Kryesore

Libër i veçantë me vlera elitare!

10:54 - 11.01.22 Dr. Jorgji KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nëntorin e kaluar  u promovua botimi më i ri i Prof.Dr. Ksenofon Krisafit «  Kontribute në shkencën dhe diplomacinë shqiptare » Një libër disi ndryshe nga të mëparshmit, për vetë emërtimin, tematikën historike dhe aktuale, katalogun e larmishëm dhe gjeografinë planetare, me një galeri të pasur emrash dhe personalitetesh të ndritura të shkencës dhe diplomacisë sonë.




Libri përmban 24 shkrime, që janë kryesisht parathënie, referate dhe prezantime të veprave të këtyre personaliteteve dhe të tjerëve që përmenden më poshtë. Eshtë e pamundur që në një shkrim si ky të bëhet një analizë, ca më pak shteruese e këtyre shkrimeve. Në fakt, kjo ka nisur në ceremoninë e promovimit të librit nga disa personalitete të larta të fushës  dhe me parathënien e gjetur të  Arben ( Albert) Lenja, një sintezë e plotë, një « aperitiv» dhe ftesë për të lexuar këtë libër interesant me  një stil të thjeshtë, që të thith e nuk të len pa vazhduar më tej, siç janë dhe botimet e  mëparshme të Prof.Dr. Krisafit, të kapshme dhe për publikun e thjeshtë. Ndaj, më poshtë po përqëndrohemi, me aq sa e lejon vendi, në veçoritë dalluese  të këtij botimi prestigjioz, bashkë me aktorët dhe faktorët  ndikues.

Ky libër është i veçantë, sepse merr spunto dhe zhvillohet duke iu referuar veprave madhore të disa « mega divëve » tanë  të dijes dhe mendimit shumëplanësh,  protagonistëve dhe ekspertëve të tjerë  me ndihmesë të konsiderueshme në këto fusha. Mjafton të përmenden emra të tillë tingëllues dhe s’ka nevojë për koment – diplomatin dhe akademikun e shquar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare me mbi 10 botime monumentale, Arben Puto; këtë radhë  analizohet vepra e tij «  Pavarësia Shqiptare dhe diplomacia e fuqive të mëdha 1912 – 1914 »; në vijim punimi madhor «  Çështja e pakicave kombëtare dhe Shqipëria » e korifeut tjetër të jurisprudencës sonë, ish drejtues i Akademisë së Shkencave dhe Përfaqësuesi ynë në Komisionin e Venecies, Prof.Dr.Luan Omari » Së bashku me vlerësimet më të larta për albanologët dhe historianët emblematikë, Aleks Buda, Kristo Frashëri dhe Stefanaq Pollo.

Veçoria tjetër dalluese  është se në këtë libër, Prof. Krisafi nuk flet e shkruan si opinionist, referues apo dhe oponent, por shumë më gjerë se aq. Në radhë të parë, ai pohon se është privilegj i madh dhe me përulësi shfaqet si ish student  i akademikëve të shquar,  Prof.Arben Puto dhe Luan Omari në Universitet ; si nxënës i të  njëjtës shkollë mendimi, më vonë koleg, bashkëpuntor, bashkëautor, me një fjalë bashkëudhëtar me të gjithë ata që përmenden në këtë libër dhe të tjerë.

Vend të rëndësishëm ze vepra  e shquar e Akademikut brilant Pëllumb Xhufi « «  Arbërit e Jonit » ku evidentohen më së miri vlerat e tij madhore shkencore për autenticitetin historik të popullit tonë dhe trevat e tij. Në këtë linjë, ngrihet lart dhe veprimtaria krijuese e personalitetit të letrave, Nasho Jorgaqi, në këtë rast për jetën dhe veprimtarinë e shumanshme të Fan Nolit. Vend nderi në këtë libër i është dhënë Xhuzepe ( Zef) Valentinit,  albanolog i sprovuar me shumë botime por  dhe veprimtari konkrete në vendin tonë në vitet 20-30 të shekullit të kaluar.

Me po të njëjtin intensitet, tërheq vëmendjen analiza shteruese, e cila i referohet një «  peshe të rëndë » të  mendimit ekonomik shqiptar, Prof. Dr. Aristotel Pano, i cili, bashkë me pasardhësin e tij të denjë, me një përvojë të gjatë  sa akademike aq dhe drejtuese të financave shqiptare, Akademikun Anastas Angjeli i ka bërë një skaner historik dinamikës së financave ndërkombëtare dhe të vendit tonë me veprën e tyre shteruese«  Paraja, bankat dhe shoqëria » Për të vazhduar më tej me komente e vlerësime të librit «  Friedrich Hayek «  Liberalizmi dhe etatizmi » të personalitetit tjetër elitar në këtë fushë, Prof. Dr. Adrian Civici.

Më tej, autori përshkruan plot pathos dhe simpati të veçantë figurën  e euriditit të madh, Moikom Zeqo, si mishërimi i shumë pasioneve, dhuntive dhe talenteve të jashëzakonshme. Kjo galeri e pasur vijon më tej me komente dhe vlerësime për begatinë krijuese të disa personaliteteve të tjera rrezatuese; këtu veçohet për krijimtarinë shumëdimensionale, Prof. Dr. Fatos Tarifa, sidomos  në fushën e sociologjisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të njohur e vlerësuar gjerësisht në SHBA e në metropole të tjera të mëdha jashtë vendit.

Lidhur me interimin Euro-Atlantik, janë përzgjedhur botimet e dy personaliteteve me përvojë në këto fusha: «  Gjeopolitika dhe teknikat e zgjerimit të BE-së » nga Prof. Dr. Blerim Reka, ish Ambasador i Maqedonisë së Veriut në BE  dhe » Mbi liberalizimin e vizave me BE-në » nga   Prof.Asoc. Eriona Canaj, e diplomuar në Sapienza të Romës, e specializuar dhe doktoruar për problematikat e BE-së.

Sa i takon Kosovës, e cila si gjithë çështja kombëtare  ka qenë përherë në qendër të vëmendjes së Prof.Krisafit,  ajo trajtohet me theks të veçantë në punimet e pothuajse të gjithë këtyre autorëve ; gjithsesi, vend i veçantë i kushtohet librit « Statusi juridik dhe ndërkombëtar i  Kosovës » nga Profesori i nderuar nga Prishtina,  Bashkim Rrahmani.

Duke kaluar në fushën e historisë, mendimit dhe praktikës diplomatike, vendase dhe ndërkombëtare, në libër gjen komente vlerësuese për librin e Mjeshtrit të Madh të diplomacisë,  ish Ambasadorit Shaban Murati » Çështja e paqenë e detit, intrigë diplomatike greke apo shqiptare? » si dhe librat e  ish ambasadorëve, personalitete të spikatura, Bashkim Zeneli  «  Miqësi e trazuar » dhe Shaqir Vukaj «  Konferencat e treshes  së madhe» . Në këtë linjë janë dhe libri i historianit të  shquar Hamit Kaba « Shqipëria dhe të mëdhenjtë » dhe analistit të njohur  Ndriçim Kulla  mbi marrëdhëniet me SHBA-të.

Eshtë fakt i pranuar se analiza dhe referimi te veprat e personaliteteve të lartpërmendura përbën një sfidë herkuliane. Sepse atje kryqëzohen dhe bashkohen aspekte  epokale politike, ekonomike, diplomatike,  sociale, filozofike,  të politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare; jo të  një periudhe apo disa dekadave, por të dy shekujve më të fundit dhe shanseve për të ardhmen e afërt.

Kësisoj, vetëkuptohet se analiza e duhur  e veprave të këtyre autorëve  mund të jetë e plotë dhe e besueshme vetëm kur bëhet nga ekspertë multi-disiplinorë, me njohuri teorike në këto fusha,  të shoqëruara me përvojë të pasur praktike, të brendshme dhe të jashme.

Në këtë kuptim,  mendoj se janë të rrallë personalitetet  me besueshmërinë dhe kapacitetet e duhura intelektuale për një sfidë të tillë si Profesor Krisafi. Diplomat karriere nga vitet 80,  ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, drejtor i Drejtorisë Juridike për shumë vite në MPJ, ambasador pranë OKB-së në Gjenevë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave ; në 30 vitet e fundit profesor në Universitetin e Tiranës, Luarasi, UET dhe vitet e fundit Dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar, publicist dhe autor i disa librave mbi aspekte të brendshme dhe të  jashtme të së drejtës ndërkombëtare, etj. Me një simetri «  par excellence » ndërmjet njohurive dhe dijeve të sofistikuara teorike dhe përvojës/ praktikës së pasur  si negociator kompetent me  një katalog dosjesh historike, si ajo e kthimit të arit, rivendosjen e marrëdhënieve me  Gjermaninë, Vatikanin, Izraelin,  Marrëveshjen e Detit me Greqinë, etj.

Momenti tjetër specifik që do theksuar është serioziteti me të cilin  Prof.Krisafi iu referohet personaliteteve të lartpërmendura dhe kujtdo tjetër për të cilin merr përsipër të shprehet e të shkruajë qoftë dhe një parathënie libri. Dikujt kjo mund t’i duket gjë e thjeshtë. Mirëpo nuk është kështu. Duhet kohë për të lexuar dhe  një libër të thjeshtë, le pastaj vepra të mirëfillta,  për të zbërthyer idetë e autorit dhe pastaj për t’u ulur e për të bërë recensionin apo prezantimin ; veçse jo si «  qokë » për të qenë në rregull, për mirësellje apo për t’i bërë nder dikujt, sado i merituar, sidomos atyre që nuk i kemi më mes nesh. Duke lexuar librin në fjalë, sheh  një respekt, drejtësi dhe  përgjegjësi të madhe ndaj personit, veprës së tij, vetvehtes dhe mbi të gjitha publikut dhe lexuesve të interesuar.

Dhe në fakt, ai nuk është mjaftuar me një laudatio, por  hyn në analiza të thella dhe tërësore, duke «  qëmtuar » me merak e pasion e duke evidentuar saktë vlerat e tyre për vendin, për të tashmen e veçanërisht për të ardhmen.  Tejet e rëndësishme, ai përmend dhe shton përvojën e tij të pasur, në funksion të vlerësimit të veprës së tjetrit. Kësisoj, për studentët, praktikantët, profesorët dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, për diplomatët, sociologët, filozofët, etj  shkrimet e këtij libri nuk mbeten shtojca, por kthehen në literaturë të rekomandueshme; ato shpjegojnë,  ndriçojnë dhe lartësojnë veprën e paraardhësve të tij.

Gjithashtu, ajo çka bie në sy është se krahas respektimit të natyrshëm të hierarkisë elitare dhe të titujve, në shkrimet e këtij libri përmenden dhe vlerësohen edhe personazhe të tjera me kontribute ndoshta më modeste, por premtuese, konfirmuese dhe plotësuese të përfundimeve paraardhëse. Ai ndalet me shumë konsideratë  në vlerat dhe ekspertizën e tyre dhe sidomos ndihmesën që japin në terren. Kjo është shumë e rëndësishme dhe njerëzore. Sidomos sot në epokën e demokracisë, ku veç titujve, gradave shkencore dhe hierarkisë zyrtare, afrimi te e vërteta kërkon  një dialog dhe ballafaqim me të gjitha idetë dhe opinionet e ekspertëve por  dhe atyre që kanë punuar gjatë në terrenin përkatës.  Ja pse, në këtë libër gjen dedikime vlerësuese për botimin e diplomatit veteran, Alfred Papuçiu mbi shqiptarët dhe Zvicrën. Me kujtimet e bukura të rinisë,  ai ndalet dhe te  shoku i vet i shkollës e në vijim, Shpëtim Emiri; duke nxjerrë në pah vlerat njohëse dhe fisnike të librave të këtij të fundit  kushtuar figurave të shquara gjirokastrite, Alizot Emirit dhe mjekut të famshëm Vasil Laboviti. Me mesazhin domethënës që jo vetëm të mos harrojmë kontributin e tyre, por t’i vendosim në piedestalin e nderit dhe kujtesës qytetarë dhe intelektualë të tillë dinjitozë që bëjnë ndryshimin në shoqëri, pavarësisht nga forma e regjimit  dhe kufizimet e tjera.

Si shumë e shumë të tjerë, dhe unë jam dëshmimtar, veç të tjerash,  i dashamirësisë tipike të Prof. Krisafit ; ai jo vetëm i ndjek me vëmendje, por dhe entusiazmohet me arritjet dhe botimet e miqve, kolegëve  dhe zërave të tjerë më pak të njohur; madje i nxit dhe motivon ata që të shkruajnë dhe asnjëherë nuk përton t’u dërgojë komente vlerësuese e t’u dedikojë Parathëniet, megjithë ngarkesën e madhe që ato i sjellin.

Si përfundim,  «  Kontribute në shkencën dhe diplomacinë shqiptare » është kombinim i përkryer i vlerave elitare me ato njerëzore dhe të jetës së përditshme. Megjithë karrierën e pastër dhe të pasur, Prof. Krisafi ka mbetur «  me këmbë në tokë », me modestinë  karakteristike, pa asnjë shenjë tjetërsimi në karakterin, identitetin dhe  personalitetin e tij qytetar dhe akademik.

 

 

 

 

 

 

 

               

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.