Kulturë

Pse shkruaj?

08:45 - 11.01.22 Gazeta Shqiptare

 Nga Blerta DERHEMI, letrare diplomate



 Autorja e esesë dhe 3 poezive të mëposhtëme, Blerta Derhemi ka lindur në Fier në një familje arsimtarësh. Pas diplomimit për shkenca politike në UT, në vitin 2006 ajo filloi punën si diplomate karriere  në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më 2014-2019 shërbeu në Misionin tonë pranë BE-së në Bruksel. Eshtë trajnuar në institute prestigjioze diplomatike në  Vjenë, Hagë dhe Stamboll; ka mastera në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ekonomi.

Pavarësisht nga sfidat dhe ngarkesat e mëdha të punës, shto këtu si bashkëshorte dhe nënë e dy fëmijve, Blerta e ka mbajtur të gjallë dhe e ka ushqyer vazhdimisht dellin dhe pasionin e saj të kahhershëm letrar e sidomos poezinë. Ka përgatitur dhe vëllimin e parë poetik që pritet ta promovojë së shpejti.

  • Si e perceptoj të shkruarin?

Të shkruarit është aftësia për të zhbërë dhe ribërë hapësirën, kohën dhe vendin ku ndodhesh, duke e transformuar të zakontën në të pazakontë. Për më tepër të shkruarit është liri, është arratisje, është fluturim, është udhëtim, madje nga ato udhëtime ku nuk të shpie asnjë biletë apo avion, sado pasuri materiale të kesh. Ndaj shkrimin e shoh si ikje dhe ardhje. Ikje nga vetja dhe realiteti, ikje nga e shkuara dhe e tashmja pwr kah e ardhmja. Ardhje, ardhje drejt dhe përballë vetes. Ky mund të jetë nga destinacionet më të vështira të shkrimit udhëtim.

  • Pse shkruaj ?

Përmes të shkruarit, përpiqem të materializoj përjetimet, emocionet dhe gjurmët e lëna prej tyre në të ndërgjegjshmen apo të pandërgjeshmen time. Në përpjekjen për këtë materializim, sado çuditshëm mund të tingëllojë, fjala nuk është e para. Shkrimi por sidomos poezia fillimisht vjen në trajtën e një imazhi të cilin më duhet ta ‘pikturojë’ jo me penela por me fjalë. Nuk mbaron me kaq, sepse ky imazh në sajë të ngjyrave që mbart ka aftësinë të luajnë një melodi të caktuar (edhe pse nuk kam fare vesh muzike), melodi e cila pret të shkruhet jo me nota muzikore por me fjalë. Ndaj fjalën e shoh si një instrument kaq të fuqishëm.

Leximi i fjalës më jep ndjesinë se jam në gjendje të prek ndjenjat dhe emocionet. Perceptimi i tyre bëhet kaq konkret dhe real, del jashtë mendjes dhe zemrës dhe rri aty mbi fletën e bardhë duke pritur që ta kundroj, ta ledhatoj, ta kritikoj apo mbase dhe ta urrej? Këtu më duhet të shtoj me domosdo faktin që të shkruarit përmes procesit të brendshëm të reflektimit e frymëzimit, më ka ndihmuar të rritem, të arrij një pjekuri të caktuar mendimi, të ruaj thelbin tim pa u tunduar nga rrethanat e jashtme, të pastroj veten nga mëritë, duke ma lënë ndjesinë e urrejtjes gjithnjë jashtë vatrës ku digjem, shuhem dhe rindizem përsëri me fjalën e shkruar.

  • Si e përjetoj procesin e të shkruarit ?

Që fëmijë më kanë magjepsur flokët e dëborës. Në orvatjen e tyre për t’iu afruar tokës, më ngjasonin si fluturza prej kristali  frymë-pezull përpara se të thërmoheshin e njëtrajtësoheshin në një vel të bardhë. Po si ishte e mundur që thërmoheshin kaq qetësisht ?! Ndoshta kjo magjepse me bën ta përjetoj të shkruarin si një thërrmim të asaj që jetoj përditë, të përballjes me të bukurën dhe të shëmtuarën, të momenteve të ëmbla dhe të hidhura, të dashurve të shuara dhe atyre ende të gjalla… Magjia nis kur thërrmijat fillojnë e zgjohen nëpër qelizat e mia duke endur jo tisin e bardhë të dëborës por pëlhurën e poezisë. Kjo pëlhurë merr trajtat e përrallave të treguara e lexuara prej gjyshërve, të qëndismave dhe dandellave thurur prej gjysheve, fillon merr shkëlqimin e syve të sime mëje, nis frymon me ritmin e zemrës së të vegjëlve të mi, ngroh zemrën e dashuruar miturish, merr trajta resh, yjesh, ëndrrash… E gjithë kjo gjëndje më lejon të përjetoj kthimin e shpirtit tek vetvetja në gjëndjen e vet të kulluar, të pa ndotur prej asgjëje, prej aty jam unë që i jap ngjyrat që dua çdo grimce të jetuar.

Jam Grua

Jam dashuria stolisur mbi kuaj të bardhë,

sythat e shpresës përkund

në djepin e ëndrrës ,

 

Jam luftëtare e heshtur,

dhimbjes i jap zë,

me foshnjën e njomë mëkuar në gji,

Botës i jap dritë me syrin e pagjumë,

 

Jam frymëmarrje e dehur netëve pa hënë,

zinxhirët e heshtjes kërkëllijnë

me dhimbjen e shekujt mbi shpinë,

 

Jam frymëmarrje e ngashëryer,

penelat vjeshtakë mi përskuqin mendimet,

Jam frymë e gjallë, zvarritur ndër dimra,

me zjarrin e jetës mbrujtur në gjak,

 

Jam fundi dhe fillimi,

Jam ikja dhe ardhja,

Jam rebelimi dhe durimi,

 

Jam mallkimi dhe bekimi,

Jam lufta dhe paqja,

Jam vdekja dhe jeta,

 

E, ç’gjëkënd tjetër të dua të jem!

Jam asgjëja dhe gjithçkaja!

Jam grua…

5.9.2018

 

Pakohësia

E pakohë, 

në kohë të çartura, qiellgrishëse! 

E pakordinatë,

në hapsirën mbytur meteorësh.

 

E tashmja e së shkuarës, 

tretet në darët e harresës,

E tashmja e së tashmes,

dyllosur me parafinë galaktikash,

E tashmja e së ardhmes, 

hesht si murg me veladon të artë!

 

Hapsira tkurr boshtet,

si tentakula oktapodi zënë në çark,

E tashmja e së tashmes,

e tashmja e të këtushmes 

nocione pakuptim!

Pakohësia më është shpëtim!

Pika zero, qendra e gravitacionit tim.

3 prill 2019

 

Stacion

 

Sot, 

   rutinë, 

       stacioni i përdishtëm…

 

Rëndon në sup çanta prej zonjëze,

 

brenda ngjeshur ëndrrat,

                                         planet,

                                                     pasionet,

                                                                dashuritë…

 

mjaftueshëm për vite pa limit!

 

Tramvaji ëndrrave të marra mbërrin…

Drejtim i çuditshëm “Askund-Gjithkund-Kurrkund”

 

Djall! Dilemat nuk m’u ndanë për dreq,

Ç’të marr me vete në arkë-mort?

 

Ata që më deshën e si desha dot?

Apo… ata që desha aq shumë por se kuptuan kurrë?

 

Të marr sukseset e vogla ?

Sa shkëndija shprese ndezën!

Ç’më ngatërrohen nëpër këmbë,

dështimet që më bënë edhe më të fortë…

 

Të marr puthjet e padhëna,

Apo, lotët mbrujtur e tretur pa dëshmimtarë?

 

Sa mirë paskësh qenë në kohë të lashta…

Lëkundur ndër ujëra me të ngratin Karont,

Pak kohë më shumë …të ndaj ç’të marr me vete atëbotë !

 

Tramvaji i ëndërrave të marra vjen e shkon kaq shpejt,

Timonierja vdekje përqesh me kokën pas…

 

Zbraz çantën njeri, ec, ec, ec mbush shpirtin,

ler gjurmë të bardhë,

iki e vij prapë,

stacionit tim askush nuk i shpëton dot…

5.2.2018

 

 

 

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.