KULTURË

“Coriolanus” në Teatrin Kombëtar, ndoshta një nga tragjeditë më të vështira të Shekspirit për t’u inskenuar

10:00 - 21.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Josif Papagjoni – Tragjedinë e Shekspirit “Koriolani” (Coriolanus) e pata lexuar diku nga viti 1970 kur isha student në Institutin e Lartë të Arteve; qe një kopje e daktilografuar në bibliotekë, nuk e di kush e kishte përkthyer. Më kishte mbetur në mendje qysh atëherë madhështia e këtij gjenerali romak, sanguiniteti i tij, krenaria dhe guximi. Dhe kaq. Një hero i përmasës gati mitike si një Skipion Afrikani. Ja ku vepra vjen tani e përkthyer nga Alqi Kristo, edhe një tragjedi më shumë nga Shekspiri për lexuesin dhe spektatorin shqiptar. Por ajo nuk do të mundësohej dot pa regjisorin Altin Basha, që e mori përsipër ta vinte në skenë. Është diçka e madhe, tablore, thuajse shtypëse, kur e mendon ta inskenosh. Një stërpeshë, me veprim e hapësirë thuajse në përmasa filmike, me beteja, shkundullime turmash me ushtarë e qytetarë, me masa të mëdha figurantësh, përleshje me shtiza e shpata, turma klithëse, hordhi. Ndoshta është nga tragjeditë më të vështira të Shekspirit për t’u inskenuar, paçka se në përgjithësi ato të tillat janë: masive, me shumë personazhe, që shkojnë në disa dhjetëra, pasuar nga masa njerëzore qytetëse, patricë, ushtarë etj. Por “Coriolanus” në Teatrin Kombëtar është, mbase, inskenimi më i vështirë nga pikëpamja e menaxhimit të masës së mbi 40 figurantëve dhe shndërrimit të saj në një “personazh”, në një “veprim energjik” të njësuar, që ndezullon konfliktin dhe i jep peshë e domethënie marrëdhënies së tensionuar hero-turmë. Ata (një grup të rinjsh) rreshtohen e bëjnë beteja me shpata, shtiza e mburoja, kacafyten, përgjaken. Doemos kishte plot pasaktësi në veprimet fizike të tyre, mund të përpunoheshin më mirë lëvizjet në dyluftimet me skermë, por unë nuk mund ta humbas sensin e masës dhe të kërkoj diçka si prej filmave të Hollivudit, ta zëmë. Jo! Jemi në Shqipëri dhe mundësitë që ne kemi njimend kaq janë. Dhe prandaj e vlerësoj posaçërisht këtë ndërmarrje të guximshme të Altinit dhe vetë Teatrit Kombëtar. Afërmendsh se shumëçka duhet pastruar, por ndërkohë e tëra e krijon mbresën e betejës a dyluftimit. Teatri operon me konvencionin, të mos harrojmë! Pikërisht kjo turmë, sipas meje, u kthye në personazhin më të rëndësishëm, thuajse qendror, të shfaqjes. Këtu mund të kem ndonjë kundërshtim që do ta them më vonë. Ndërkaq, vepra i bën nder dinjitetit të këtij teatri, pse jo për të qenë nesër e pranishme edhe në ballafaqimet me përvojat e afërta shekspiriane në Ballkan dhe Evropë. Para se të them diçka për aktorët, dëshiroj ta shënjoj këtë masë njerëzish si komponente themelore të mesazhit, i cili shenjohet si përqasje me kohën sot. Është ajo që më mbeti në sy më së pari. Dhe do doja ta këqyrja atë në disa rrafshe. Mbresa fillestare lidhet me “turmën”. Turma që keqpërdoret nga prijësit ambiciozë dhe kthehet në energji shkatërruese. Turma pa personalitet. Kompakte. Që të shtyp. Dhe kur turma të tilla ndezullohen, ato aty ngrenë dhe po aty rrëzojnë pushtete e pushtetarë, sidomos kur varfëria dhe uria shndërrohen në premisa rebelimi dhe vetëshkatërrimi. E paditur, e verbuar, e mjeruar, mbetur në varfëri, ajo nuk ka më arsye, e humbet kthjelltësinë dhe bie shpejt pre e tinëzive të prijësve të rremë, duke iu kundërvënë prijësve të sinqertë e fisnikë. Aty tërcëllon e po aty ikën me bishtin në shalë. Është kjo turmë, që e bie shfaqjen ca më shumë në ditët tona, në realitetin e fundmë shqiptar, kur jo rrallë liderë partish, djathtas apo majtas, e keqpërdorin atë, e nxitin, e tërbojnë, duke e shfrytëzuar për të realizuar qëllimet e tyre pushtetore; jo përmes arsyes, por përmes dhunës. Dikur kjo turmë në veprën e Shekspirit thërriste “grurë, grurë…”, ndërsa e konvertuar në mitingjet e sotme mund të thërras: “Duam bukë, më jepni një thes me miell, ca grosh, kush i vodhi ndihmat tona, duam punë, duam…”. Dhe politikanët populistë, prestigjatorë dhe hipnotizues të saj, e përdorin dhe e ripërdorin pa fund këtë turmë. Këta janë “kinsat” që vazhdojnë të na mjerojnë edhe sot. Pikërisht te kjo ide shfaqja i ikën historisë dhe vjen tek e sotmja, te hallet tona. Dhe prandaj klithmat dhe fjalimet e senatorëve dhe patricëve romakë (luajnë Hervin Çuli, Genci Fuga, Dritan Boriçi, Florian Agalliu) të kujtojnë liderucët partiakë e gjithfarë deputetësh shqiptarë në fushatat tona elektorale. Dhe në sy na përshfaqen gjithë ato ligjërime të ndezulluara nëpër tubime shesheve të qyteteve tona, gjithologët dhe analistët që si toreadorët e grishin këtë turmë, shpesh duke sulmuar institucionet e duke i djegur pa mend ato. Madje, edhe duke u përgjakur e vrarë diku. Andaj them me bindje se theksi që regjisori ka vënë te kjo ide, duke respektuar po aq kontekstin e tragjedisë, është një “lexim i ri” i tragjedisë duke e bërë më të rrokshëm mesazhin, e përditëson atë. Ndërkohë, teksa e perceptojë skenikisht atë turmë laragane të mjerësh në skenë, regjisori dhe kostumografja Iliriana Loxha Basha me veshjet e saj me poture turke, na sjellin ndërmend kryengritjen fshatare haxhiqamiliste me britmat “Dum Babën”, një turmë arkaike e frymëzuar nga modele të dështuara, që rreket ta kthejë pas historinë, sikundër të kujton edhe ndonjë politikan të kohës me snobizmin e vet. Nga shfaqja “Coriolanus”, aspak e lehtë për ta unifikuar në një zë e një gjuhë, erdhi e rreptë ideja e njeriut krenar, trim e dinjitar si Koriolani, ky gjeneral i paepur jo thjesht në shpatë, në krahun e fuqishëm dhe sheshin e luftës, por më së pari në shpirt, në karakter. Ky është heroi i adhuruar, ose thënë më saktë Heroi-Njeri. Ai është i drejtpërdrejtë, jo i kthinave. Trimëria dhe guximi janë superiore te njeriu, sidomos përballë turmave të paditura e të egërsuara, por superioriteti më i epërm i tij, që shënjon edhe madhështinë, është karakteri i paepur, është ndershmëria, është shpirti që njeh pendesën, thyerjen, është respekti për të afërmit, është dashuria. Gazmend Gjoka që e luajti Koriolanin theksoi pikërisht këtë stoicizëm prej udhëheqësi, por edhe prej njeriu, prej fisniku dhe prej biri të përulur ndaj nënës. Ai vendoset tri herë në kudhrën e provës: në fillim kundër turmës së egërsuar dhe të nxitur nga disa senatorë ambiciozë dhe tinëzarë, më pas kur i duhet të mërgojë jashtë Romës nga mosmirënjohja e kastës udhëheqëse dhe popullit që e shpëtoi, dhe herën e tretë përballë të ëmës, familjes dhe besnikëve të tij teksa i duhej ta fashiste mërinë e dikurshme të dëbimit për t’u hakmarrë ndaj pushtetit abuziv duke u ngritur mbi vetveten, mbi lëndimet që kishte marrë dhe mbi fyerjet që kishte pësuar. Në provën e parë Gazmendi mbërrin në një nga kulmet e lojës së tij dhe të krejt shfaqjes, teksa i klith në tërbimin turmës së verbër, që i ishte vënë kundër. Në dy të tjerat ai luajti dinjitarin, i rreptë ndaj fatit, qëndrestar i pathyeshëm, me një vetëpërmbajtje prej fisniku, në luhatjen dramatike për të zgjedhur kahun e duhur mes mërisë së përligjur të tij dhe arsyes për ta tejkaluar atë në dobi të së mirë, paqes, shpëtimit dhe mëshirës, kjo e fundit e kuptuar si virtyt. Doemos një përvuajtje më e shfaqshme psikologjike e brengës së tij, e dyzimit dhe luhatjesdo ta begatonte më tej figurën e krijuar. Në këtë epos tragjik ku prijësi fisnik, i ndershëm dhe krenar nuk kuptohet nga populli i vet dhe sfidohet nga kasta ambicioze e pushtetit, spërndritet ideja e flijës së pamerituar, martirizimi i njeriut fisnik që sjell një reflektim dhe pendesë të heshtur kolektive të të gjitha anëve të konfliktit, pasi respektohet pikërisht një shpirt i madh fisnik e i ndershëm, respektohet vullneti për të tejkaluar vetveten, mëritë dhe hakmarrjet vetjake për të rindërtuar paqen dhe mirëkuptimin. E mbushur me kolizion tragjik, regjisori Altin Basha e mban në përgjithësi lart tonimin zanor të lojës së aktorëve, me turrje dhe kërcënime të ndërsjella. Andaj dhe sheh më pak dialogë të trajtuar butë, diku-diku të ishin edhe në rrafshe bisedore, miqësore, intime e familjare. Them se një diagramë e tillë, nëse gjendeshin çastet e volitshme, do ta kthenin ca më shumë brengën e personazhit kah vetja si njeri. E megjithatë, regjisori ka ndërtuar disa ndërthurje të tilla. Dhe këtu do të kujtoja posaçërisht skenat e Koriolanit me të ëmën, me gruan dhe me mikun e vet. Në këto skena sjell energji dhe një karakter të rreptë Luiza Xhuvani në rolin e nënës, në skenën kur ajo i kërkon të birit të heq dorë nga pushtimi i Romës dhe vrasja e bashkatdhetarëve të tij. Pasioni dhe mëshimi i fjalës së mnishme prej saj si një nënë e rreptë, gërshetohet me tonet e buta e të arsyetuara në dialog, por pa e ulur trysninë e veprimit dhe gravitetin psikologjik të atij çasti. Ishte një aktrim në vazhdën më të mirë të saj: i pastër, dinjitoz, imponues, artistikisht i bukur. Po ashtu Viktor Zhusti, që na solli senatorin e mençur, urtanin e mbushur me logjikën historike dhe atë të jetës, mbrojtësin e së vërtetës, bindës në fjalën e tij, krahu i betuar i Koriolanit dhe bartës i të mirës. Një tjetër skenë që e “ekuilibron” disi tonin e lartë e të rreptë të shfaqjes ishte ajo e rojeve, ku tanimë toni është bisedor, madje edhe komik. Ata të kujtojnë “lolot” e njohur në tragjeditë e tjera të Shekspirit, çka sjell një farë freskie dhe shkarkim nga sizmiciteti i lartë i veprimit dhe përplasjeve tmerruese. Arben Derhemi në këtë grup rojesh mburravecë e pjesë e “grigjës” llomotitëse u dallua më shumë dhe e udhëhoqi mirë vijimisht dialogun, duke shkaktuar një farë çlirimi a “katarsisi” nga prania e toneve të larta, klithmat dhe britmat mes personazheve të kreshpëruar. Doja të vlerësoja edhe dy-tri çaste të përjetuara fort nga Helidon Fino dhe, ani pse jo kryesore, edhe lojën e Erjona Kakelit me shpërthimet në nja dy momente, ku nervozizmi përcillej falë edhe një petku sarkastik sipër. Fola pak më parë për kostumet dhe lavdërova kontekstin historik shqiptar dhe bashkëkohësisë, por nga ana tjetër, me atë larushi epokash, trajtimesh, m’u krijua përshtypja e një përzierjeje që humbte sens teksa bëheshin bashkë modele të Lindjes dhe të Perëndimit, poturet dhe kostumet prej romanësh apo kastave të mëvonshme të oborreve evropiane. Bëhej enkas një përzierje kohore siç bashkoheshin, për shembull, pantallonat qillota tip ushtarake të kohëve të mëvonshme me xhaketat e një tjetër kohe më të hershme, natyrisht të dyja jo romake. Sidoqoftë, m’u dukën të bukura veshjet e Koriolanit me disa prerje (kostumi i luftës, i shtetarit, i mërgimtarit dhe i vdekëtarit me bluzën e bardhë si simbol i të pastrës dhe qefinit); po kështu kostumi i nënës, i senatorit (V. Zhusti) dhe patricëve. Nga vlerat më të çmuara të shfaqjes ishte zgjidhja skenografike me kolonadat karakteristike të ngrehinave romane, kapitolit etj. Jo vetëm madhështi krijoi kjo zgjidhje, por edhe një “mobilitet” organik e funksional duke i radhitur ato në pozicione të ndryshme, bashkë a veç e veç, përballë a në diagonale, afër a në thellësi, çka ofruan mundësi për vizatime skenike të thyeshme, ritëm, mizanskenë të figurshme, siluetë, imazh. Edhe ai lapidar i Coriolanus-it, me truprojën e nderimit, duket se bashkon jo vetëm kohët lindje-vdekje të heroit, as vetëm kopertinën e shfaqjes fillim-mbarim, por edhe e sublimon bëmën humane duke e abstraguar atë si simbolin jo aq të trimërisë, heroizmit dhe flijimit, por të nderit. Ndërsa kolona zanore, krahas zhurmave të luftës dhe daulleve, më e gjetura ishte të kënduarit në kor të “turmës”, në një butësi, harmoni zërash dhe intonim të mirë, shpesh me atë pikëllim që lufta na jep teksa bijtë vriten. Do të doja, mbase, diku si sfond të vinin tinguj të tillë të trishtë, melankolikë, që na lëndojnë zemrat, për të krijuar, pra, paralelen e dytë krahas tonit të lartë e vrazhdësisë së britmës ardhur prej luftës: butësinë njerëzore, atë që e kemi brenda vetes në situata e pandehma vdekjesh.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.