harroni se beteja bëhet përballë dhe jo pas shpine.

Ja ku e kemi para syve mafien tonë të dashur që na ka kthyer të gjithëve në lavatriçe, kush prej heshtjes e kush prej flirtit me këta. Nuk është pa aq arsye që në nivelet e Wikipedia-s vitet e fundit është pasuruar shumë zëri “Albanian Mafia” me të gjitha hollësitë se si një Shqipëri e vogël më në fund ia ka dalë të kontrollojë botën e madhe: në pastrimin e parave.

Nuk është pa aq arsye që është kthyer në humor i salloneve të ambasadave një prej përgjigjeve epike të mikëpritësve holandezë ndaj ish-Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili nga dëshira e madhe t’i dokëndiste holandezët, u tregoi atyre se hashashin shqiptarët e kishin mësuar prej holandezëve dhe se shqiptarët zinin një përqindje shumë të vogël mes kriminelëve në Holandë. Përgjigjja e të zotërve të shtëpisë ishte: “Po zotëri, por nuk po flasim për sasi, por për cilësi krimi”. Ne, pra, kemi krim me cilësi shumë të lartë, sepse e kemi edhe këtu në parlament duke bërë ligje kundër shqiptarëve.

Me shijen e hidhur të këtyre takimeve dhe e dëshpëruar nga vetoja kundër e holandezëve për çeljen e negociatave, qeveria shqiptare nuk la gur pa lëvizur me vite të tëra për ta shitur këtë si problem të brendshëm holandez dhe duke ua pikturuar shqiptarëve Holandën si delja e zezë e Europës, si vendi që ishte kundër shqiptarëve dhe që po i diskriminonte në ditën kur e gjithë Europa po i mikpriste të hynin. Ju kujtoj se është po ajo Holandë që i kushtoi faqet e para të gazetave duke dënuar me javë të tëra genocidin serb në pranverën e vitit 1999. E vërteta është krej ndryshe: Holanda ka vetëm një shqetësim, se rrjeti i rrezikshëm kriminal që kalon përmes saj apo vepron në zemër të saj, qarkullon aq shumë para dhe ka pushtuar tani tregun e drogërave të rënda të Europës, e kontrollon tani atë plotësisht dhe se këto para pastrohen në Shqipëri, në mes të Tiranës, më së shumti në fushën e ndërtimeve.

Por as kjo nuk është në fakt frika më e madhe e këtyre ligjvënësve, por mundësia që shuma të tilla parash të blejnë qeveritarë e ligjvënës holandezë, të ndryshojnë ligje dhe do të helmojnë demokracinë e tyre të ngritur me aq mund. Jo vetëm aq, por një pjesë e këtyre parave investohen në terrorizëm, pasi Shqipëria ka vite që është kthyer në rrugë vreshti mes Lindjes dhe Perëndimit.

Me këtë merak të madh në zemër e për ta zbutur këtë fëmijë të pabindur portokalli, qeveria shqiptare u hodh në sulm frontal për t’ia blerë zemrën. Çfarë ceremonish pompoze pritjeje e përcjelljeje ambasadorësh, çfarë përdëllimi për t’u shërbyer e kuruar deri në detaje kërkesave e shpurës ambasadorake nëpër Shqipëri dhe të familjarëve të tyre. Doni shembuj? Asgjë nuk është publike, por të kishin gojë muret e të flisnin. Jo vetëm kaq, por kemi paguar para edhe për Big Brother-in holandez. Mos u çudisni fare. Për reklamë këta blejnë dhe zotin po të mundin. Të marrë mundimin dikush nga paria këtu e ta bëjë publike për shqiptarët se sa para i kemi paguar kompanive të argëtimit apo IDTV-së holandeze. Ku ta bëjnë këta transparente këtë fakt, do ta mësojmë edhe ne.

Prisni, se ka edhe më. Ja, pak ditë më parë ia mbërriti këtu edhe kryeministri holandez, i fundit i Mohikanëve të pabindur të Europës. E çfarë nuk u tha për këtë takim të madh historik. E në fakt, në këtë takim nuk ka asgjë historike, pasi kryeministri holandez, Rutte, pas zgjedhjeve të fundit atje, nuk ka asnjë mandat, vetëm të firmosë ndonjë emergjencë të pandemisë. Mandati i vetëm që kishte ai, ishte të na buzëqeshte, dhe, në fakt, buzëqeshi mjaft për të qetësuar frustrimin e shqiptarëve të mërzitur me qeverinë holandeze, që nuk po i gjen dot rrugët të bindë ligjvënësit portokalli për një po për Shqipërinë. Dhe atë po, nga ky hall vetëm për shqiptarët dhe jo për qeverinë shqiptare. Rutte e dinte mirë se ku po vinte e me kë po fliste e me çfarë rrafinatosh po takohej, e dinte se ishte në mesin e qeverisë më të korruptuar në Europë dhe të tretës nga fundi në botë për kujdesin ndaj mirëqenies së popullit të vet. Është po ajo qeveri që firmos lejet e ndërtimit ku pastrohen paratë e trafikantëve dhe kriminelëve, të cilët ua kanë prishur prej vitesh gjumin holandezëve, qysh nga 2016, koha kur u ngrit Instituti Shqiptar i Kanabizimit. Nuk e di nëse  Ruttes iu dhurua ndonjë çelës Tirane, por në nder të simbolit të kohës që jetojmë, e mira e do që maskota e Tiranës të jetë një betoniere, e jo një çelës. Fundja një betoniere është tani një nga reliktet e salloneve mondane të Bashkisë së Tiranës, orendia e zymtë që të vetmit që ngazëllen janë ideuesit e saj, pasi shqiptarët kanë mbetur në trafik rrugëve të Tiranës, duke bluar ato dhjetë shekujt për të cilët ju fola.

Me këto që thua, do të thoni ju, ti je kundër urbanizimit. Madje keni mbajtur edhe leksione këtu në parlament se ç’është betoni. Kurrsesi nuk jam kundër urbanizimit, zhvillimit, gjeneralizmit të Tiranës, por nuk mund të fus dot 1,5 milion metra katrorë të ndërtuar në vitin 2019 në Tiranë, në 539 mijë metra katrorë ndërtime të nevojshme në raport me numrin e familjeve rishtare në Tiranë të po atij viti. Nuk më del llogaria, sepse sipas kësaj logjike, Tirana është ndërtuar si të ishte një qytet 15 milionësh, kur në fakt nuk është as 1 milion banorë. Në këto 3,6 milion metra katrorë me ndërtime në tre vitet e fundit, nuk është respektuar asnjë parametër minimal në raportin mes fjetinave betonarme të Tiranës me qendrat mjekësore, shkollat, kopshtet, gjelbërimin, parqet e lodrave, rrugët, teatrot, trotuaret, shatërvanët, muzetë. Një krim kombëtar, i pariparueshëm. Kështu janë ngurosur paratë e shqiptarëve, hidhni sytë rrotull 360 gradë, siç na këshilloi gjatë fushatës pinjolli mavi që mëton të bëhet shef i madh mavi. Hidhini sytë, o shqiptarë, por mbajini mbyllur, ose mbani në xhep ndonjë trinitrinë!

Që ta mbyll, po  citoj një shkollar të madh se “paratë ndonjëherë kushtojnë shumë”, ndërsa paratë e shqiptarëve janë të pableshme, sepse janë beton 4, 5,10 mijë euro metri katror, pasi dalin krejt të pastra nga lavatriçja e pushtetit dhe e bashkëpunëtorëve të saj, Mafias.

Autorja: Deputete e Partisë Demokratike


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.