DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Meta – Berisha, plan për shkarkimin e Rakipit. Kryeministri ka gati Spartak Brahon për Prokuror të Përgjithshëm

07:00 - 03.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

3  Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë.




 

  • Meta – Berisha- Spartak Braho kandidati për postin e Rakipit

Plani për shkarkimin e Kryeprokurorit

Krijohet Poli i Kryeministrit te Vila 30. Mbështetës të Metës thonë se numri i tyre është 38 deputetë. Kush janë të vendosurit dhe të lëkundurit në këtë Pol dhe a kanë pranuar ata të votojnë së bashku me deputetët e Berishës kundër Arben Rakipit…

Petro Koçi: Grupi qeveritar i PS ka hartuar një komplot me Berishën për të paraqitur mocion mosbesimi kundër Prokurorit të Përgjithshëm

 

  • Kryeministri ka gati Spartak Brahon për Prokuror të Përgjithshëm

Meta – Berisha, plan për shkarkimin e Rakipit

Tiranë – Gati plani për të shkarkuar në Parlament Kryeprokurorin e Republikës, Arben Rakipi. Përveç deklaratës së djeshme të sekretarit organizativ të PS Petro Koçi, sipas të cilës, “grupi qeveritar në PS në bashkëpunim me opozitën duan që të heqin kryeprokurorin Rakipi me anë të një mocion mosbesimi në Kuvend”, edhe burime shumë pranë Kryeministrit, e pohojnë një marrëveshje të tillë.

Madje këto burime konfirmojnë se emri i zëvendësuesit të Rakipit, tashmë është gati. Spartak Braho, deputeti i Durrësit, pritet të jetë kandidati i propozuar për këtë post pas rrëzimit që grupi i Metës do t’i bëjë Rakipit përmes bashkimit të votave të tyre me ato të deputetëve të Berishës. Për të shkarkuar Kryeprokurorin e Republikës duhen 71 vota kundër, ose 50 plus 1 të gjithë deputetëve në Parlament. Me fjalë të tjera, Berishës me 46 deputetë i duhen vetëm 25 deputetë të grupit që mbështet Kryeministrin për të shkarkuar Kryeprokurorin e Republikës.

Deklarimi i Petro Koçit dje për një aleancë të fshehtë mes mbështetësve të Metës dhe deputetëve të Berishës u bë dje, ndërsa ishte anuluar mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste. Këtë fakt Koçi e cilësoi si një pikë krize të pakthyeshme brenda Partisë Socialiste. Ky është denoncimi i parë publik i aleancave të fshehta që përmendeshin nën zë mes socialistëve. Palët akuzonin njëra- tjetrën, se “po bashkëpunon me Berishën”, por dje sekretari Organizativ, Petro Koçi, ka akuzuar direkt. Megjithatë, si gjithmonë, ai nuk ka dhënë emra, se cilët janë deputetët e PS-së që kërkojnë të heqin nga detyra kryeprokurorin Arben Rakipi. Opozita kishte paralajmëruar se, me hyrjen e saj në Parlament, do të paraqiste disa mocione mosbesimi. I pari ishte ai për qeverinë, por ky variant ra për shkak të dorëheqjes së Metës. Mocioni i dytë pritet të bëhet kundër kryeprokurorit Arben Rakipi. Prej tij duket se kanë marrë frikë disa deputetë socialistë, por edhe mbështetës të Metës, pas hapjes së disa hetimeve për zyrtarë socialistë që kanë abuzuar. Në tekstin e dorëheqjes kryeministri Meta përmendi edhe segmente të drejtësisë, që po përdoren për qëllime politike. Ai nënkuptoi hapur kryeprokurorin Rakipi, i cili sapo kishte nisur hetimet për disa tendera në Ministrinë e Mbrojtjes, në kohën kur në krye të saj ishte Luan Hajdaraga. Emri i Rakipit u përmend gjerësisht gjatë fushatës së lëvizjes “Nano”. Ai u përshëndet nga kryetari i PS-së, kur nisën hetimet në lidhje me disa çështje të denoncuara prej tij. Trazirat politike dhe polarizimi i tejskajshëm i grupit parlamentar të PS-së ka bërë që imuniteti i Rakipit të jetë shumë i prekshëm. Deklarimi i djeshëm, i dhënë nga ana e sekretarit Organizativ, Petro Koçi, për një marrëveshje mes deputetëve të opozitës dhe një pjese të deputetëve të PS-së për të larguar Rakipin, ishte më shumë një paralajmërim.

Në Prokurorinë e Përgjithshme janë gati dosjet me fakte të rënda ndaj disa zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe disa ministrave për implikim të tyre në afera korruptive dhe kriminale.

  • Dështon mbledhja e Kryesis. Luftë deklaratash në PS

 Tërësisht të kundërt dhe shumë të tensionuar kanë qenë dje drejtuesit e lartë të PS-së. Dokle, ruçi, Agasi, Koçi apo edhe Zela e Legisi kanë bërë deklarime të gjata për atë që po ndodh brenda PS-së. Në disa raste ata kanë folur nga dy-tri herë. Kryetari i Kuvendit, Namik Dokle, brenda dy orëve ka pranuar të flasë dy herë para shtypit, ndërsa sekretari Organizativ, Petro Koçi, e ka hapur tri herë derën e zyrës së tij për gazetarët.

Bardhyl Agasi: Jemi në një situatë krize dhe duhet që të mblidhemi dhe të vendosin zgjidhjen e çështjeve prioritare. Në këtë moment prioritar është formimi i qeverisë së re. Pas kësaj le të bëjmë diskutimin për referendumin apo kongresin. Por pala tjetër nuk pranon, ata duan që të diskutohet referendumi bashkë me qeverinë e re dhe kryeministrin e ri.

Namik Dokle: Duhet që të zgjedhim një kryeministër dhe një qeveri që të mos silurohet nga asnjë palë më pas. Ajo duhet të jetë afatgjatë dhe të ketë mbështetjen e të gjithëve brenda Partisë Socialiste. Konsensus s’do të thotë bindje e verbër. Ata kërkojnë referendumin, më parë duhet që të zgjidhet çështja e qeverisë dhe të gjendet kryeministri. Unë sot erdha për të marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë, ku do të vendosej, por nuk e kuptoj se pse është anuluar. Thuhet se të hënën do të mbahet sërish, por nuk lajmërohet ora.

Gramoz Ruçi: Duhet që të zgjedhim urgjentisht kryeministrin. Më vonë bëjmë edhe kongresin dhe referendumin. Unë do të jem gati që t’i bindem vendimeve të tij, por më parë të zgjidhim krizën qeverisëse. Ky referendum që kërkohet të mbahet brenda PS-së, edhe pse mund të ketë marrë një të tretën e firmave të anëtarëve, bëhet për të realizuar qëllimet personale të ndokujt. Ata duhet të mbledhin forumet, nëse këtë s’e bëjnë, ka mënyra të tjera që realizohet kjo gjë. Do të mbahet edhe kongresi i jashtëzakonshëm, por më parë të gjejmë kryeministrin këtu në kryesi. Pastaj ky është një vendim politik dhe grupi parlamentar socialist do ta votojë. Unë personalisht do ta jap votën time pro për kryeministrin që do të dalë nga mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste. S’kemi folur për emra dhe, nëse mund të kem propozime, këto s’do t’i them për shtypin.

Ilir Zela: Fatos Nano po bllokon qeverinë e re dhe krijimin e saj me veprimet e tij.

Ndre Legisi: Kjo krizë është përgjegjësi direkte e Fatos Nanos.

 

  • Ruçi: Kryesia duhet të mblidhet me urgjencë

Sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruçi, i është përgjigjur dje akuzave që i janë bërë. Ruçi ka thënë se Petro Koçi kishte gënjyer pas mbledhjes së kryesisë. “Koçi nuk foli me mendjen e tij, por me atë që i tha Fatos Nano”, tha Ruçi. Marrëdhëniet mes tij dhe kryetarit të PS-së, si dhe sekretarit Koçi janë më se të tensionuara. Ruçi duke shpjeguar idenë e tij për zgjidhjen e krizës ka hedhur poshtë edhe akuzat që i janë bërë atij. Pas raundit të katërt të mbledhjes së kryesisë së PS-së, sekretari Organizativ, Petro Koçi, kishte thënë se Gramoz Ruçi kishte përfaqësuar palën qeveritare dhe se kishte kërkuar mbajtjen e kongresit të jashtëzakonshëm zgjedhor për të hequr Fatos Nanon dhe drejtues të tjerë të PS-së, që kanë marrë pjesë në lëvizjen e fundit. Pas mbledhjes së kryesisë së PS-së sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruçi, nuk ka pranuar që të flasë dhe të tregojë se çfarë ndodhi brenda në mbledhjen që u la në mes. Ai është larguar menjëherë, duke thënë vetëm fjalët: “Do ketë konferencë për shtyp”. Por kjo konferencë nuk i ka pëlqyer aspak, kur ka parë se sekretari Organizativ, Petro Koçi, e akuzoi direkt, se kërkonte që të largonte Nanon nga drejtimi i partisë. Kjo ka qenë arsyeja që ai dje ka reaguar i revoltuar si asnjëherë tjetër. Ruçi gjithmonë ka përmendur institucionet e partisë dhe i është shmangur debateve nëpërmjet shtypit, por dje këtë rregull të tij nuk e respektoi më dhe, për më tepër, e akuzoi Koçin si gënjeshtar.

Një ditë më pas Ruçi e ka shpjeguar idenë e tij në lidhje me këtë çështje, duke thënë se më parë duhet që të zgjidhet kriza qeveritare  dhe qeveria, më pas të diskutohet për referendumin apo kongresin. “Kryesia e PS-së duhet të mblidhet urgjentisht që të zgjedhë kryeministrin dhe më pas, si vendim politik, grupi parlamentar ta pranojë”, tha Ruçi.

A.K.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.