AKTUALITET

Harta e re gjyqësore/ Këshilli bashkiak Korçë rezolutë Ramës dhe Manjës: Të rishikohet

18:53 - 03.02.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Harta e re gjyqësore ka hasur në kundërshtimin e dhomave të avokatisë në të gjithë vendin, ndërsa kundër saj janë shprehur edhe një pjesë e mirë e gjyqtarëve në gjykatat që mendohet të shkrihen.  Në lidhje me hartën e re gjyqësore ka reaguar dhe Këshilli Bashkiak i Korçës, i cili i ka dërguar një rezolutë kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja për të riparë draftin e hartës së re gjyqësore, ky synohet shkrirja e të gjitha institucioneve të drejtësisë në një vetme.




Në dokumentin në fjalë, përmenden si pasoja negative të këtij projektligji: rritja e kostove për qytetarët për mbulimin e shpenzimeve gjyqësore dhe transportit, mbingarkesën e punës për punonjësit e drejtësisë, por kryesorja përmendet se hartuesit e këtij projektligji nuk e kanë marrë në konsideratë se vite më parë ekzistonte një Gjykatë e vetme Apeli në Shqipëri me shumë gjyqtarë dhe pak çështje. Iniciativa e qeverisë bëri më pas që të krijoheshin gjykatat e apelit nëpër rrethe.

Në lidhje me qytetarët, Këshilli Bashkiak i Korçës shton se me hartën e re gjyqësore humbet aksesi në shumë shërbime për komunitetin.

Në fund, Këshilli Bashkiak i Korçës kërkon që të mos shkrihen gjykatat Administrative dhe të Apelit në Korçë si projektligji të marrë në konsideratë shqetësimet e qytetarëve si dhe përpjekjet e ngjashme të kaluara, që dështuan.

 REZOLUTA E KËSHILLIT BASHKIAK TË KORÇËS DREJTUAR RAMËS DHE MANJËS:
Mbyllja e tyre, ul aksesin e qytetarëve në marrjen e këtij shërbimi. Aksesi në drejtësi lidhet me distancën qytetar-gjykatë, numrin e popullsisë në marrjen e këtij shërbimi, kostot e qytetarit në përfitim, si dhe me rritjen e cilësisë së këtij shërbimi. Me largimin e këtyre dy gjykatave rriten kostot për qytetarët dhe për institucionet publike që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qytetin e Korçës. Një banori të Rajonit të Korcës do t’i duhet një kohë shumë e gjatë udhëtimi drejt kryeqytetit apo drejt qytetit të Lushnjës, për të marrë shërbime pranë këtyre gjykatave, dhe po një kohë e gjatë për t’u kthyer pranë vendbanimit të tij. Korça është qyteti më i largët, me distancë dhe kohë udhëtimi të gjatë nga qytetet ku janë projektuar gjykatat e reja. Kjo rrit për qytetarët edhe për institucionet shpenzimet që lidhen me kostot e udhëtimit, ul efektshmërinë dhe efikasitetin e administratës e cila do të detyrohet të udhëtojë jashtë qytetit, për cdo gjykim që do zhvillohet në Gjykatë Apeli, apo çdo gjykim administrativ në shkallë të parë. Ndërkohë që për banorët e tjerë në njësitë administrative jo vetëm të Bashkisë Korçë por edhe atyre të Kolonjës, Devollit, Pogradecit dhe Maliqit distanca dhe koha e aksesit në gjykatë gati dyfishohet.

Hartimi i kësaj rezolute merr si shkas edhe dy përvoja, një të mëparshme dhe një aktuale. Draft harta e re gjyqësore nuk merr për bazë që sistemi gjyqësor ka qenë i organizuar edhe më parë me një gjykatë të vetme Apeli me seli në Tiranë, në një kohë me një numër gjyqtarësh shumë më të madh nga çka rezulton sot dhe me një numër më të vogël cështjesh në gjykim, dhe një organizim i tillë rezultoi i dështuar dhe solli rritjen e numrit te gjykatave të apelit nëpër rrethet gjyqësore ku u vendosen. Gjithashtu nuk ka marrë për bazë përvojën aktuale të gjykatës së vetme të Apelit Administrativ me seli në Tiranë, e cila u krijua për të përshpejtuar dhënien e drejtësisë në gjykimin e cështjeve administrative, por në fakt rezultoi jo efektive dhe nuk përmbushi qëllimin për të cilin u krijua duke e çuar përfundimin e gjykimit në Apelin administrativ nga 4-5 vjet. Një gjë e tillë është konstatuar edhe nga ana e institucionit tonë për çështjet që kemi në gjykim pranë kësaj gjykate.

Në ndryshim nga Gjykata Administrative e Apelit, Gjykatat e Apelit, sipas Rretheve Gjyqësore ku janë vendosur, kanë gjykuar në afate shumë më të shkurtra dhe të arsyeshme duke afruar shërbim më të shpejtë tek qytetari dhe institucionet. Gjykata e Apelit Korçë, aktualisht përfundon shqyrtimin e cëshjtjeve gjyqësore brenda një afati 3-5 muaj, ndërkohë që pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Bashkia Korçë, ka çeshtje që pret të shqyrtohen që prej vitit 2016, pra më shumë se 5 vjet. Mbyllja e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit si dhe institucioneve të tjera që kanë lidhje me to, sjell pasoja për qytetarin dhe të drejtën e tij që synon ta rivendosë apo ta mbrojë para Gjykatës, si dhe institucionet vendore dhe rajonale që janë palë në gjykime, brenda një afati të arsyeshëm ligjor dhe me sa më pak kosto.

Draft harta e re gjyqësore shumfishon kostot e shpenzimeve gjyqësore për: a. Qytetarët te cilët përveç pagesës së përfaqësimit në gjykim duhet të paguajnë edhe kostot e transportit dhe akomodimit të përfaqësuesit apo avokatit të tyre. b. Institucionet, të cilat duhet të paguajnë kosto transporti dhe akomodimi për përfaqësuesit e autorizuar të tyre. Ndikimi më i madh është tek efiçenca në punë. Aktualisht një jurist përfundon përfaqësimin e institucionit në një gjykim për rreth 1 orë, ndërkohë që nëse do t’i duhet të përfaqësojë institucionin pranë gjykatave në Tiranë i nevojitet më tepër së një ditë pune. Këshilli i Bashkisë Korçë drejtohet me kërkesat si më poshtë: 1. Të rishikohet draft harta e re gjyqësore duke lënë në funksion Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë dhe Gjykatën e Apelit Korçë. 2. Harta e re gjyqësore të marrë në konsideratë interesin më të lartë të qytetarëve duke ju referuar të kaluarës, gjendjes aktuale dhe perspektivës të rajonit juglindor.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.