KULTURË

Të sjellësh kohë dhe të paralajmërosh…

10:01 - 29.12.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në Kosovë del romani “Funerali i pafundmë” i Visar Zhitit




“Botimet Koha” sjellin një roman të pazakontë, i nxjerrë nga e harruara, “Funerali i pafundmë”. Roman i shkruar nga Visar Zhiti për një funeral sureal, që ngërthen metafora historike, rrëfime tragjikomike, cinike e groteske, që të gjitha në funksion të luftimit të diktaturës nëpërmjet letërsisë. Me një stil jashtë të zakonshmes, Zhiti shkrin gjithë talentin lirik për ta sjellë një roman shumë të veçantë. Kështu shkruan në lajmin e vet enti “Botimet Koha” në Prishtinë në publikimin që i bën romanit “Funerali i pafundmë” të shkrimtarit Visar Zhiti. Ky roman del në kohë pandemie dhe i bën jehonë të zymtë edhe pandemisë, por asaj ideologjike. Romani është një përballje letrare me diktaturat, cilado qofshin dhe ngado që mund të vijnë. Pas botimit të parë në Tiranë, nga “Omsca-1” 2003, romani u botua dhe në Itali me përkthim nga prof. Elio Miracco. Më pas doli dhe në Rumani, me përkthim të dr. Luan Topçiut. Botimi i tij i dytë vitin që shkoi, pati disa shtesa, me të cilat doli së fundmi në Prishtinë. Ndërkaq, romani është në proces pune për botim edhe në gjuhë të tjera. Kritika vendase dhe e huaj e sheh “Funeralin e pafundmë” si vepër postkafkiane dhe postmoderniste. Po rendisim disa pjesë prej tyre, nga shkrimtarë dhe kritikë letrarë.

Një rrëfim për ecjen në askund

Nga Aliu Aliu

Kritik arti, Kosovë

“Është porosi dhe paralajmërim, është rrëfimi për ecjen askund të një kohe, të një hapësire, të një rrethi, të një shoqërie, të një kolektiviteti, që s’di prej ku është nisur dhe pse është nisur dhe, më tragjikja akoma, që s’di për ku udhëton në formën e një funerali, pse udhëton dhe kë përcjell. Lexuesi në fund pyet: Pse gjithë ky trishtim, sikur të paskësh qenë paluar nëpër shekuj, e për t’u shpaluar pastaj në faqet e romanit “Funerali i pafundmë”? Dhe na vjen vazhdimisht të pyetemi: Ç’është gjithë ky vizion tragjik, përmasash apokaliptike? Ëndërr, parandjenje e paralajmërim, lojë e imagjinatës buzë humnere, të imagjinatës që pluskon dhe depërton përtej të imagjinueshmes”?

Nga dr. Gëzim Alpion, Universiteti i Birminghamit, Mbretëria e Bashkuar.

“Po qe se akoma nuk e keni lexuar romanin e Visar Zhitit ‘Funerali i pafundmë’, nxitoni të gjeni një kopje. Po qe se libri nuk është më në qarkullim, i shkruani botuesit menjëherë që të botojë kopje të tjera, mundësisht sa më shumë. Po qe se ribotimi do të marr kohë, më shkruani që t’ju dërgoj kopjen time. Sa më herët që ta lexoni këtë vepër, aq më shumë do të përfitoni. Si çdo vepër me vlerë, ky roman iu ofron lexuesve një trajtim terapik, që do t’i ndihmojë ata ta njohin vetveten ndoshta më tepër se nga çdo libër tjetër që kanë lexuar deri tani. Si një Froid letrar, Zhiti e drejton lexuesin me mjeshtëri, simpati, por disa herë edhe me insistim në turneun e vështirë nëpër labirintet e errëta të koshiencës dhe subkoshiencës. Me Zhitin, letërsia shqiptare ka gjetur një stil të ri rrëfimi që u përsos nga James Joyce dhe Virginia Woolf. Zhiti ka shkruar një vepër origjinale sa moderniste po aq edhe postmoderniste për nga konceptimi dhe ekzekutimi artistik si dhe mesazhi filozofik. Ky roman mund të krahasohet denjësisht me disa nga veprat më të mira të autorëve si Kafka, Orwell, Salinger, Heller dhe Solzhenitsi. Duke pasur parasysh historinë e romanit shqiptar, ‘Funerali i pafundmë’ është një arritje për letërsinë dhe kulturën shqiptare”.

Në Itali, valle e çmendur ferri

Nga prof. Elio Miracco

“Visar Zhiti ndërton një mozaik marramendës, ku duket se janë vënë të gjitha me ngjyrat e ndjenjave: dhembja dhe ironia, seksi dhe ëndrra, vuajtja dhe bukuria, gjëmimet e luftërave në Ballkan dhe fantazmat, realja e përzier me jorealen duke u bërë më reale, përditshmëria e shpërndarë nëpër kohë, me një denduri dhe harmoni që e arrijnë vetëm mjeshtrit”.

Nga Davide Brullo

“Funerali i pafundmё”, roman i jashtëzakonshёm, qё kashtis ankthin uajtnian tё kёngёs me marramendjet e Mario Luzit. Nё fakt, romani-poemë nё 66 odat e tij kundёr – Nerude, ёshtё varrimi, 100 vjet mbas Revolucionit rus, tё “mendimit tё njehsuar” (nga ana tjetёr, “tё mendosh ndryshe tё ndёrlikohet jeta”), tё shtetit si “varrmihёs”, tё diktatorit si proletariati i bashkuar. (“Nё vdekjen e diktatorit mbretёron njё hije e rёndё nё tё gjithё shtetin dhe njё angёshti, duket sikur ka vdekur edhe vendi. A do tё gjendet mё njё tjetёr shtypёs kaq i suksesshёm”?) Nё kёtё valle tё çmendur ferri megjithatё shpёrthen dashuria epshore (‘Qё njё ditё do tё vdisja, e dinja, por qё tё bёnja dashuri nё njё funeral, nuk m’a ka marrё mendja kurrё), madje nё formё piramidale’. Megjithёse i prashitur nga pushteti, poeti gjithnjë ulurin ‘po’-nё e tij mizore jetёs.

Nga Alessandro Zaccuri

“Ёshtё njё valle e veçantё vdekёsore, ajo qё poeti shqiptar  Visar Zhiti vё nё skenё nё kёtё ‘Funeral tё pafundmё’, i pёrkthyer mrekullisht nga Elio Miracco nё njё italishte qё ruan ashpёrsinё dhe guximin e sprovёs sё origjinalit: kapërcimet e papritura qё ngrenё krye nga njё kapitull nё tjetrin, qё pёrmblidhen nё epigrame dhe rrokullisje dramatike, njё faqe e bardhё pёr tё lёnё tё kuptohet se pragu i tё pathёnёshmes ёshtё arritur. I konceptuar si alegoria e totalitarizmit, ‘Funerali i pafundmё’ kthehet nё njё pёrsiatje mё tё gjerё mbi gjendjen njerёzore, ndёrmjet instinktit tё mbijetesёs dhe fatit tё pёrbashkёt: ‘Ne i pёrkasim tё gjithё vdekjes e mbi tё gjitha nё njё funeral’, shkruan Zhiti, duke bёrё tё depёrtojnё nё bashkёkohёsinё fjalёt e dashura tё Etёrve tё shkretёtirёs”.

 

Porosi evolutive me vlera universale

 

Nga dr. Viktor Marko Solomon

Izrael

“Funerali është një dekodifikim jashtëzakonisht simbolik i një procesi që fillon atje ku fillon edhe vetë historia e jetës dhe vazhdon pambarimisht, i pasuruar me cilësitë, karakteristikat, vlerat dhe vetë domethënien e ekzistencës së saj. Vetëm një operacion i mirëkuruar ermeneutik në planin psiko-antropo-sociologjik mund të zbërthejë jo vetëm simbolikën e fuqishme prehomerike të ‘Funeralit’ të Zhitit, por edhe pasurinë gjuhësore aq të favorizuar nga shqipja në të cilën romani është shkruar. Funerali sureal që përshkruan Zhiti përballon temën më shumë se aktuale të konfliktit vetvete–ego, që dominon shoqërinë e sotme postmoderne, temën e domosdoshmërisë së shembjes së skemave të konsoliduara antropologjike, që i japin njeriut të sotëm disa përsigurime, por jo siguri të vërtetë.

 

Në Rumani, një eveniment kulturor

Nga dr. Luan Topçiu

“Romani ‘Funerali i pafundmë’ popullohet jo nga karaktere, por nga personazhet-maska, personazhet zëra ose thjesht personazhet hije të paforma që krijojnë kortezhin e pafund. Funerali është torturë e ngadaltë shumëvjeçare, gjë e shton dramacitetin dhe jo rroposje e beftë. Ky kortezh i pandemive ideologjike shkon paralelisht me pandeminë COVID-19. Është marshimi i shumicës drejt një varri të nevojshëm, duke mbajtur një arkëmort enigmatik që nuk mbërrin në asnjë destinacion. Poeti i madh rumun Cezar Ivanescu lexoi dorëshkrimin e këtij romani, duke e përshkruar shkrimtarin Visar Zhiti si ‘një shkrimtar origjinal me forcë të madhe dhe dramatizëm të rrallë’”.

Nga Aurel Maria Baros

“Libri i Visar Zhitit, ‘Funerali i pafundmë’ është një epope e vërtetë e kalvarit të një shoqërie që i është nënshtruar ‘një marshi funebër’ diktatorial, drejt një ideali të sëmurë. Në thelb, një histori e rëndë, por plotësisht reale, një histori e marshimit te verbër, një histori përberë prej evenimentesh domethënëse, tragjike dhe tragjikomike, një metaforë e jashtëzakonshme e ‘turmës’, e tërhequr në mënyrë obsesive ne një rrugë që nuk gjen fundin. Ne tekstin e Zhitit, siç sugjeruam më lart, bashkekzistojnë lumturisht, me domethënie të thella, sekuenca të tmerrit dhe poezisë së ndjeshme, komikja me absurdin, grotesku dhe meditimi serioz, patetizmi dhe fatalizmi më gjunjëzues. ‘Funerali i pafundmë’ i autorit të talentuar dhe të thellë, Visar Zhiti, duke u publikuar në Rumani, përbën një eveniment të vërtetë kulturor”.

Nga Liviu Lungu

“Përmes një gjetjeje krejt origjinale, arrin t’i induktojë lexuesit hidhërimin, grinë dhe tmerrin e një intelektuali në fundin e mijëvjeçarit të dytë. Teksti, relativisht i shkurtër: kujtime, memento, metaforë me referime historike të qarta, historia e drejtuar dhe përmes metaforash, rrëfime me thekse tragjikomike dhe vende-vende, cinike, groteske, që dëshmon thellësi dhe frymë fine vëzhgimi, seri obsedante me ndodhi nga të cilat bien në sy disa, përsosmërisht të integruara, nga një lirikë e shkëlqyer”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.