LAJMI I FUNDIT

Seanca për shkarkimin e Metës/ Përfaqësuesit: Presidenti nuk ka shkelur Kushtetutën. Ja pse seanca pritet të mbyllet pa një vendim edhe sot

10:37 - 03.02.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka nisur seanca maratonë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së mazhorancës për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “Balkanweb” se përfaqësuesit e Presidentit Meta kanë mbërritur në seancë me një dosje voluminoze dhe pritet të japin argumentet e tyre mbi çështjen.




Kjo është seanca e dytë, pas asaj të zhvilluar dy ditë më parë, e cila përfundoi pas shumë orësh pa një vendim. Nga ambientet e Gjykatës Kushtetuese, gazetarja Klodiana Lala raportoi për “Balkanweb” se edhe seanca e sotme pritet të mbyllet pa një vendim final për fatin e Presidentit Meta, për shkak se si përfaqësuesit e Kreut të Shtetit, ashtu edhe gjyqtarët, do duan kohë.

Edhe kjo seancë pritet të jetë e gjatë dhe me shumë debate, ku tashmë ka nisur me avokatët dhe ekipin mbrojtës të Presidentit, të cilët pritet të japin të gjitha argumentet e tyre mbi çështjen. Më tej, ata do të njihen me pyetjet e relatorëve dhe gjyqtarëve, dhe siç raporton gazetarja Lala, ata do të kërkojnë kohë për t’u përgjigjur.

Por, edhe gjyqtarët do të duan kohë për të marrë vendimin final ndaj Presidentit, pasi ky nuk është një vendim që lidhet me emrin e Ilir Metës, por me mënyrën si funksionon Kreu i Shtetit dhe deri ku shtrihen kompetencat e Presidentit, gjë që do të vlejë edhe për emrat që do të drejtojnë këtë institucion në vijim.

Dervishaj: Kuvendi nuk ka zbuluar asnjë akt të Presidentit ku të kishte shkelur Kushtetutën

Teksa Kuvendi ka deklaruar se arsyeja e shkarkimit të presidentit është për shkelje të rënda të Kushtetutës, përfaqësuesi ligjor i presidentit tha se mbrojtja e Presidentit është një dosje me 140 faqe dhe se Kuvendi nuk ka zbuluar asnjë akt të Presidentit ku të kishte shkelur Kushtetutën.

Ai deklaroi se Presidenti i qëndron plotësisht kërkesave të 1 korrikut.

“Presidenti i Republikës pas marrjes së njoftimit të nisjes së procesit të shkarkimit të tij, ka mbajtur komunikim shkresor me kuvendin, duke i nisur ankesat apo këshillat që të mos binte ndesh me parimet kushtetuese.

Neni 90 i kushtetutës përcakton se nuk ka përgjegjësi në aktet e ushtruara gjatë detyrës se tij… duke e vlerësuar gjithë procesin e iniciuar për shkarkimin e kreut të shtetit, rezultoi se në asnjë paragraf të kërkesës së deputetëve apo të raportit të komisionit të ligjeve, nuk është arritur të zbulohet asnjë akt i vetëm i presidentit që mund të kishte shkelur në mënyrë të rreptë kushtetutën.

Edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë, parimi për një proces të rregullt ligjor”, tha Dervishaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.