DOSSIER

 “Bëjnë dashuri ekstremiste dhe epshe shtazarake”/ Denoncime për lidhjet e fshehta mes Ramize Gjebreas dhe Zaho Kokës

08:59 - 28.01.22 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Plumba për dashurinë! Ka qenë ky verdikti i gjyqit partizan të Brigadës së Pestë në ditët e para të marsit ‘44. Në zbatim të tij, një skuadër partizane ekzekutoi me pushkatim Ramize Gjebrenë. Kanë kaluar vite e dekada qysh atëherë dhe ngjarja e mistershme vazhdon të mbetet enigmë.




Më në fund historiani Vasfi Baruti sjell një retrospektivë të zgjeruar me dëshmi, fakte dokumente, hipoteza e kujtime në librin “Nega Totum” (Asgjë e vërtetë) ku zbardh mjaft nga të panjohurat e historisë së Gjebresë. Duke filluar nga numri i sotëm, Gazeta “Panorama” do botojë pjesët më të rëndësishme që kanë të bëjnë me gjyqin dhe ndëshkimin fatal të saj…

Protagonistë në ngjarje, të gjithë fytyrëmaskë. Fytyrëmaska, njerëz pa identitet. Perëndia, a natyra i dha njeriut një fytyrë e një sojsëz njeri mbetet fytyrmaskë! Askush s’njeh vetveten as tjetrin, njësoj si në kapriçot famose të Françisko Goa. Çdo njeri ka tre karaktere: “atë që ai dëften, atë që ai ka, e atë që ai mendon se ka.” Për të ardhur tek protagonistët, autorë/aktorë bërë njësh që ka në fokus tragjikja Gjebrea.

Ç’shohim kur maskë e fytyrë bërë një? Ç’karakter mbetet në maskëfytyrë: karakteri që dëftejnë, karakterin që kanë a karakteri që mendojnë se kanë? Karaktere që rrëshqasin njëri nën tjetrin! Galeri groteske maskëfytyra të tragjedisë dramatike Gjebrea! Denoncus, inkuizitorë, poshtërues, urrejtje danteske, pushkatim shtazarak, lotë të krokodilta, shpirt e zemërbaltosur, tmerret Gjebrea atëbotë.

 

INKUIZITORËT

Inkuizitorët e Interesantit, që tërheqin fijet i kërkova në autodafè1 inkuizicioni të shtabit, komandës, qarkorit, në raporte, informacione a korrespodenca që lëvizin me korrierë partizanë; te gjykatës veshur me mantelin e “të drejtit” e njëherësh komandantë, komisarë, funksionarë partie në ushtri e terren në rajonin e Vlorës, e të gjithëve në shpirt u zjen ashku për pushtet.

Paksa “nuhatej” dashuria e Interesantit me Zahon, që vjen nga të puthura publike të Interesantit, si me shumë partizanë të tjerë ithtarë të saj, por s’kishte gjurmë ndjesore të asaj që i thonë dashuri, dhe për ta bërë atë të ngjajë me dashurinë, inkuizitorët e përziejnë me gënjeshtra, trillime pa skrupull; dhe gënjeshtra, mashtrimi, intriga kishin marrë në dorë frerët e shtabit, komandës, qarkorit, dhe me fijet e përgjakura të krimit thurnin rrjetën makabre që kuterbon ligësi, gjak, urrejtje për farën njerëzore! Bërë një me harpitë, e gjymtyrë oktapodi përbindësh dhe gjallon çnjerëzore e pabesueshme: Partia hante bijtë më të mirë të saj si edhe ciklopi kollofiti shokët e Odisesë, a përbindëshi Saturn “fëmijët” e vet!

Denoncuesit e koduar, një e nga një me identitetin e tyre: intendent brigade, përgjegjës i komitetit të partisë rajonit të Himarës, komisar batalioni…; s’mjaftojnë, lipsej e një vogëlush shkolle fillore, më pak se dhjetë vjeç të dëshmojë se “kishte” parë dashuri e dëgjuar këngë dashurie, dhe s’ka në kanale inkuizicioni mesjetar fëmijë denoncues në gjyqi! Raportet denoncuese me akuzat e tyre as Ovidit 3 s’do i kish shkuar mendja t’i metamorfizonte në atë farë feje, sado i madh mjeshtër i metamorfozave ishte ai. Demagogjia e kulluar e udhëheqësve të Luftës: “Marrëdhëniet në mes luftëtarëve dhe eprorëve duhet të jenë të shëndosha, të përzemërta, të sinqerta, në mes tyre të zhvillohet kujdesia e dashuria, jo me ia hedh njeri tjetrit, me ba intriga, fymje të ndyta.

RAPORTI I PARË “Sekret”

Komandës Brigadës V, Zona e lirë. … Shokët Zaho Koka dhe Ramize Gjebrea bëjnë dashuri ekstremiste. …fjeti Ramize tok me Zahon, sikur natën e 12 shkurtit, bashkimi i tyre në një krevat, por jo një çikë a një copë herë por kanë vazhduar tërë natën si me qenë burrë e grua të kurorëzuar e të mbyllur në gjerdek. Unë për të mos prishur qetësinë e shokut të mësipërm… deri në ora 3-4 pas mesnate… kam duruar ftohmën e natës pa mos ndezur zjarrin… e them me saktësinë më të madhe, pse jam në gjendje të tregoj edhe mendimin e krerëve, që për atë natë kaluan në flagrancë. …Këtë raport ja bëj kësaj komande… dhe unë jam i sigurt se do të merren masa rigoroze për të qënë si shembull për pasardhësit e tjerë.

Vdekje Fashizmit Liri Popullit 12. 2. 44 Tanush Shyti”

RAPORTI I DYTË

“I dashur shoku Eqim (pseudonimi i Manush Myftiut)

… Një pikë tjetër po të informoj tashti. Kurrë s’kisha për ta besuar, por realiteti është i hidhur dhe ja se si: … ekzagjerohet dhe atëhere kapërcen në skandal. Dhe kjo është e vërtetë, mbasi në shpellë më kanë thënë kanë fjetur bashkë në një rrobe. Këto që them si kam parë vetë, por gjestet e tjera dhe epshet shtazarake që i pashë vetë më bënë të besoj, dhe për të forcuar bindjen prej asaj dite i kam gjurmuar vetë dhe me anën e të tretëve.

Çdo punë për hatër të amores, me sa kam konstatuar puna është lënë pas dore. Do të them edhe një vëzhgim tjetër konkret nga ana e Minella Kapo, cili i vënë nga ana ime ka konstatuar se në një shtëpi tjetër kanë fjetur bashkë etj. etj. … Para gjyqit mund të kishim edhe të tjera mbasi e dini, besoj se do të kenë raportuar edhe të tjerë. Ky është skandal. Ky është turp. Ky është imoralitet.

Vdekje Fashizmit Liri e Popullit Të fala shoqnore

Lefter Kasneci. Çdo gjë me gojë

RAPORTI I TRETË

“I dashur shok Besnik (pseudonimi i Hysni Kapos)

… partizanët nga të ftohtit, urija dhe xhveshja ishin demoralizuar e tue dezertuar. … Me të mbërritur në Jal më afrohet Tanushi[Shyti] e më thotë që Zaho e Ramize kanë gjithë këto net që na lënë pa gjumë pse vijnë në kontakt seksual në mes të partizanëve që flinin në atë dhomë. …

Një gjë shumë e keqe ka ngjarë në shtëpi të Kozma Çalit i ka parë një djalë i vogël, i cili mbetet i trembur kur pa… puthjet që bënin tue mos parë djalin e vogël… në mes të tyre bisedime dashurie e këndonin këngë dashurie…Unë mendova njëherë që të kërkoja ndihmën e shokëve që ti përgjojshim e ti pushkatojshim, mirë po prapë u ndala pse Zahua këtu njihet… dhe popullit i duket se partia është Zahua …

Të fala shoqnore V. F e L. P. Zenel Hamiti 15. 2. 44

RAPORTI I KATËRT

E dashur shoqe Delegate. Ju komunikoj një skandal që ka ngjarë këto ditë. Interesanti rrinte vazhdimisht së bashku me Zv. Komisarin e Bat. III të Brigadës V-të. … Nga këto fillova të dyshojsha dhe për t’u siguruar një natë fjeta pranë shokut, në anën tjetër të shokut është shoqja dhe përtej shpella. Bëra sikur më kishte zënë gjumi dhe dëgjoj që bisedijnë ulët…. Kur u siguruan se të gjithë kishin fjetur fillojnë nga puna. Një dramë e tillë ngjau dy net me radhë.

… Të fala shoqnore V.F. L.P Gramozi 19 frur 1944

AKUZA MORTORE

Denoncimet datojnë: i pari 12 shkurt, i dyti e i treti 15 shkurt. Denoncues i parë intendenti, anëtar shtabi; denoncues i dytë, përgjegjesi i partisë për rajonin Himarë, me lidhje të ngushta me shtabin dhe detyrë në qarkorin e partisë; denoncues i tretë, komisar batalioni e anëtar shtabi; denoncuesi i katërt, anëtar i qëndrorit të rinisë komuniste shqiptare, i dërguar në rajoni i Vlorës nga Tarasi me mision të fshehtë, dhe i ngarkuar me punë në atë rajon nga Dushan Mugosha.

Tetë ditë katër denoncime, njemendi fijetërheqësit i kishin me ngut përgjimet, denoncimet. Denoncimet e fshehta të ndërvarur, koordinuar, shtyrë nga njëri-tjetri, por që fijet ishin në një a disa duar, e sido të jetë kishin një seli, partia vetë, në krye Miladin e Mugosha, e gjymtyrët e tyre në Brigadë e në qëndrën komuniste.(Panorama)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.