Intervista

INTERVISTA Ekskluzive/ Vendimi, Pampuri: Edhe në PS do të ketë persona “non grata”

10:00 - 05.01.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Orjola Pampuri nuk e kishte menduar asnjëherë se PD-ja do të përjetonte aktualisht situatën kaotike dhe ndasinë e madhe, por ajo beson se është periudhë kalimtare dhe se zgjidhja është bashkimi i demokratëve. Deputetja e qarkut të Tiranës thotë për “Gazeta Shqiptare” se vetë ajo është pjesë e PD-së zyrtare me atë kryetar, që sipas saj, u zgjodh pa kontestime për 4 vitet e ardhshme. Lidhur me afatin e vendosur sot për Lulzim Bashën që të dorëzojë detyrën, Ojlola Pampuri shprehet se “kryetari nuk mund të ikë sa herë që ka pakënaqësi personale”. Anëtarja e kryesisë së PD-së flet për aksionin e opozitës, teksa shpreh keqardhjen se prej 4 muajsh u harrua kundërshtari politik, Edi Rama. Orjola Pampuri paralajmëron se do të ketë edhe personazhe të tjerë “non grata” edhe nga Partia Socialiste. Anëtarja e kryesisë së PD-së apelon se duhet vijuar beteja me kundërshtarin e vetëm politik, PS-në dhe Edi Ramën.




Zj.Pampuri, këtë herë PD-së i duhet uruar vërtetë për një vit të mbarë, apo jo…?

Vit i mbarë mbi të gjitha për shqiptarët, e ardhmja e të cilëve vlen mbi gjithçka, mbi çdo debat, pakënaqësi apo interes personal të kujtdo. Sigurisht që vlen të urojmë që të nisim një vit me plot sfida si një parti kompakte dhe me synim të qartë, luftë kundër korrupsionit dhe të korruptuarve, duke denoncuar çdo aferë të kësaj qeverie, e cila përdori çdo mekanizëm të blerjes dhe tjetërsimit të votës për të ardhur në pushtet, nga administrata, te paratë e tërmetit, lejet e ndërtimit, legalizimet e çdo formë tjetër mashtrimi.

Partia Demokratike kaloi një vit i vështirë, por çfarë e pret përgjatë vitit që sapo filloi?

Pa diskutim nuk mund ta fshehim që ishte një vit i vështirë. Ajo që na pret është baza. Takime më të shpeshta me anëtarësinë dhe sigurisht, opozitë e fortë përballë kësaj qeverie të korruptuar. Afera e inceneratorëve sapo ka filluar të trazojë situatën e sigurisht nuk mund të konsiderohet Lefter Koka koka e kësaj afere, të tjerë personazhe të rëndësishëm politikë janë përfshirë. Denoncimi nga Partia Demokratike i aferës së inceneratorëve, si dhe aferave të tjera korruptive, vijimi i denoncimeve mbi korrupsionin që është përfshirë kjo mazhorancë është obligimi kryesor i opozitës.

Megjithatë, duket se sprova e parë e këtij viti për PD-në është pikërisht data 5 janar. Kryetarit Lulzim Basha i është lënë si afat kjo datë për dorëzimin e detyrës, në të kundër më datë 8 janar vendos anëtarësia e partisë përmes një proteste paqësore në selinë e PD-së. Konkretisht, çfarë do të ndodhë sot?

Tani këto afatet në emër të anëtarësisë, se kështu i pëlqen njërit apo tjetrit, më duken totalisht qesharake. Forca, kërcënimi, shantazhi, dhuna, thyerja e dyerve, besoj nuk janë zgjidhja. Çdo institucion ka rregulla të shkruara e të pashkruara. PD-ja ka një statut, në bazë të të cilit kryetari zgjidhet një herë në 4 vite me “një anëtar, një votë” dhe kjo gjë ndodhi, zgjedhjet u bënë, u mblodh kuvendi, zgjodhi Këshillin Kombëtar, ky i fundit zgjodhi me votë të hapur dhe me votë të fshehur kryesinë, pra çdo procedurë vijoi në bazë të statutit. Sigurisht, nuk mund të rikthehemi sa herë kemi pakënaqësi personale e të kërkojmë largimin e kryetarit të partisë. Kjo është absurde. Nga ana tjetër, as nuk mund të mendohet që të pushtohet një institucion e të përdorësh në përballje për inate personale. Unë jam e bindur që shqiptarët sot duan largimin e Edi Ramës, duan punë, duan më shumë të ardhura për të përballuar jetesën e nuk mund të pranojnë kurrsesi të përdoren për interesat e njërit apo tjetrit.

Ju jeni një ndër mbështetëset e z.Basha, por pse u krijua kjo ndasi e madhe mes demokratëve?

Unë jam në Partinë Demokratike zyrtare dhe këtë e kam thënë që ditën e parë që ndodhi e gjitha kjo situatë. Kam ardhur në PD si person me një karrierë të konsoliduar profesionale, isha personazh publik, pra jo e panjohur publikisht, por sigurisht e njohur për profesionin tim dhe mbi të gjitha, me bindje të djathta. E bindur për të nisur e vijuar një karrierë politike në partinë për të cilën e gjithë familja ime dha maksimumin e mbështetjes. Nuk e kisha menduar kurrë që situata do të shkonte kështu. Megjithatë, unë mendoj që sot prioritet është e ardhmja e Shqipërisë dhe asgjë tjetër. Unë kam zgjedhur të qëndroj në PD-në zyrtare, në atë PD, të cilën e votuam para 30 vitesh dhe sigurisht me atë kryetar që u zgjodh pa kontestime, për 4 vitet e ardhshme.

Sa e thellë është aktualisht kriza në Partinë Demokratike?

Nuk mund të themi që e gjitha kjo nuk është asgjë, por nga ana tjetër, nuk mund të mbetemi peng i kësaj situate, e cila me apo pa dashje ka marrë vëmendjen kryesore, ndërkohë nuk kuptoj pse duhet të zhvendoset vëmendja nga shkaktari kryesor i krizës në këtë vend. Varfëri, abuzime, korrupsion, mungesë shprese nuk erdhën për shkak të Lulzim Bashës, por të Edi Ramës. Ky i fundit është kundërshtari ynë politik dhe kjo ka 4 muaj që është harruar. PD-ja ka njohur edhe më parë largime. Janë larguar, janë rikthyer përsëri, por qytetarëve si do u shkojë halli, se ata presin nga ne e ne merremi me njëri-tjetrin?! Duke përçarë demokratët nuk bën asgjë tjetër veçse ndihmon Ramën dhe thellon krizën e varfërinë në çdo familje shqiptare.

Çfarë e zgjidh situatën konfliktuale në parti?

Situatën e zgjidh bashkimi i demokratëve, beteja politike përballë të vetmit kundërshtar politik, Edi Ramës dhe qeverisjes së tij. Të shohim përpara është e vetmja mundësi për të qenë krah qytetarëve.

A është një zgjidhje largimi si i Lulzim Bashës, po ashtu edhe i Sali Berishës dhe marrja e drejtimit të PD-së nga një figurë e tretë, e cila të mund të distancohet nga të dy?

Lulzim Basha u zgjodh për 4 vitet e ardhshme me “një anëtar, një votë” pa kontestime, ndërsa dr. Berisha pas shpalljes “non grata” mori përsipër që nuk do ta përfshinte Partinë Demokratike në këtë çështje. Deri këtu gjithçka ishte brenda një rrjedhe logjike.

Ju keni pasur një debat të fortë me kryetaren e LDGSH-së, Albana Vokshin, derisa e denoncuat se ju ka vënë kundër gratë e forumit, duke bërë komente fyese edhe në “Facebook”. Pse ky konflikt mes zonjave të PD-së?

Në fakt reagimi im nuk mund të jetë personal, për aq kohë sa unë jam pjesë e kryesisë, e grupit parlamentar dhe zëdhënëse e grupit parlamentar. Ishte një qëndrim zyrtar, korrekt, pa fyerje, ku sigurisht mund të kishte vend edhe për përgjigje po aq zyrtare. Është shumë e ulët që zonjat të linçojnë zonjat, të shpifin, të fyejnë dhe të jem e sinqertë më ka ardhur keq për to, sepse në fund të fundit secili tregon veten, kulturën, qytetarinë nga mënyra se si komunikon, bashkëvepron dhe reagon. Gjithsesi, unë kam qenë e do të jem gjithnjë e mendimit që brenda një force politike përgjegjësitë duhet të ndahen, përqendrimi i 3 apo 4 përgjegjësive në një person të vetëm nxit pakënaqësi. Në një grupim politik përgjegjësitë duhet të ndahen, pse jo edhe në bazë të aftësive profesionale të secilit. Dhe një pikë tjetër e rëndësishme është gara. Nuk mund të mbash peng një pozicion pa garë, vetëm për arsyen e vetme që duan që ti të jesh aty.

Sa e rëndë është për një parti kur brenda saj shpallen “non grata”?

Patjetër që është e rëndë. Ne jemi partia që kemi trumbetuar që askush “non grata” nuk mund të qëndrojë në parlament. I kemi përdorur emrat e tyre në fushatë për të treguar se sa i korruptuar ishte kundërshtari dhe kur të ndodhë brenda në familjen politike, pa diskutim që është e rëndë.

A mund të ketë persona “non grata” edhe në radhët e PS-së?

Përgjatë të gjithë kësaj interviste kam përmendur korrupsionin që është përfshirë kjo qeveri dhe pa diskutim, sikurse e kemi dëgjuar shpesh të artikulohet, do të kemi edhe personazhe të tjerë “non grata” dhe nga Partia Socialiste.

A do t’i mbajë PD-ja shpresat te SHBA-të për rikthimin në pushtet, apo do të mobilizohet për një opozitë të fortë?

SHBA-të janë aleatët tanë të padiskutueshëm strategjikë. Pa diskutim që do të mobilizohet, madje që në ditët në vijim të rinisim punën në terren, opozitën e fortë në parlament, denoncimet e të gjitha aferave korruptive. Me një opozitë të fortë, me besimin dhe mbështetjen e anëtarësisë, si dhe me një aleate të jashtëzakonshme si SHBA-të, sigurisht që e ardhmja për shqiptarët do të jetë ndryshe.

A besoni se fitorja tashmë do të jetë më e vështirë pas ndarjes së PD-së?

Kjo është një periudhë kalimtare. Unë besoj që shqiptarët e dinë çfarë është më e mira për ta. Shqiptarët dinë të bashkohen për kauza të mëdha dhe e ardhmja e Shqipërisë, largimi i Edi Ramës është kauza kryesore.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.