OPINION

Miku nga Lindja

09:00 - 20.01.22 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në muajt e parë të vitit 2021, kur të gjitha vendet e Ballkanit Jugperëndimor nuk arrinin dot të siguronin vaksina nga vendet e Bashkimit Evropian(shtete anëtare të BE-së në atë kohë i donin të gjitha për vete), Presidenti i Turqisë, mik i kryeministrit shqiptar, bisedoi me një kompani turke shpërndarëse të vaksinave kineze në Turqi dhe vendi ynë siguroi 1 milionë vaksina, në kulmin e pandemisë, për vitin që kaloi. Këto vaksina, të siguruara në kohën e duhur, shpëtuan me mijëra jetë dhe kufizuan përhapjen vrastare të virusit në Shqipëri. Të 522 apartamentet e përfunduara nga qeveria turke në Laç, në zonën më të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, me vlerë afro 400 milionë euro, përbëjnë ndihmën më konkrete dhe efektive të dhënë nga një vend mik dhe partner i yni. Ndërtimi në tre muaj dhe funksionimi i plotë prej prillit 2021 i Spitalit modern Rajonal në Fier, me mjekë turq që punojnë dhe njëkohësisht trajnojnë mjekët tanë, është një tjetër ndihmë e vyer dhe e pashoqe, për të cilën duhet t’i jemi sërisht mirënjohës Mikut nga Lindja. Mund të thuhet me plot gojën që ndihma e këtij vendi mik, Turqisë do të ishte e fortë dhe e dukshme edhe po të mos ishte miqësia mes dy drejtuesve të sotëm të vendeve tona. Por realisht, pa këtë miqësi personale të tyren, shumë gjëra të mira për ekonominë tonë mund të mos ishin bërë. Nëse aeroporti ndërkombëtar i Vlorës po ndërtohet dhe në më pak se tre vjet do të ndihmojë fort vlonjatët dhe gjithë ekonominë e Shqipërisë, kjo i takon edhe 46 përqind të atij investimi, të marrë përsipër nga një firme private turke, të porositur për të ardhur dhe për të rrezikuar kapitalin e saj tek ne nga Presidenti i Turqisë. Kuptohet cili mik ia ka kërkuar me insistim këtë, Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Turqia përfaqëson vendin investues të tretë më të madh në Shqipëri, pas Hollandës dhe Italisë.  Investimet turke tek ne kapin shifrën mbi 1,8 miliardë dollarë. Numri i kompanive të themeluara nga qytetarë turq ose nga ata me origjinë turke është 569. Në fund të nëndëmujorit janar-shtator 2021, investimet e reja turke në Shqipëri ishin 63 milionë euro. Sektorët ku kapitali turk është i pranishëm përfshijnë bankat (Banka Kombëtare Tregtare, ndër më të mëdhatë në vend), industrinë e rëndë (nxjerrja dhe përpunimi i çelikut), ndërtim, telekomunikacion, tekstile, logjistikë dhe shëndetësi. Në importe dhe eksporte, për 11 mujorin janar-nëntor 2021, Turqia është partneri i dytë tregtar më i madh i Shqipërisë, me 7.8% të totalit. Renditet pas Italisë(30% e totalit), duke lënë pas Greqinë e vendit të tretë(7.2%) dhe Gjermaninë(6.5%). Në Turqi kemi eksportuar gjatë periudhës janar-nëntor të vitit të kaluar 41 milionë euro. Kemi eksportuar tekstile, këpucë, produkte kimike, produkte plastike. Eksportet tona janë rritur dyfish, në krahasim me janar-nëntorin e vitit 2020. Kemi importuar 627 milionë euro materiale ndërtimi, metale, minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike. Mundësitë e bashkëpunimit në ekonomi dhe sfera të tjera janë pafund. Me Turqinë është biseduar për hapjen në Tiranë të një filiali të Universitetit Teknik të Stambollit, ndër shkollat me renditje dhe emër në botë. Me Turqinë kemi bashkëpunim për turizmin dhe restaurimin e thesareve të trashëgimisë kulturore. E kemi krejtësisht të virgjër Sazanin, ishullin tonë të vetëm në një pozicion aq strategjik në Mesdhe. Nëse e shndërrojmë në port jahtesh dhe kroçierash, përse të mos vijnë e ta shndërrojnë Sazanin kompani turke me emër që kane kryer mrekulli destinacionesh turistike në Antalia? Perse jo, edhe me porosi të Mikut nga Lindja.Vizita e pak ditëvë më parë e Presidentit të Turqisë tek ne tregon se bashkëpunimi aq dobiprurës për ne gjatë periudhës shkurt 2020-dhjetor 2021 mund të zgjerohet akoma dhe më shumë. Mirë për Shqipërinë!





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.