Kronikë

Vrasja e efektivit Xhulio Prela u zbulua prej një tjetër ngjarjeje, çfarë “tregoi” arma e gjetur në depozitë

22:36 - 18.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e vrasjes së efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Xhuliano Prela, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor të vitit 2020 në Gajush të Lezhës.




Në lidhje me këtë ngjarje janë marrë të pandehur dy persona, Redion Hysa dhe Nikoll Sherniku. Nga hetimet e kryera, organi i akuzës ka dalë në konkluzionin se Redion Hysa është autori i dyshuar i vrasjes, ndërsa ndaj Nikoll Shernikut është ngritur akuza “Moskallëzim krimi”.

Redion Hysa, bashkë me kushëririn e tij Sokol Hysa, u arrestuan nga Policia e Lezhës me 28 dhjetor të vitit 2020, pasi kishin qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të karburantit, kamerat e të cilit kishin filmuar vrasjen e policit.

Pas veprimeve hetimore, ndaj dy të rinjve u ngritën akuzat e “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve” dhe “Kanosjes me armë”, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 28 gëzhoja.

Por më pas përgjegjësia penale e Redion Hysës u rëndua në muajt në vijim, pasi njëra nga armët, pistoleta e gjetur në depozitën e ujit që ndodhej mbi tarracën e shtëpisë së tij, ka rezultuar se ishte përdorur në ngjarjen e 5 dhjetorit 2020, ku mbeti i vrarë efektivi i FNSH-së, Xhuliano Prela.

 

EKSPERTIZA

Ekspertiza balistike ka provuar shkencërisht se pistoleta që mbahej e fshehur në depozitën e ujit ka kryer 3 qitje në fshatin Gajush të Lezhës, vend i cili u gjend i pajetë efektivi i Policisë. Madje ekspertët shtojnë se edhe predha që i ka marrë jetën punonjësit të Policisë është qitur pikërisht nga arma e gjendur në banesën e Redion Hysës.

Për këtë fakt, Hysa është njohur me rezultatin e ekspertimit balistik dhe gjetjen e armës në depozitën e ujit te shtëpia e tij, por ai ka preferuar të mos flasë dhe të mos japë asnjë shpjegim rreth provave të siguruara nga Policia dhe Prokuroria.

Sipas hetimit të kryer dhe dëshmisë së punonjësve të karburantit ku ka ndodhur vrasja e Xhuliano Prelës, mesnatën e krimit, rreth orës 02:00, kanë qenë dy makina, njëra fuoristradë dhe tjetra tip “Golf 3”, e përshtatur për gjueti.

Makina tip “Golf 3”, që roja i karburantit ka treguar qysh në 5 dhjetor në Polici, aktualisht është e bllokuar dhe i përket pikërisht Redion Hysës.

Ndërsa vetëm 23 ditë pas vrasjes së punonjësit të Policisë Xhuliano Prela, pikërisht në karburantin ku dhe ka ndodhur ngjarja është regjistruar në mesnatë një ngjarje e dytë, duke u mitraluar me 28 plumba kallashnikovi kamioni tip “Man” dhe fasada e karburantit. Arma me të cilën është qëlluar në këtë ngjarje iu gjend në depozitën e ujit pikërisht Redion Hysës.

Sipas burimeve të Prokurorisë dhe Policisë Lezhë, Redion Hysa në këtë ngjarje ka qenë së bashku me kushëririn e tij, Sokol Hysa.

Qëllimi i tyre ka qenë për të kanosur punonjësin e karburantit që ka dëshmuar se mesnatën kur u vra polici Xhuliano Prela kanë qenë dy makina dhe jo një makinë e vetme.

 

DY NGJARJE NË NJË DOSJE

Tashmë të dyja këto ngjarje, si vrasja e policit Xhuliano Prela dhe goditja me armë e karburantit ku ndodhi ngjarja, janë bashkuar në një dosje të vetme. Ndërsa Prokuroria ka ngritur akuzën e “Vrasjes me dashje” për Redion Hysën, “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve” në dy raste, “Kanosje me armë” dhe “Prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Ndërsa për kushëririn e tij, Sokol Hysa, është ngritur akuza e “Kanosjes me armë” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”.

Ndërsa personi i vetëm që qëndronte në burg, Nikoll Sherniku, është liruar nga qelia duke iu caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe se aktualisht është marrë i pandehur për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.

Briland Martinaj, i cili u shpall në kërkim qysh prej dhjetorit 2020, si autor i dyshuar i vrasjes, është lënë i lirë dhe akuza ndaj tij është pushuar me kërkesë të Prokurorisë, pasi është arritur të provohet se nuk ka lidhje me ngjarjen.

Aktualisht çështja është në gjykim paraprak dhe do të jetë gjykata që tashmë do të vendosë kalimin për gjykim apo rikthimin në prokurori për plotësim hetimesh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.