AKTUALITET

Mustafa Nano: Basha e veçoi Gjekmarkajn edhe për identitetin e tij fetar, “elefanti në dhomë” apo “gjarpëri në gjumë”?

16:00 - 16.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sot është mbledhur Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, dhe ka bërë disa ndryshime. Ka ndodhur shpesh kohët e fundit që PD-ja të ketë bërë ndryshime në skuadrën drejtuese, dhe kjo ka ardhur, pasi ende ka paqëndrueshmëri të nomenklaturës. Disa, prej kohësh, kishin zgjedhur kampin e Berishës, por ishin ende aty, për inerci. Pas 8 janarit, që duket se është data që ka kthjelluar ujërat e “ka ndarë shapin nga sheqeri”, ata janë përjashtuar. Lulzim Basha donte një sebep, dhe atë ditë ata (Paloka, Noka, etj.) ia dhanë me tepri. Kriza vijon, por procesi i largimit është drejt mbylljes. Ka pasur kohë të mjaftueshme për secilin për të reflektuar. Nuk priten më ikje në grup. Lëri të tjerat, por edhe Berisha nuk ka se ç’të rekuperojë më pas datës 8 janar që ka shërbyer si një “watershed”. Ai është në optimumin e vet. Me siguri, nuk është shumë i kënaqur, ndryshe nuk do të fillonte me “Foltoren” nr. 2 që nisi sot në Lezhë e do të vijojë nesër në Shkodër, e kështu me radhë, por si zor të ketë nesër më tepër se sa ka sot.




Por edhe Basha nuk ka arsye t’i trembet ndonjë tronditjeje tjetër. Ai është mpakur sa s’ka më. Për këtë arsye, mund të thuhet se ndryshimet e sotme të bëra në kokën e partisë janë të fundit. Kjo nuk do të thotë se Basha është i qetë. Jo, ai do të jetë gjithnjë i përndjekur nga ideja se kujt mbetet zemërthyer në këtë moment, nuk i duhet shumë për ta braktisur e për t’u hedhur në krahun tjetër. Dhe bën çmos t’i mbajë duke u falur vëmendje, mirënjohje, dhe mbi të gjitha, të vetmin “dividend” real e me kuptim që i ka mbetur, postet partiake.Janë vetëm një grusht njerëzish që janë investuar pa kthim me Bashën, me fjalë të tjera që aleancën me Bashën e kanë të vetmin opsion, o sepse kështu kanë zgjedhur vetë, o sepse për ta nuk ka nevojë tjetërkush. Një nga këta është Agron Gjekmarkaj, i cili, si shenjë të një fibre morale të fortë, bëri kohë më parë deklaratën publike se, nëse partia bie në dorë të Berishës, karrierën e tij do ta quante të mbyllur, edhe pse ajo sapo kishte filluar. Dhe Bashës, pikërisht ngaqë i duhet të drejtojë me njerëz që nuk e dredhin bishtin, i ka besuar Gjekmarkajt postin e nënkryetarit të partisë. Po kështu ka bërë edhe me të tjerë.

Bëri përshtypje vlerësimi që ai dha për Gjekmarkajn me këtë rast. Nuk foli me superlativa, siç ka qenë në stilin e Berishës, përkundrazi, shtiu në punë konsiderata lakonike, por lëshoi një proçkë. “Agron Gjekmarkaj” tha, “është një përfaqësues i denjë i demokratëve, botës akademike dhe… – këtu vjen proçka – komunitetit katolik.” Nuk ka qenë kurrë në traditën shqiptare veçimi i figurave publike, e sidomos atyre politike, mbi bazën e besimit apo origjinës së tyre fetare. Para Luftës II Botërore feja ka qenë aty, elefanti në dhomë, por askush nuk e ka ngarë. Edhe pas përmbysjes së komunizmit, identiteti fetar i njerëzve nuk është përmendur. Basha është i pari që e bën këtë lajthitje. Ndoshta e ka bërë ngaqë ka qenë i kompleksuar nga akuza që i ka bërë Berisha mbi aleancën me të ashtuquajturën Vëllazëri Myslimane të Maqedonisë së Veriut, por kjo gjë nuk justifikohet. E përfytyroni dot ju që, fjala vjen, Berisha të thoshte në vitin 1992, para se Pjetër Arbnori e Bashkim Gazidede të zgjidheshin respektivisht si kryetar Kuvendi e kryetar i SHIK-ut, që “po zgjedhim përfaqësues të denjë të katolikëve e të myslimanëve”? Po Edi Ramën në rastin e Lindita Nikollës apo në raste të tjera? Jo, as që mund të përfytyrohet. Kjo do të thotë që këta dy të fundit kanë skrupuj, apo janë të zgjuar, më shumë sesa Basha. I mendojnë gjëra të tilla sa herë që bëjnë emërime e shkarkime, por nuk i zënë ngojësh. Dikush duhet t’ia thotë Bashës se identiteti fetar i gjithësecilit nuk është, e nuk duhet të jetë, pjesë e CV-së së një personi. Jo vetëm sepse njerëzit nuk kanë merita apo faje për identitetin e tyre fetar, por edhe sepse harmonia ndërfetare këtyre anëve është e ngritur mbi parimin “mos e ngacmo gjarpërin teksa është në gjumë”.

Duhet shpresuar të mos e bëjë më këtë që bëri. Ne nuk duam të dëgjojmë se cilës fe i përket njëri apo tjetri


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nuk ka rendesi as besimi fetar dhe as se me ke vazhdon te kesh miqesi dhe bashkepunim ne pjesemarjen tende ne aspektin dhe shoqeror. Qe te jesh patriot ne politike, duhet te kesh reth vetes njerez te shkolluar, familjare te ndershem dhe jo njerez interesaxhinj, qe shohin vetem xhepin e tyre, patriotizmi eshte virtyti me I nevojshem per te te besuar njerezit qe te mbeshtesin. Kultura qytetare eshte cilesia me e dallueshme ne me shumten e rasteve. Te gjithe ata qe largohen nga brendesia e partise, sepse dikush e mashtron me pasuri te palujteshme dhe poste ne qeveri, per opinionin qytetar, quhet armik dhe tradhetar. Keto shenja po degradojne njeriun per t’i larguar pergjithmone nga politika e rruges se tyre.

    Përgjigju ↓
  2. Bashe muti,ke mujt me kerku nga papasi ndihme me ta dergue ndonje gabimfales.Ta pshursha karriken e karieren e shpijunit.Skeni faj se po e kullotni kete popull injorant,qe per interesat e juaja eshte i gatshem te behet cope.

    Përgjigju ↓