Intervista

INTERVISTA/ Hazizaj: Raportimet për dhunën seksuale ndaj fëmijëve, në rritje. Kategoritë e rriskuara, brenda familjes

12:30 - 16.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Gjatë 2021-hsit numërohen më shumë se 60 fëmijë të dhunuar apo abuzuar seksualisht. Ndërkohë të dhënat statistikore thonë që të paktën 1 në 10 fëmijë janë të dhunuar apo të ngacmuar seksualisht. Kështu ka deklaruar Altin Hazizaj, përfaqësues i rrjetit për mbrojtjen e fëmijëve, CRCA. Ai ka bërë me dije se raportimet për dhunën seksuale ndaj të miturve janë gjithmonë e më shumë në rritje. Sipas tij, dhuna seksuale në shumicën e rasteve ndodh në një mjedis shumë të afërt me fëmijën. Përkatësisht ka dy tipologji: e para ka të bëjë me dhunë në rrethin e ngushtë të besimit të fëmijës, pra një prind, një njerk apo të afërt të fëmijës, ndërsa në tipologjinë e dytë shihet tendenca e grupeve të organizuara që jo vetëm dhunojnë seksualisht fëmijë, por edhe i shfrytëzojnë ata seksualisht, duke përdorur teknologjinë. Hazizaj thekson se deri më tani shteti po bën shumë pak lidhur me këtë fenomen shqetësues, duke theksuar se asnjë bashki nuk është e përgatitur për të trajtuar dhunën ndaj fëmijëve dhe ofruar shërbime për ta.




Si paraqiten shifrat e fëmijëve të dhunuar gjatë dy viteve të fundit në Shqipëri? A janë në trend rritës?

Shqipëria nuk ka një databazë të regjistrimit të rasteve, ndaj nuk kemi një tablo të plotë të shifrave apo tendencave të dhunës. Kjo do të thotë që për çdo gjë na duhet t’u referohemi të dhënave që na vijnë nga studimet statistikore në popullsinë e fëmijëve, që në Shqipëri matjet e fundit janë bërë në vitin 2013. Pra, ka ardhur koha për një studim të madh serioz të fenomenit të dhunës te fëmijët apo edhe pasojave që dhuna shkakton tek ata.

Po lidhur me abuzimet seksuale me të mitur, si paraqiten shifrat?

Dhuna seksuale te fëmijët është një ndër shqetësimet kryesore dhe është një nga ato fenomene që ne po shohim një raportim gjithnjë e në rritje. Vetëm gjatë vitit të fundit kemi më shumë se 60 raste të raportuara nga e gjithë Shqipëria, por të gjithë e dimë që të dhënat statistikore thonë që të paktën 1 në 10 fëmijë janë të dhunuar dhe të ngacmuar seksualisht. Pra, ne njohim vetëm majën e ajsbergut dhe nga çfarë shohim nga intervistat me fëmijët, sistemi i mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve është totalisht i papërgatitur për t’u përballur e për të trajtuar raste të tilla. Përtej kësaj kemi një sistem të drejtësisë, që është ende tepër larg dhënies së drejtësisë për fëmijët që i mbijetojnë dhunës seksuale.

Cilat janë kategoritë më të riskuara?

Nga një vëzhgim i të gjitha rasteve që ne kemi trajtuar në Barnahus Shqipëri rezulton se fëmijët që jetojnë në familje me shumë anëtarë, apo familje që po shkojnë drejt prishjes, kanë tendencën që të ekspozohen në dhunë seksuale, krahasuar me fëmijët e tjerë. Në të njëjtën kohë, fëmijët që vijnë nga familje ku mungon kontrolli prindëror për shkak se prindërit janë në punë apo të zënë gjatë të gjithë kohës, gjithashtu kanë tendencën që të ekspozohen më shumë përkundrejt dhunës seksuale. Megjithatë, në periudhën e COVID-it kemi vënë re disa tendenca të reja, siç është ajo e fillimit të historisë së krimit seksual “online” ndaj fëmijëve dhe më pas ajo vijon në jetën e përditshme.

Ku ndodhin përgjithësisht rastet e dhunës, në cilat mjedise, familje, shkollë, shoqëri etj.?

Dhuna seksuale në shumicën e rasteve ndodh në një mjedis shumë të afërt me fëmijën. Nga rastet që ne po trajtojmë, shohim se kemi të bëjmë më dy tipologji. E para, ka të bëjë me dhunë në rrethin e ngushtë të besimit të fëmijës, pra një prind, një njerk apo të afërt të fëmijës. Në tipologjinë e dytë po shohim tendencën e grupeve të organizuara që jo vetëm dhunojnë seksualisht fëmijë, por edhe i shfrytëzojnë ata seksualisht, duke përdorur teknologjinë. Ndaj edhe raportimi i rasteve dhe hetimi i veprave penale me natyrë seksuale paraqet shumë vështirësi. Në rastet e tjera të dhunës, ne shohim se gjendja e familjes është ajo që kontribuon në dhunën ndaj fëmijëve. Mungesa e komunikimit me prindërit apo ndërmjet prindërve, mungesa e modeleve pozitive të prindërit, shpesh i çon prindërit drejt dhunës apo neglizhencës si një zgjidhje ndaj problemeve që ndeshin për mirërritjen e fëmijëve të tyre.

Cilat janë masat që janë marrë nga shteti për trajtimin e këtyre fëmijëve të dhunuar dhe/apo abuzuar?

Shumë pak për të mos thënë “asgjë”. Në nivel bashkie shohim se asnjë bashki nuk është e përgatitur për të trajtuar dhunën ndaj fëmijë dhe ofruar shërbime për ta. Sot asnjë bashki nuk ka shërbime për fëmijët që janë viktima të dhunës seksuale. Shërbime të tilla duhen ofruar jo vetëm në qendra, por edhe në familje e komunitet. Jemi ende shumë larg të ndërtimit të këtyre shërbimeve, sepse sidomos kryetarëve të bashkive u mungon ndërgjegjësimi i mjaftueshëm për të kuptuar pse janë të domosdoshme këto shërbime dhe pse ato duhet të ngrihen, të paktën të qytetet më të mëdha. Nga ana tjetër, shohim që qeveria qendrore ka më shumë interes për të modeluar disa shërbime në këtë drejtim dhe shpresoj që në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile të kemi së shpejti shërbimet më të domosdoshme për fëmijët.

Ju keni dorëzuar projektligjin për regjistrin kombëtar të pedofilëve. Mund të shpjegoni me konkretisht se çfarë përmban ky projektligj?

Projektligji sapo ka filluar të shqyrtohet në komisionet parlamentare të Kuvendit. Shpresa jonë ishte që ligji të kishte hyrë në fuqi para fundit të këtij viti. Sidoqoftë, duhet të gëzohemi që shumë shpejt do të ketë një regjistër kombëtar për të dënuarit që kryejnë krime seksuale. Qëllimi kryesor i këtij projektligji është së pari të ndalojë aksesin ë këtyre personave në mjedise ku ka persona vulnerabël, përfshi edhe fëmijët dhe së dyti, të vendosë një kontroll për lëvizjet e tyre në mënyrë që të parandalojë krimet seksuale të ardhshme. Punëdhënësit, qoftë publikë apo privatë do ta kenë detyrim ligjor që të mos punësojnë persona të tillë, të cilët mund të vendosin në rrezik jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, sidomos atyre më të pambrojturve. Unë mendoj se kjo ka për të qenë një ndër arritjet më të mëdha për mbrojtjen e fëmijëve, e cila më pas duhet shoqëruar me ndryshime të mëtejshme të Kodit Penal. Ligji forcon mbi të gjitha elementin parandalues ndaj disa prej krimeve, që sot raportohen ende shumë pak.

A duhet të ashpërsohet legjislacioni lidhur me dënimin e krimeve të tilla?

Nuk mendoj se legjislacioni shqiptar ka probleme në drejtim të ashpërsisë së dënimeve. Në fakt, problemi i tij kryesor sot është mungesa e disa veprave penale që në të gjitha vendet e BE-së janë të rregulluara me ligj prej kohësh. Unë shpresoj që me Kodin e ri Penal dhe reformën që po ndodh në drejtësi, të kemi mundësi të dënojmë çdo dhunues e abuzues të fëmijës, pavarësisht pozicionit dhe vendit që zë i akuzuari në shoqëri, ai të marrë dënimin e duhur.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.