EKONOMI

Intervista/ Zef Preçi: Arsyet pse ra Shqipëria në “kurthin e borxhit”! Çdo qytetar detyrohet më shumë se 4 mijë euro

12:46 - 31.01.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga VALENTINA MADANI




Zef Preçi, eksperti i ekonomisë e sheh si serioze situatën e borxhit publik jo aq për normën e tij (% mbi GDP) se sa për faktin se marrja e këtij borxhi nuk duket e lidhur me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Z.Preçi thotë për gazetën “Panorma” se Shqipëria nuk është në prag të “humnerës financiare”, por sipas tij, vendi ynë ra në “kurthin e borxhit”. Ndaj, në kushtet e rritjes së borxhit publik ai sheh si zgjidhje përmirësimin e klimës së biznesit si rezerva kryesore teksa apelon se përqendrimi i tepërt i këtij borxhi në terma afatshkurtër, mund të jetë i rrezikshëm për shkak të zhvillimeve në tregjet botërore.

Z.Preçi, sa kritike është aktualisht situata me rritjen e borxhit publik, i cili për vitin 2021 ka arritur në 80.1% të PBB-së? Përse u rrit borxhi deri në këto nivele?

Problemet që lidhen me borxhin publik janë të lidhura ngushtë me zhvillimin ciklik të ekonomisë së sotme botërore dhe këndvështrimet mbeten të ndryshme dhe nuk janë asnjëherë shteruese.

Të ndalemi tek ekonomia jonë kombëtare. Sa herë që qeveria nuk arrin të mbledhë taksat sipas parashikimit, apo programi i saj politiko-qeverisës është bërë agresiv (d.m.th. shkon përtej fuqisë të vendit), i drejtohet tregjeve financiare dhe merr borxh, të brendshëm dhe të jashtëm. Kështu ka ndodhur edhe te ne. Për më tepër që gjatë dekadës së fundit kemi një kapërcim historik në lidhje me përfshirjen e kapitalit privat në infrastrukturën publike, një përvojë pak e njohur dhe përgjithësisht e pasuksesshme në vendet me shtete jofunksionale, me sistem juridik të korruptuar, me prani modeste të investimeve të huaja direkte, me shtetarë dhe qytetarë me kulturë të mangët financiare, etj., si yni. Kjo sepse siç dihet, borxhi është një kontratë midis brezave. D.m.th. hartuesit e politikave duhet të sigurojnë që barazia të ruhet midis brezave të sotëm dhe të nesërm. Huamarrjet nga qeveria nuk duhet të shihen si përfitim i drejtpërdrejtë vetëm për qytetarët e saj të sotëm, por veçanërisht për qytetarët e ardhshëm, të cilët do të jenë përgjegjës për shërbimin e borxhit, pra për ripagimin e tij.

Ndërkaq, situata e borxhit publik duket serioze jo aq për faktin e normës së tij (% mbi GDP) se sa për faktin se marrja e këtij borxhi nuk duket e lidhur me zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, me krijimin e vendeve të reja të punës, me futjen në qarkullimin ekonomik të atyre burimeve natyrore, materiale, financiare dhe njerëzore që disponon ekonomia jonë kombëtare aktualisht. D.m.th. është imanent rreziku që në kushtet e rritjes ekonomike të ngadalshme, të keqqeverisjes së financave publike e shprehur në shkallën e lartë të informalitetit dhe vazhdimin e agresionit të PPP-ve, zhvillimeve negative në tregjet botërore, etj., bën që vendi të bjerë në atë që njihet si “kurthi i borxhit”. D.m.th. që ekonomia jonë kombëtare të privohet nga burimet e nevojshme për sigurimin e një zhvillimi ekonomik afatgjatë dhe për të ndërtimin e një infrastrukture të qëndrueshme sociale dhe fizike. Aq me tepër që ende nuk po frenohet braktisja e vendit, veçanërisht asaj pjese të shoqërisë që është në moshë të re, e arsimuar më mirë dhe ndoshta që disponon edhe kursime apo kapitale të vetat.

Borxhet që merren në emër të Shqipërisë, sa shtrenjtë paguhen nga qytetarët shqiptarë?

Siç e theksova me lart, borxhi është një marrëdhënie midis brezave dhe kuptohet që sa më të matura, më të arsyetuara, në favor të zhvillimit të jenë politikat që ndiqen sot në marrjen e borxhit, aq më produktive dhe të dobishme do të jenë rezultatet e përdorimit të këtij borxhi në të ardhmen dhe për brezat që vijnë.

Konkretisht, sa është rritur borxhi publik për banorë dhe sa ka qenë premtimi për ta ulur?

Sipas kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2023 – 2025 të miratuar vetëm pak ditë më parë nga qeveria shqiptare, borxhi publik (bruto) për vitin 2021 vlerësohet në 80,1% të GDP-së ose 1,416 536 milionë Lekë. E nëse marrim parasysh numrin e popullsisë prej 2.829.741 me 1 janar 2021, atëherë rezulton se secili qytetar i vendit sot detyrohet mesatarisht ne me shumë se 4 mijë Euro. Ndërsa për premtimin apo planin e qeverisë rreth borxhit publik nuk duhet folur, sepse po bëhet traditë që qeveria shqiptare i përdor krizat si mundësi, d.m.th. nëse pyet për objektivat të përgjigjen me ndikimin e tërmetit të 26 nëntorit 2019 apo me krizën e pandemisë, pavarësisht efekteve reale që ato kanë pasur mbi ekonominë në tërësi dhe financat publike në veçanti.

Si mund të përmirësohet raporti me borxhin publik?

Sipas FMN-së, në një situatë teorike, risqet kryesore që lidhen me borxhin publik janë risku i tregut, risku i rritjes së normave të interesit për shkak të pamundësisë së kthimit të borxhit, risku i likuiditetit, risku i kreditit, risku i pamundësisë së shlyerjes dhe risku operacional. Për mendim tim, në ekonominë tonë kombëtare, ndonëse në shkallë të ndryshëm, janë të mundshme secila prej këtyre formave të shfaqjes së këtyre risqeve. Pavarësisht kësaj, mendoj se ja vlen të ndalemi pak më gjatë në disa prej tyre. Kështu p.sh., raporti midis borxhit të jashtme dhe atij të brendshëm (me peshë afërsisht të barabartë) do të thotë se ekonomia jonë kombëtare është dukshëm e ekspozuar ndaj zhvillimeve në ekonominë botërore, kryesisht në atë Europiane. Në këto rrethana, mendoj se përqendrimi i tepërt i këtij borxhi në terma afatshkurtër, mund të jetë i rrezikshëm për shkak të zhvillimeve në tregjet botërore. Për më tepër që ky borxh është i shprehur apo i indeksuar në monedha të huaja, gjë që shton gjithashtu paqëndrueshmërinë në kostot e shërbimit të borxhit të matura në monedhën vendase për shkak të lëvizjeve të kursit të këmbimit. Në fakt, gjatë dekadës së fundit në ekonominë tonë është vërejtur zgjerimi i borxhit jo vetëm i atij të tregtueshëm, por sidomos atij të patregtueshëm siç është financimi i kontratave koncesionare të qeverisë qendrore e atyre vendore, etj. Në të njëjtën kohë, në përgjigje të shqetësimit publik dhe me mbështetjen e institucioneve financiare ndërkombëtare janë bërë përpjekje për të rritur jo vetëm transparencën rreth borxhit publik, por edhe për një koordinim dhe menaxhim më të mirë të tij.

A është Shqipëria në prag të një “humnere financiare”?

Jo, kjo nuk duhet thënë dhe mendoj se duhet të ruhemi nga qëndrimet alarmuese që nuk ndihmojnë për të kuptuar realitetin ekonomik që na rrethon. Po kjo nuk do të thotë që nuk duhet të shqetësohemi për nivelin shumë të lartë (30-50%) të sektorit informal të ekonomisë, për “kinezerimin” e pranisë se investimeve te huaja direkte, apo nga rritja e pranisë se turke apo vendeve si Arabia Saudite, ndoshta edhe nga Rusia, etj., në një kohë që investitorët nga vendet e BE-së janë larguar apo nuk preferojnë të vijnë në Shqipëri. Edhe më shqetësues mendoj se mbetet agresioni i oligarkisë mbi sektorin publik përmes kontratave të dyshimta të PPP-ve apo përqendrimi i menaxhimit të fondeve të borxhit në një dorë të vetme… Janë të gjitha gjasat që përmes këtij agresioni po penetrojnë në sektorin publik duke u kthyer në borxh për brezat që vijnë edhe flukse financiare me origjinë aktivitetet e krimit të organizuar. Ndoshta këto të fundit inkurajohen nga diskutimi qeveritar vend e pa vend i nismave aq të dëshiruara për këtë të fundit siç është e ashtuquajtura “amnisti e përgjithshme” apo “legalizim i kanabisit mjekësor”… Përndryshe, vazhdimi me arrogancë i kësaj klime biznesi, duke mos lejuar përshpejtimin e ritmeve të rritjes ekonomike, nuk mund të mos rrisë rreziqet edhe sa i takon borxhit publik duke e drejtuar qeverisjen e vendit drejt një kursi të padëshiruar siç mund të jetë rritja e mëtejshme e taksave apo zhvlerësim i pasurive kombëtare.

Sa ndikoi emetimi i Eurobondit me vlerë 650 milionë euro në fund të vitit të kaluar?

Ashtu si dhe operacionet e mëparshme, ky ishte një operacion përgjithësisht i pashmangshëm nëse marrim parasysh situatën e përgjithshme ekonomike të vendit. Por që të mund të evitohet rreziku që “të marrim borxh të ri për të shlyer borxhin e vjetër” (siç po ndodh në të vërtetë) duhej që nga një huamarrje të tjetra të ulej shuma e parave që merren borxh dhe jo e kundërta, siç ndodhi. Rritja e shumës së borxhit dëshmon problemet serioze në mbledhshmërinë e taksave dhe performancën e dobët të autoritetit fiskal.

Çfarë ndikimi kanë PPP-të në borxhin publik?

Në vlerësimin tim, kontratat e deri sotme te partneriteti publik privat, në shumicën e tyre, janë investime të pakërkuara (burojnë nga sektori privat); janë nënshkruar e hartuar në kushtet e transparencës së pamjaftueshme ndaj publikut; përfituese të këtyre kontratave janë kompani (në mos edhe individë) me lidhje të forta politike/klientë të qeverisë; një pjesë e mirë e këtyre përfituesve janë të regjistruara në zonat “offshore” dhe për tepër kanë ndryshuar apo po ndryshojnë pronësinë; përfituesit nuk disponojnë kapacitetit e duhura financiare dhe të ekspertizës (d.m.th. risku është mbartur tërësisht në dëm të shtetit); ofrojnë shërbime me kosto përgjithësisht më të larta se sa kur këto shërbime administroheshin nga shteti; janë nënshkruar periudha të gjata kohe që nuk lidhet me ciklin e biznesit të tyre; janë kontrata të dyshuara gjerësisht si vendimmarrje qeveritare korruptive dhe blerje të procesit të ligjbërjes për to; autoritetet shtetërore që bëjnë monitorimin e këtyre kontratave janë të kontrolluara politikisht dhe nuk përmbushin si duhet detyrimet e tyre ndaj qytetarëve, votuesve dhe taksapaguesve shqiptare. Modeli më i keq dhe emblematik i këtyre kontratave dhe i mosveprimit të qeverisë për të mbrojtur interesat publike janë kontratat e inceneratorëve, aktualisht në hetim nga SPAK-u. Sa për ndikimin e këtyre kontratave në borxhin publik, mjafton një fjali e vetme: ato përbëjnë një borxh publik të fshehtë që nuk kalon në rrugën normale të përfshirjes së Kuvendit dhe të trajtimit si i tillë (borxh).

Para vitit 2013, Kryeministri Rama ka deklaruar se rritja deri ne 70% është shumë e lartë, ndërkohë që tani ka shkuar në 80.1 %… A mund të përdoret si justifikim se rritja e borxhit erdhi si rezultat i dy krizave, tërmetit dhe pandemisë?

Sigurisht, edhe pse mendoj se investimet për rindërtimin pas tërmetit duhej të ndikonin më shumë në ekonomi nëse paratë do të investoheshin në kohë dhe në kushte konkurruese (d.m.th. të mos ju shpërndaheshin me negocim jo transparent oligarkëve apo deri edhe në përdorimin për llogari të tyre të formës së dyshimtë të shpronësimeve gjoja “për interes publik” për t’ua kaluar pastaj tokat/trojet e oligarkëve të përzgjedhur nga bashkia/qeveria.

Cila është zgjidhja sipas jush në një situatë të tillë? Çfarë hapash duhet të ndjekë qeveria…?

Është vështirë të japësh një recetë që ezauron përgjigjen. Ajo që mund të thuhet është që përmirësimi i klimës së biznesit mbetet rezerva kryesore që bën vendin më të preferueshëm për investitorët e huaj, që mundëson rritjen më të shpejtë të ekonomisë dhe për rrjedhojë edhe të mirëqenies/ konsumit. Në këtë mënyrë mund të shtohen edhe të ardhurat ne buxhet dhe krijohen kushtet për të ulur gradualisht nivelin e borxhit publik. D.m.th. receta kryesore është mirëqeverisja, e cila për hir të vërtetës, mungon dhe personalisht nuk jam aspak optimist se mund të arrihet së afërmi.

A i jepni të drejtë shqetësimit të FMN-së për rritjen e rreziqeve fiskale dhe mungesën e të dhënave të sakta për projektet e partneritet publik privat (PPP). Cilat janë këto rreziqe të shtuara?

Plotësisht. Ajo që ka rëndësi për momentin sipas mendimit tim, është që të “filtrohen” të gjitha kontratat ekzistuese të PPP-ve, që të finalizohet sa shpejt investigimi i SPAKut për inceneratorët, sepse edhe numër kontratash të tjera janë analoge me të, sidomos sa i takon përzgjedhjes së kompanive dhe rrezikut të shtuar në dëm të buxhetit) si dhe kryesorja të gjenden shtigjet ligjore për rishikimin e kushtet kontraktuale për disa të tjera. Ndërkaq, procedurat për kontrata mendoj se duhen anuluar si cenim i interesave publik.

Marrë nga Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.