AKTUALITET

Detajet nga protesta e 8 janarit/ Kush e lajmëroi policinë si dhe deklaratat e të arrestuarve

11:06 - 12.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në dosjen hetimore të protestë së 8 janarit, të siguruar për “Balkanweb” nga gazetarja Klodiana Lala, tregohet, se çfarë ndodhi pak orë para protestës dhe më pas.




Në dosje, theksohet se protestuesit e parë iu drejtuan selisë rreth orës 10:00 të mëngjesit të së shtunës. Më pas, rreth orës 11:15, protestuesit kanë nisur të sulmojnë selinë. Po ashtu, në dosje tregohet edhe denoncimet e dërguara nga persona brenda selisë blu, që solli më pas reagimin e forcave të ndërhyrjes së shpejtë.

Një person fillimisht nga brenda selisë ka kërkuar ndihmë prej forcave policore dhe më pas kanë qenë deputetët e PD ata që kanë njoftuar sallën operative, duke i transmetuar se ndihen të kërcënuar. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, protestuesit janë shpërndarë dhe më pas janë marrë deklaratat e disa deputetëve si dhe deputeti Alban Hoxha, është shikuar nga ekspertët mjekoligjor

“Sikurse u referua nga policia gjyqësore dhe dihet botërisht nëpërmjet njoftimeve në media, se më 8 janar, do të mbahej një protestë nga Grupi i Rithemelimit të PD, në selinë e PD, që mund të ishte e dhunshme. Rreth orës 10:00 më 8 janar, u konstatuan grupe individësh të grumbulluar pranë selisë së PD, në pjesën e brendshme të oborrit duke zënë rrugën kryesore të bulevardit “Zhan D’ark”.

Rreth orës 11:15, kanë filluar të dëmtojnë Selinë e PD, me mjete të ndryshme si gurë, tulla, shkopinj, vare etj, duke shkatërruar dyer e xhama për t’u futur në seli. Në orën 12:50, është njoftuar salla operative e DVP Tiranë, për ndihmë nga një individ brenda selisë së PD, që ndihej i kërcënuar dhe një njoftim tjetër më 13:00, nga ana e deputetëve të PD. Në këtë moment është bërë ndërhyrja e forcave të policisë dhe kanë shpërndarë protestuesit e dhunshëm.

Policia gjyqësore ka shkuar në vendngjarje, e at kanë gjetur në ambientet e jashtme dëmtime masive, shkallë, çadra, xhama, shkopinj, vare, leva hekuri, tela siguresash. Më pas i është marrë deklarim, deputetëve Gazment Bardhi, Kreshnik Çollaku, Eralda Bano, Lindita Metaliaj, Ramadan Likaj, Bledian Nallbati, Kastriot Pincoli, Slaudin Jakupllari, Flamur Hoxha, Nikolin Arro, Alban Hoxha, Alban Berisha, Erbin Deda, Adnand Mero, Edmond Toska, dhe Erzik Xhinaj. Për Alban Hoxhën u vendos kryerja e ekspertimit ligjor”, thuhet në dosje.

Po ashtu, në dosjen hetimore janë ilustruar dëshmitë e tre protestuesve të arrestuar, ata kanë deklaruar se nuk kanë përdorur dhunë dhe se në seli, ndodheshin për të protestuar paqësisht.

Selman Krasniqi: Jam anëtar i PD. Kam shkuar pranë selisë së kësaj partie për të protestuar në mënyrë paqësore”.

Shaban Halili: Jam nisur nga Shijaku me pronarin e lokalit ku Punoj, Selman Krasniqin, për të marrë pjesë në protestë. Kam pasur në duar flamur të PD, gjatë protestës, e ka ndenjur para selisë së PD, duke valëvitur flamurin. Kur përfundoi protesta ika nga selia në drejtim të stadiumit, aty më arrestuan.

Getjan Lamnica: S’kam kryer asnjë akt dhune. Kam qenë duke parë e duartrokitur pasi jam simpatizant i PD. Në një moment gjatë protestës kanë nisur të hidhen mjete të forta nga kati i dytë. E në këtë kushte jam detyruar të futem te pjesa e brendshme. Simpatizantë të Bashës kanë lëshuar mbi turmën sende të forta dhe ne ia kthenim mbrapsht.

Agron Gjura: Jam anëtar i PD, është e drejta ime të jem në seli. S’kam kryer akte dhune apo bllokim rruge. Jam ndalur nga policia teksa isha duke shkuar në shtëpi, në duar kisha një flamur të PD.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.