AKTUALITET

Kuvendi i Malit të Zi voton për rrëzimin e qeverisë

22:36 - 04.02.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kuvendi i Malit të Zi votoi mocionin e mosbesimit për Qeverinë e kryeministrit Zdravko Krivokapiq – me çka merr fund mandati i kësaj qeverie. Për shkarkimin votuan 43 deputetë, ndërsa kundër ishin 11. Nga 81 deputetë, 54 votuan.  Për rrëzimin e Qeverisë votuan të gjitha partitë opozitare, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, dhe partitë e koalicionit të deritashëm, Lëvizja Qytetare URA dhe Civis. Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, Qeveria e Krivokapiqit do të vazhdojë të punojë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re. Votimi i mosbesimit i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e Qeverisë së re. Qeveria e Krivokapiqit, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh më 4 dhjetor të vitit 2020, me votat e Frontit Demokratik pro-serb, të Demokratëve dhe të Lëvizjes Qytetare URA. Këto parti mposhtën Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) në zgjedhjet e gushtit të atij viti. Por, prejse është formuar në dhjetor të 2020-ës, kabineti i Krivokapiqit është përshkuar me grindje midis partnerëve të koalicionit – atyre pro-serbë dhe pro-evropianë – gjë që ka çuar në tkurrjen e mbështetjes publike për të.   Mocioni i mosbesimit është iniciuar nga URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazovic. Më herët, Demokratët – që ishin pjesë e koalicionit të deritashëm – reaguan ashpër ndaj nismës për rrëzimin e Qeverisë së Krivokapiqit, kryesisht për faktin se nisma do të votohej me votat e opozitës. Boris Bogdanoviq, nga Demokratët, e cilësoi iniciativën si tradhti: “Ata që premtojnë një gjë, bëjnë një tjetër dhe përfundojnë me DPS-në… Ne nuk kemi mesazh tjetër, përveçse tradhti”. Kuvendi i Malit të Zi, gjatë ditës së premte, refuzoi të diskutojë propozimin e Krivokapiqit për shkurtimin e mandatit të legjislativit. Shumica e deputetëve abstenuan gjatë votimit, për të mos e futur atë pikë në rend dite. Nga 77 deputetë, vetëm 29 votuan për debatin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, kryesisht ata nga Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik, kurse abstenuan kryesisht deputetët nga opozita. Synimi i Krivokapiqit ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast të shkurtimit të mandatit të Kuvendit.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.