Kryesore

“Do ta ndjekim nga afër!”, SHBA-BE mbështesin hetimin e “inceneratorëve” në Kuvend. Kush dhe pse po tenton ta sabotojë zbardhjen e skandalit?

17:02 - 04.02.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këshilli i Mandateve dhe Rregullores në Kuvend vendosi të shtyjë deri në fund të shkurtit afatin e komisionit hetimor për “skandalin e inceneratorëve”, një iniciativë e Partisë Demokratike e miratuar me konsensus tetorin e kaluar në Kuvend.




Menjëherë pas vendimit të debatuar në këshill mes PS dhe PD, dy ambasadorët më të rëndësishëm në vend, Yuri Kim e SHBA dhe Luigi Soreca i BE mbajtën qëndrim të qartë “pro” vazhdimësisë së hetimeve. “Lufta ndaj korrupsionit është prioritet, mirëpresim vijimin e komisionit për inceneratorët. Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të ndërmarrin veprimet e duhura”, shkruajti në Twitter ambasadorja Kim duke përkrahur hapur kërkesën e opozitës. Jo vetëm kaq, ajo e mbylli ‘cicërimën’ në formë paralajmërimi: Ne do ta ndjekim këtë nga afër.

Të njëjtin “bekim” për vijimin e punës së komisioni hetimor dha edhe ambasadori Soreca.

Qëndrimi i hapur i diplomatëve për zbardhjen e çështjes së inceneratorëve të lë të kuptosh se ka një përpjekje për ta varrosur këtë skandal dhe dikush është i interesuar që debati të mbyllet sa më shpejt. Edhe sot, në mbledhjen e këshillit të mandateve përfaqësuesja e PS-së, Ermonela Felaj foli kundër zgjatjes së hetimeve. Ajo tha se komisioni ishte në tejkalim të afateve dhe se “puna” kishte përfunduar më 25 janar. Por, me gjasë një urdhër politik e bëri Felajn të ndryshojë qëndrim dhe në fund këshilli iu bind opozitës. “Maxhoranca i dha një mundësi opozitës të vijojë hetimin”, tha ajo pa dhënë shpjegime për ndryshimin e qëndrimit.

Nuk përjashtohet që, presioni diplomatik e ka detyruar PS-në të ndërrojë mendje dhe të pranojë vazhdimin e hetimit parlamentar për “skandalin e inceneratorëve”. Debati për këtë çështje vjen në një moment të pavolitshëm për PS. Testi politik i zgjedhjeve të 6 marsit dhe situata e paqetë brenda grupit parlamentar socialist duket e kanë shqetësuar Ramën i cili ka dashur të heqë një “kungull” të sikletshëm nga sqetulla. Basha përsërit se koka e aferës qëndron në Surrel. Nga pikëpamja politike, PD është e pakënaqur me një fitore të vogël siç ishte “koka” e Lefter Kokës. Nga pikëpamja penale duket i vështirë implikimi personal i Edi Ramës përsa kohë kemi të bëjmë më vendime kolegjiale të Këshillit të Ministrave. Por, politikisht “rënia e ushtarëve” një nga një, do të ishte një lajm i keq për kreun e qeverisë. Ndaj, ai u përpoq pa sukses “ta varrosë” këtë çështje.

ÇFARE PO HETOHET DHE ARRESTIMI I KOKES

Komisioni parlamentar u ngrit për të hetuar procedurat e dhënies me konçension të tre impanteve të përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë me vlerë mbi 400 milionë euro. Kjo është një çështje e vjetër për të cilën opozita ka së paku 5 vite që flet për marrëdhënie korruptive.

Në fund të vitit të kaluar, pas një hetimi të gjatë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u arrestua me akuzat e ‘shpërdorimit të detyrës’, ‘korrupsionit pasiv’ si dhe ‘pastrimit të produkteve të veprës penale’ gjatë procedurave për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Dy pronarët e kompanive të lidhura me inceneratorët, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto u akuzuan gjithashtu për ‘korrupsion aktiv’ dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, por janë në arrati. Të dy ata zotërojnë kompanitë që kanë aktualisht kontrata për ndërtimin e inceneratorëve të Fierit dhe Tiranës me vlerë qindra milionë euro.

Qeveria shqiptare e gjendur përballë këtij skandali nuk ka preferuar që të rishikojë kontratat koncensionare me Gugalljan dhe Zoton, përkundrazi ka vijuar pagesat nga thesari i shtetit në adresë të kompanive të tyre.

Vendimi u justifikua nga kryeministri Edi Rama si një detyrim ligjor i qeverisë për të respektuar kontratat me këto kompani, ndërsa inceneratorët i quajti “vepra të mëdha” që s’kanë lidhje me korrupsionin që kanë bërë individët.

Opozita është e pakënaqur me këtë arrestime dhe i ka bërë thirrje SPAK-ut për të hetuar më lart dhe ka bërë përgjegjës direkt kryeministrin Edi Rama.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku ka folur për “një grup të strukturuar kriminal” në krye të të cilit qëndron Rama. Sipas saj, qytetarët shqiptarë po vazhdojnë të paguajnë për shërbime që nuk po i marrin.

RAMA, AHMETAJ E VELIAJ PARA KOMISIONIT

Që nga kryeministri i vendit, zv/kryeministri, kryetari i bashkisë së Tiranës e deri tek specialistët e mjedisit, të gjithë do të dëshmojnë para komisionit hetimor parlamentar.

Opozita ka publikuar një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit ku thuhet se shqiptarët ende po paguajnë për shërbime që nuk po i marrin.

“Afera më e madhe korruptive, ashtu siç thotë edhe raporti i fundit i performancës, i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili nuk është bërë akoma publik, por sigurisht që është vënë në dispozicion të opozitës dhe të gjithë faktorëve, tregon që qytetarët e Tiranës që nga viti 2018 po paguajnë dy herë një incenerator inekzistent në zonën e Sharrës”, tha Tabaku. Përballja e Ramës, Ahmetajt e të tjerëve pritet të jetë një tjetër “spektakël” politik i përplasjes PS-PD në prag të zgjedhjeve të 6 marsit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.