KULTURË

Bariu i Onufrit në Skenën e Lindjes së Krishtit në Kishën e Shën Kollit në Shelcan

11:32 - 25.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Konstantinos Giakoumis[1] & Arjan Prifti[2] Arti kiishtar i Kishës katolike u shpreh më tepër me elementin logjik dhe njerëzor, sesa elementin mbinatyror dhe misterial të Lindjes së Krishtit, me të cilin ishte më e familjarizuar Lindja ortodokse. Për t’iu përgjigjur artit antropopatizues (me mbizotërim të trajtave njerëzore) të Perëndimit, tradita kishtare artistike ortodokse të periudhës osname u kthye nga modelet ikonografike të Rilindjes paleologe, që theksonin pikërisht elementët mbinatyrorë dhe misterialë. Një prej këtyre modeleve do të trajtojmë edhe këtu.




Në murin jugor të Kishës së Shën Kollit në Shelcan, Shpat, Elbasan, paraqitet një shfaqje e bukur e Krishtlindjeve me një detaje tepër interesante. Kisha është e pikturuar për herë të parë nga Onufri më 1547-50 dhe e mbipikturuar pjesërisht në të paktën dy faza të mëvonshme, në shek. XVII dhe XVIII. Paraqitja e Krishlindjeve ndodhet brenda në hieroren dhe përmban episode të standardizuara prej periudhës së fundit të Paleologëve, disa prej të cilave ishin të preferuara në artin Italian të Trecentos, Quatrocentos dhe Cinquecentos, të praktikuar prej piktorëve të mëdhenj të asaj kohe, si Bonaventura Belingheri, Cimabue, Giotto di Bondone, Giovanni Bellini, Antonio Vivarinin etj. Në Ballkanin perëndimor gjatë periudhes së parë osmane arti Italian i fundit të mesjetës pati një ndikim të qëndrueshëm. Në grupin e artistëve me ndikime të tilla përfhsihet edhe piktori ikonograf Onufri, ndikim i cili çoi në zhvillimin e një stili personal në frymën e sinkretizmit të artit venecian me pikturën në frymën e traditës bizantine. Por në veprën e tij gjejmë të gjitha cilësitë e artit paleolog të kombinuara me preferencat eklektike të Shkollës Kretase të fundit të shek. XV deri në mesin e shek. XVI.

Skena e Lindjes së Krishtit, që do të trajtojmë këtu, është pjesë e tregimeve biblike, dhe bazohet tek rëfimi i Ungjillit, sipas Mat. 2; 1-20 dhe Luk. 2; 1-17. Në shtesë të rrëfimit që bëhet nga Ungjilli, ky tregim ka edhe detaje të marra nga tradita apokrife, në veçanti nga Protoungjilli i Jakovit.  Kompozimi i Lindjes së Krishtit është rreth pikës qendrore të djepit, e ndriçuar nga drita nga qielli dhe ylli, në një seri prej gati gjashtë episodesh, të pavarur, por të lidhur së bashku në bazë të formave dhe ngjyrave të alternuara të shkëmbinjve në malin e Bethlehemit. Në hyrje tepërt të errët të shpellës, në pjesën mbi të cilën bashkohen shkëmbinjtë e pjerrët, prezantohet Jezusi foshnje e mbështjellë në një djep të endur që të jepe idenë e një shporte. Ndërsa mbas grazhdit, rrethuar nga tonet e errëta që japin thellësinë (perspektivën) e shpellës (megjithëse piktura këtu është tepër e dëmtuar), evidentohet prezenca e dy kafshëve (të një kau dhe një gomari), referenca e të cilave është profecia e Isaiut: “Kau e njeh pronarin e tij, edhe gomari grazhdin e pronarit të tij. Por, Izraeli nuk do ta kuptojë se kujt i takon”. Grupi qëndror përbëhet prej shpellës, grazhdit me Krishtin e vogël, me kafshët që ngrohin Krishtin e vogël me frymën e tyre (Apokrif).

Në një zonë më të sheshtë shkëmbore, Virgjëresha rri e shtrirë mbi një kuvertë të kuqe në formë ovale me kokën e anuar në të djathtë nga fëmija dhe të mbështetur në njërën dorë. Në të njëjtën kohë, preferencat e marra nga modelet paleoloe dhe perëndimore, të tilla si djepi i endjes së shportës dhe teknika e ekzekutuar në grisaille, një teknikë e preferuar e piktorit, një përfaqësim i ‘një ushtri qiellore që lavdëron Perëndinë, të cilët gjenden në të majtë në pjesën e sipërme (ku skena është tepër e dëmtuar), të cilët gjithashtu shfaqen dhe në vepra të tjera të këtij piktori eklektik, konfirmojnë njohuritë e tij për më herët dhe modele bashkëkohore. Në pjesën e sipërme të ikonës gati në bordurat e saj lineare është pikturuar një gjysëm ylli i cili zbret drejtpërdrejt nga qielli në qendër të shpellës drejt figurës së Foshnjës Hyjnore. Ndërsa në të djathtë, mbi shpellë, një engjëll me krahë të ngritur, një shenjë e mbërritjes, i sjell lajmin e gëzuar bariut të ri, të ulur në një shkëmb të ulët me një fyell në duar…? Në të njëjtën kohë, grupi i mbretërve (Magët), të cilët vijnë nga Orienti i largët, mbërritën në Jeruzalem me shpurën e tyre madhështore dhe kërkuan të shikonin mbretin që po lindte për ta nderuar. Të mësuar nga orakujt dhe profetët e vjetër, magët u kujtuan atëherë për profecinë e thënë dikur për Izraelin nga mbreti Moab, Balakut:  “Unë shikoj, por jo tani” – thoshtë ai – “unë e lavdëroj, po jo nga afër: një yll po ngrihet nga Jakovi dhe një njeri (një skeptër mbretëror) ngrihet nga populli i Izraelit” (Numrat 24: 17).

Grupi e mbretërve mjeshtri Onufri e paraqet të tërin me ngjyra të theksuara: mantelet janë pikturuar me cinabër ose me bordo të zbutur me theksime të bardha. Ata mbajnë në duar dhurata: kutia me temjan, mirë dhe ar, krejt të praruara. Fermanët dhe çallmat apo shallet në kokën e të gjithëve janë punuar nën tonalitetet e një cinabari të theksuar. Ky është grupi më i bukur nga shprehja dhe eleganca e punimit, fytyrat, lëvizjet e kokëve, pozicioni i kokës në qafë janë punuar me shumë art. Përdorimi i të kuqes prej cinabari në të gjithë skenën si dhe në fytyrat e personazheve është tepër i theksuar në ikonë, ndërsa dritat janë bërë me ngjyrë të derdhur, tepër të theksuar. Figurat e dobëta, me ngjyrë të errët, kujdesi dhe kompetenca e madhe e treguar në ekzekutim, përbërja e pjekur dhe tonet e pasura me ngjyra tradhtojnë dorën e piktorit Onufri.

Në regjistrin e poshtëm të freskut është paraqitur me mjeshtëri figura shprehëse e Josifit: ai qëndron i zhytur në mendime të thella; ai është i vrenjtur dhe madje mund të themi i mërzitur; sipas apokrifit atë e mundon dyshimi mbi fajsinë e Shën Mërisë. Figura e tij është plastike, e paraqitur në reliev, e gjallë. Rasti i bariut me susak pranë Josifit në paraqitjen e Lindjes së Krishtit nga Onufri është karakteristik (Fig. 1-3). Asnjë nga manualet e njohura të pikturës kishtare nuk përmban detaje për paraqitjen e Lindjes së Krishtit (Dionysios 1900, 89; cf. Vapheiadis 2017), rrjedhimisht as për paraqitjen, veshjen dhe sendet që bariu mbartte. E dykuptimshme, është edhe vetë simbolika e bariut që nga periudha paleologe dhe shek. XIV (Vokotopoulos 1962, 190), e mirë apo e keqe. Bariu i kishës e Shën Kollit në Shelcan (1547-50) paraqitet në pjesën e poshtme dhe djathtas të skenës, para Josifit të vrenjtur dhe të hutuar, të ulur me kurriz te Shën Maria (Fig. 3 dhe 4). Si Josifi, ashtu edhe bariu mbart një bastun, i cili në pjesën e sipërme paraqitet me degë dhe gjethe të vogla. Bastuni i bariut i referohet qartazi traditës së vjetër, mbase nga pjesat e humbura të ungjijve apokrifale (të fshehtë), sipas së cilës para Josifit u paraqit djalli në formë bariu Tirsus (gq. Thyrsos); Tirsus-i ishte emri i shkopit të Dionisus-it, i cili, me simbolikën e tij fallike, përdorej nga satire dhe bakhusantë (Lanzi & Lanzi 2003, 40). Sipas së njëjtes traditë, Josifi, në mëdyshet e veta, kishte pyetur, sipas himnit të Sofronit, patrikut të Jerusalemit (lindur 580 p.Kr.), që këndohet në Orën I të shërbesës së Krishtlindjeve: “Kështu i thotë Josifi Virgjereshës:

Maria, ç’është kjo dramë që po shikoj te ty? Kam pyetje dhe habitem dhe çuditem në trutë. Largohu shpejt tani prej meje. Maria, ç’është kjo dramë që po shikoj te ty? Në vend të nderit [më solle] turp; në vend të gëzimit [më solle] trishtim; në vend të vlerësimit më solle akuza. Nuk mbaj më përçmimin e njerëzve. Se të mora të paprekur nga priftërinjtë e tempullit dhe ç’është kjo që po shoh? (krhs. Ligji i përtërirë, 20:3)

Prania e djallit në ngjarjen e lindjes së Krishtit dëshmohet edhe te burime kishtare. Te Zbulesat (12:1-5), ku djalli paraqitet si dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, ndërsa në një fali të tij mbi Lindjen e Krishtit, Shën Joan Gojarti thekson se “Sot Krishti [u lind] te grazhdi, ndërsa djalli u mashtrua.” Bariu-djall mundohet të ngacmojë Josifin duke i thënë se sa është e mundur për një plak si ai të bejë fëmijë dhe një virgjër mund të lindë, aq e mundur është edhe bastuni i tij të nxjerrë lule, fjalë që justifikonin “turbullim mendimesh” (Stanza VI i Himnit Akathist). Sipas traditës, në momentin që i tha kështu, shkopi I thatë çeli gjethe dhe lule (Evdokimov 1989), duke përmbushur me këtë mënyrë himnin që cilëson Krishtin si “shkop nga rrënja e Jesseut” (Zbritësorja IV e Krishtlindjeve). Me siguri Josifi e dinte që paraardhësi i tij i Dhjates së Vjetër e shmangu djallin e kurvërisë përmes largimit (Gregori i Nisës 1858, 436), gje që i shtonte dyshimin. Bastuni i bariut me degë dhe gjethe përmban pikërisht gjithë këtë sfond teologjik dhe njerëzor, pa të cilin është e pamundur të kuptohet absurditeti i bastunit të një bariu me degë dhe gjethe. Te kisha e Shën Premtes në Valësh, 1553/4 (Fig. 4) figura e bariut nuk është më figura djallëzore e bariut të mëparshëm, por merr formën e profetit Isaija me shkopin si simbol të Krishtit (Mikea 7:14, Isaia 11:4, Hebr. 1:8).

Paraqitja me detajet tregojnë shumë për piktorin. Skena përbën dëshmi të nivelit shumë të lartë arsimor dhe teologjik të piktorit tonë të madh, i cili cilësohet nga studiues vendës dhe të huaj si një nga piktorët më të arrirë të periudhës së tij, me karierë që shtrihej në gjithë territorin e Kryepeshkopatës së Ohrid (sot në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni), madje e gjër në Venedik dhe Itali.

Fig. 1: Onufri, Lindja e Krishtit, afresk, 1547-1550, muri jugor, Shën Kolli në Shelcan.

Fig. 2: Onufri, Lindja e Krishtit, afresk, 1547-1550, muri jugor, Shën Kolli në Shelcan (detaje).

Fig. 3: Onufri, Lindja e Krishtit, skicë e afreskut i viteve 1547-1550, muri jugor, Shën Kolli në Shelcan (detaje) nga Arjan Prifti, 2021.

Fig. 4: Onufri, Lindja e Krishtit, afresk, 1553-1554, muri jugor, Shën Parashqevi në Valësh.

[1] Konstantinos Giakoumis është Profesor i Asociuar i Historisë, Arteve Pamore dhe Metodikë pranë Kolegjit Universitar LOGOS.

[2] Z. Arjan Prifti është drejtor i Muzeut Kombëtar ‘ONUFRI’ në Berat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.