Kryesore

Manastirliu inspekton punimet në spitalin Rajonal Kukës: Brenda 2022 përfundon i gjithë korpusi spitalor

16:21 - 07.12.21 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bashkë me kryetarin e bashkisë së Kukësit Safet Gjici kanë inspektuar punimet në spitalin e Kukësit.




“Shumë shpejt vihet në funksion urgjenca e re dhe sallat operatore. Do të ndryshojë rrënjësisht shërbimi e urgjencës dhe gjithashtu shërbimi i kirurgjisë në këtë spital, duke finalizuar fazën e parë të investimit madhor në Spitalin e Kukësit”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimti të punimeve në këtë spital, Manastirliu u shpreh se i gjithë investimi për korpusin e ri spitalor pritet të përfundojë brenda vitit 2022.

“Ky investim i qeverisë shqiptare është për transformimin tërësor të korpusit spitalor. Faza tjetër që tashmë ka filluar përfshin edhe maternitetin e Kukësit që për herë të parë integrohet brenda korpusit aktual të këtij spitali dhe sigurisht gjithë rehabilitimi i pavioneve të patologjisë, kirurgjisë, imazherisë. Gjithashtu një pikë e rëndësishme që është shërbimi i laboratorit modern në këtë spital, që do të përfundojë brenda vitit 2022”, bëri me dije Manastirliu.

Duke falenderuar stafin mjekësor për punën e bërë, Manastirliu tha se në këtë spital ka mjekë të specializuar, që vijnë në Kukës për t’u ofruar shërbim qytetarë afër vendbanimit.

“Unë jam krenare që në Kukës kemi mjekë, të cilët pasi kanë përfunduar specializimet afatgjatë në këto vite, vijnë dhe ofrojnë shërbime në spitalin e Kukësit, duke bërë kështu që qytetarët kuksianë të mos shkojnë deri në Tiranë për të marrë shërbime, por t’i kenë shërbimet afër vendbanimit”, tha Manastirliu.
Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, falenderoi qeverinë shqiptare për investimin e bërë për banorët e Kukësit dhe zonave përreth.

“Falenderoj qeverinë shqiptare, kryeministrin Rama, që e bëri realitet më së fundmi këtë investim madhor për qarkun e Kukësit. Është një spital rajonal që u shërben jo vetëm kuksianëve, por u shërben hasjanëve dhe tropojanëve madje edhe në pjesën tjetër të Prizrenit. Ka shumë qytetarë që vijnë dhe vizitohen në këtë spital” tha Gjici.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.