LAJMI I FUNDIT

Skandali me pagat/ FSHF mohon lajmin dhe sulmon mediat. Publikohet dokumenti që e nxjerr bllof Armand Dukën

14:44 - 03.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazeta ‘Panorama’ publikoi ditën e sotme një listë të rrogave të çmendura të besnikëve të kreut të FSHF, Armand Duka, rroga që kapin vlerën e deri 16 milion lekëve.




Drejtuesit më të lartë të FSHF-së, që janë njëkohësisht edhe njerëzit më besnikë të Armand Dukës, kanë trefishuar këtë vit rrogat e tyre, duke kaluar jo vetëm pagat e Presidentit dhe të Kryeministrit, por që do ua kishte zili edhe Presidenti I UEFAs, Ceferin, apo ndonjë drejtues tjetër i lartë në UEFA dhe FIFA.

Ajo që bie në sy është se rritja e pagave ka ndodhur në një kohë që Armand Duka po i angazhon ata për rizgjedhjen e tij në krye të FSHF edhe për 4 vite të tjera.

Në lidhje me lajmin në fjalë, ka reaguar vetë organi më i lartë futbollistik në vend, që shprehet se gjithçka nuk është e vërtetë dhe se nuk është gjë tjetër veçse një fushatë dezinformimi e mashtrimi, e dirigjuar nga Erion Veliaj.

Mirëpo, zbulimi i ‘Panoramës’ nuk erdhi nga hiçi. Mjafton që të shikosh listën e famshme të pagave, që tanimë ndodhet në celularin e shumicës së qytetarëve shqiptarë, për të kuptuar ‘çmendurinë’ me pagat në FSHF.

TREFISHIMI I RROGAVE NË FSHF:

Në majën e listës me rrogat e çmendura të publikuara nga ‘Panorama’, është Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku. Rroga e tij është 16 milionë lekë të vjetra në muaj, nga 5,2 milionë lekë që e ka pasur në janar 2021, sipas dokumentit që doli në media. Në këtë mënyrë, ai është edhe personazhi i sportit me rrogën më të lartë në këtë listë që, edhe si futbollist, ndoshta nuk do ta kishte marrë kurrë.

Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në FSHF, Edlira Jaupaj, nga 3 milionë lekë në muaj, që ia kishte caktuar vetes deri në prill 2021, këto muaj e ka çuar në 9.3 milionë lekë.

Nuk mbetet pas as drejtori i zyrës ligjore, Aldi Topçiu, që këto ditë e kemi parë duke mbrojtur me çdo kusht shefin e tij Armand Duka. Arsyeja qenka e thjeshtë. Me sa duket, Duka ka vendosur që ta shpërblejë edhe atë për besnikërinë duke ia rritur rrogën në mbi 8 milionë lekë në muaj, nga 2.3 milionë lekë që e ka pasur në prill.

Edhe Erand Ibrahimi, specialist për strukturat organizative ka pësuar rritje rroge. Nga 1.9 milionë qe e ka pasur, tashmë ai e ka 7 milionë lekë, pra më shumë se 3-fishin e rrogës së mëparshme.

Edhe Marjus Sulejmani, me detyrë po specialist për strukturat organizative ka pësuar trefishim page nga Duka. Nga 1.26 milionë që e ka pasur, tashmë Armand Duka ia ka çuar besnikut të tij në 6.2 milionë lekë

Nuk mbetet pas as Andi Verçani, që ashtu sikurse Aldi Topçiu janë bërë dy “avokatët mediatikë” të Dukës, për rizgjedhjen e tij me çdo kusht edhe për një mandat të gashtë në krye të FSHF-së. Nga 1.3 milionë që e ka pasur në prill, Armand Duka ia ka rritur në 6.2 milionë lekë në muaj.

Rritje pagash kanë pësuar dhe emra të tjerë të cilët po merren me manipulimin e procesit të zgjedhjeve brenda FSHF-së duke punuar në favor të Armand Dukës.

REAGON FSHF: DEZINFORMIM DHE MASHTRIM!

Por, menjëherë pas publikimit të këtij lajmi ka reaguar me anë të një njoftimi zyrtar edhe Federata Shqiptare e Futbollit, që shprehet se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se e gjitha është një fushatë dezinformimi dhe mashtrimi nga kjo media, që sipas tyre dirigjohet nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Deklaratë e plotë për mediat e Federatës Shqiptare të Futbollit:

Vazhdon fushata e dezinformimit dhe mashtrimit nga gazeta “Panorama”, e dirigjuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Përditë, me gjithë përgënjeshtrimet dhe deklaratat e bëra, kjo media joprofesionale dhe e vënë në shërbim të klaneve politike që me patjetër duan të sajojnë diçka, për të bindur opinionin publik se në FSHF ka abuzime, shpërdorime sidomos me fondet, sot ka fabrikuar lajmin e rremë se pagat e punonjësve të FSHF-së janë trefishuar. Kjo përpjekje qesharake, që i ngjan asaj të një dite më parë pasi simotra e saj “Panorama Sport” në titullin kryesor shkruante “Ceferin nxjerr blof Dukën dhe nuk vjen në Tiranë”, ndërkohë që presidenti i UEFA-s aktualisht ndodhet në kryeqytet për një vizitë, vijoi edhe sot teksa kjo fletushkë joprofesionale tentoi përsëri të godasë, duke dezinformuar dhe gënjyer haptazi. Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet zyrës së saj të financës konfirmon për publikun e gjerë se tabela e pagave nuk ka pësuar asnjë ndryshim në këtë periudhë dhe jo më, të trefishohet. I bëjmë thirrje opinionit publik që të mos ndikohet nga dezinformomi i vazhdueshëm dhe i përditshëm i mediave të kapura nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.