Kryesore

OPEN BALKAN, mundësi apo kërcënim

08:10 - 04.12.21 Igli Tola
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ballkani i Hapur, të ngjan më Shengenin (Schengen) në 1985. Asokohe nga 10 vende anëtare të BE-së, vetëm 5 nënshkruan për të: si Danimarka, Italia apo Greqia ishin skeptike; sepse e shihnin si një ‘marifet’ për fuqizimin e mëtejshëm të bllokut franko-gjerman. Ama krijimi i kësaj zone dhe tregu të përbashkët në këto 2 dekada e pak provoi se solli zhvillim për të gjithë Unionin (rritje ekonomike, balancim të bilancit tregtar, të ardhura të shtuara per-capita etj); duke bindur me kalimin e kohës edhe më skeptikët dhe nacionalistët për dobinë e ‘bashkimit’.




Kjo thënë duhet të shërbejë për tu treguar më të duruar edhe me ‘skeptikët’ e sotëm si Kosova, Bosnia etj; dhe tu lëmë kohë që të shohin rezultatet e para konkrete të kësaj inisiative.

Deri më tani ajo që kemi parë nga Open Ballkan është dakordimi mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë që gradualisht deri në 2023 të krijohet një treg i përbashkët për me më shumë se 11 milionë banorë; ku qytetarët lëvizin pa kurrfarë pengese, mallrat po ashtu nënpër dogana. Punëtorëve dhe studentëve u lejohet të mësojnë e punojnë në secilin prej këtyre shteteve pa burokracira për leje qëndrimi, kontrata pune etj.

E në të gjithë këtë, ajo që përfiton më shumë është ekonomia.Lehtësirat tregtare që përmendëm më sipër nuk janë gjë tjetër veçse fuqizim i qytetarit dhe sipërmarrësit për të zgjedhur i lirë. Për të zgjedhur produktin më të mirë e më të lirë për veten e klientët e tij. Për ti shërbyer konsumatorëve aktual dhe potencial në një kohë më të shpejtë e me kosto më të ulët. Për të patur akses në gjetje tregjesh atraktiv për t’u bërë konkurues e inovativ pa pengesa politike dhe konjukturale; siç janë orët e stërzgjatura të pritjes në pika doganare, apo pengesat e tjera të fshehura jo-tarifore. Kështu, sipërmarrësi shqipëtar do të eksportojë ku ai mendon se është më e udhës për të e ku është më fitimprurës pa u penguar nga politikat (shpesh nacionalisto-shoviniste) ballkanike. Njësoj edhe ai serb, maqedonas; e shumë shpejtë edhe ai kosovar, bosnjak e malazez.

E për ato syresh që  mendojnë se Ekonomia (shqiptare) është ‘humbësi i madh’, pasi jemi inferior ndaj serbëve në sipërrmarje, zhvillim ekonomik, nivel eksportesh dhe kapacitet human-kapital ; mjafton tu kujtojmë se politika izoluese u aplikua për 50 vjet te ne, pa sukses. Atëherë mos të pretendojmë as për tu anëtarësuar në BE, sepse do të na pushtohet ‘tregu’ nga mallrat e korporatave gjermane apo italiane. Nuk e ndihmon ekonominë izolimi (ishullizimi), por konkurrenca, partneriteti dhe inovacioni. Ky është vetëm një interpretim “merkantelist” ku tregtia shihet si aktivitet i njëanshëm dhe ku duhet të fitojë vetëm njëra palë.

. . .

Duke parë suksesin që do të sjelli hapja e Ballkanit për sipërmarrjet e 3 vendeve, në harkun kohor të pak muajve do të jenë bizneset e Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi që do të fillojnë tu bëjnë presion qeverive të tyre për tu bashkuar në Open Ballkan; sepse biznesi nuk njeh as nacionalizma, as etnicizma. Siç ndodhi me Shengenin dekada më parë.

Kështu, Ballkani me ndërvarsi e shkëmbim tregtar mundet të jetë dhe një rajon i paqtë politik në të ardhmen e tij ashtu sic thoshtë dhe Milton Friedman “nuk mundet të ketë liri politike pa liri ekonomike.” Ekonomia dhe sipërmarrja do të bëhen ‘pararojë’ të paqtimit etnik në Rajon dhe largimit të ‘fantazmave’ nacionaliste.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.