DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Letër e hapur II/ Edi Rama: O Nano, o miku im i humbur!

19:00 - 05.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

6 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë.




  • Letra e hapur e kryebashkiakut

Edi Rama: O Nano, o miku im i humbur!

Letër e hapur II

(Këtu mund të lexoni pjesën e parë të letrës)

Pas kërkesave të shumta në redaksinë e “Gazeta Shqiptare” po ripublikojmë pjesën e dytë të letrës së hapur që Kryetari i Bashkisë Edi Rama i drejton Kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano

Edi Rama: O Nano je bërë si Haxhi Qamili

Dje Gazeta Shqiptare filloi botimin e plotë të letrës së hapur të kryebashkiakut Edi Raa kundër liderit socialist Fatos Nano. Sot është vazhdimi i kësaj letre. Redaksia e Gazetës vendosi të publikojë këtë dokument pas kërkesave të shumta që prej disa kohësh na kanë mbërritur nga mijëra lexuesit e saj. Letra e hapur e Edi Ramës për Fatos Nanon është paralajmëruar gjatë javës së dytë të nëntorit 2001 nga zëdhënësja e Bashkisë së kryeqytetit, si një eveniment i rëndësishëm në jetën e kësaj Bashkie por si dhe një shqetësim të madh të Kryebashkiakut ndaj disa sulmeve të liderit socialist në adresë të tij. Vetëm pak ditë para kësaj letre të hapur që akuzon rëndë kryetarin e PS, Rama gjatë një takimi të tij me banorë të kryeqytetit, e quante kryesocialistin “Robert Çamçakizi”.

Nga Edi Rama

(vijon nga numri i kaluar)

Çfarë t’i them Drejtoreshës së Njësisë së Prokurimeve, Valbona Malaj, o kryetar mavria?! T’i them që “na e ka nxirë jetën” kot, duke kërkuar në mënyrë pedante për çdo procedurë prokurimi të fondeve publike male dokumentesh, sepse, në fakt, sipas të parit kryetar partie në pushtet që kërkon zgjedhje të parakohshme në historinë e botës moderne, fondet janë shpërdoruar?! Po si janë shpërdoruar këto fonde, mor zotëri, që kam frikë se, nga zotnillëku, gjë hiç s’ruajte për ditë më të vështira, kur vajte e pozove si i revoltuar në një kafene të Ballshit kundër “fasadave erotike të Edi Ramës”?! Nejse, nejse, ndoshta janë pyetje të kota këto për ty, në drejtimin e paditur ku je larguar politikisht.

Kurse mua, afërmendsh, s’më ha meraku vetëm për qetësinë e administratës ku shërbejnë këta emra “pa kuptim”, që të përmenda apo për plot e plot të tjerë që nuk t’i përmenda, por edhe për krejt mjedisin ku ka filluar të implementohet projekti ynë dikur i përbashkët e, tashmë qofsha krejt i gabuar, prej teje pothuajse plotësisht i tradhtuar, zoti Kryetare i Partisë Socialiste. Më ha meraku për Tiranën që meriton më shumë e që prej një viti ka filluar të jetë nën vëmendjen që meriton; për Tiranën që pas një viti punë të pareshtur është mbarsur me embrionin e shpresës e që vetëm ndonjë qorr i kapur për fyti prej instinktit primordial të hakmarrjes politike brenda llojit mund, ta quajë “të pajetueshëm”! Më ha meraku për Tiranën, sepse Tiranës i duhet punë, shumë punë, vetëm punë, dhe natyrisht edhe shumë durim, që të rimëkëmbet, kurse sulmet e paskrupullta që ti bën kundër meje, i paralizojnë ata që punojnë për kryeqytetin, por edhe, çka është lajmi më i zi i fushatës sate, minojnë krejt terrenin e durimit të domosdoshëm në këtë fazë delikate të rimëkëmbjes së tij, duke rinxitur shpirtin e mezitopitur të anarkisë, të thyerjes së ligjit e të përbuzjes për çdo rregull të bashkëjetesës! A të jetë rastësi fakti që në zyrën time kanë rinisur të vijnë ankesa për prishjet e ndërtimeve të paligjshme mbi Lanë, që Policia Bashkiake po has një rezistencë shqetësuese nga qytetarë, deri dje të gatshëm për t’iu nënshtruar rregullit, apo që një kryetar socialist i një bashkie simotër ka gjetur kurajën të yshtë njerëzit për t’u qëlluar me gurë autobusëve “që vijnë nga Tirana e Edi Ramës!”? Unë them jo, edhe pse uroj me gjithë shpirt që të jetë rastësi.

Fakti është që, qysh se ti ke filluar të minosh personalitetin tim publik, të përbaltësh dinjitetin tim, të ngresh pikëpyetje mbi ndershmërinë time në ushtrimin e detyrës, ti ke goditur embrionin e besimit që ka lindur në zemrat e kryeqytetasve. Qysh se ti ke filluar t’ia kundërvësh Tiranës çdo fshat, komunë a bashki ku të hedh vallja jote e paklasifikueshme në asnjë zë të Fjalorit të Politologjisë, duke spekuluar me emocionet e atyre që të dëgjojnë përmes shifrash të stërfryra me para që gjoja janë marrë për Tiranën e që kanë humbur sa në “fasada erotike” e sa në xhepat e mi, ti ke marrë trajtat e një Haxhi Qamili modern, i cili rreket të kalërojë mbi varfërinë dhe errësirën për të përmbysur gjithçka të mirë që, dreqi e mori, është bërë në këtë vend dy vitet e fundit e në Tiranë,  në vetëm një vit. Qysh se ti ke filluar të përdorësh terminologjinë ku ngrenë suksesin e tyre tërë demagogët fondamentalistë të kësaj bote qofshin ekstremistë të majtë a të djathtë , mbrojtshin Kuranin, Biblën apo Manifestin, dalshin përpara popullit këmbëzbathur apo me kostum “Pierre Cardin”, asketikë apo gushpëllumba, me kallashnikov në sup apo me një gotë xhin përpara, ti ke minuar, as më shumë e as më pak, sesa themelet e vetë Partisë Socialiste. E njëkohësisht, Miku im i Humbur, ti i ke kthyer shpinën me një shpejtësi marramendëse asaj figure politike të krijuar në një dekadë, përmes jetës sate me siklete e sakrifica, por edhe përmes dashurisë pa kufi që more pa kursim nga e tërë Familja Socialiste e Progresiste; ti i ke kthyer shpinën sa hap e mbyll sytë asaj vetveteje që ndoshta s’ka qenë asnjëherë vërtet jotja, por që ishte ama e fiksuar në përfytyrimin kolektiv të të gjithë atyre që të deshën vërtet, ndër të cilët edhe letërshkruesi, e që njësoj si letërshkruesi, veset e tua i konsideron me mirëdashje si kapriçot e një talenti të madh politik, dembel e të paaftë për t’u ngulur në punë apo qoftë edhe për t’iu adaptuar normave elementare të mirësjelljes me kolegët e me njerëzit në përgjithësi!

 

Unë besoj me të gjithë forcën e mendjes se, ndër të gjitha gjërat e diskutueshme që shkrova me mllef, dhimbje, sinqeritet, gjer më këtu, ka diçka që meriton të mos anashkalohet kurrsesi. Asnjëherë, asgjëkundi edhe për asnjë çast, një kryetar i denjë për një Familje të madhe si ajo e Socialistëve dhe Progresistëve, nuk mund të zgjedhë terminologjinë e një dumbabisti për të “shëruar”, siç thua ti, partinë nga e keqja që e ka zënë. Duke të thënë këtë nuk po të përsëris, as ty dhe as ata kalorësit vanitozë që ndjekin me një kënaqësi thuajse perverse “kryqëzatën” tënde, ritualin e “debatit në forumet e partisë”. Jo, nuk po të përsëris këtë, sepse ti mund të shkosh edhe në Firifistun e mund t’i drejtohesh publikisht edhe një anëtari të vetëm të Familjes sate Politike për problemet që të shqetësojnë, por po të them se armët ekstreme te demagogjisë që po përdor, duke shfrytëzuar, nga njëra anë, tërë investimin personal politik të dhjetë vjetëve dhe, nga ana tjetër, mungesën e informacionit, varfërinë, errësirën me të cilën jetojnë sot qytetarët e anëtarët e thjeshtë të Partisë Socialiste, jo për faj të kësaj qeverie, por për një sërë faktorësh që ti i ke radhitur aq mirë tre muaj më parë kur u kërkoje votën shqiptarëve, nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse gërryejnë themelet e Familjes sonë Politike dhe jo vetëm. Ato armë ndjellakeqe gërryejnë nga e para në psikikën e shqiptarëve varrin e sapombyllur të vitit 1997!

Përderisa nuk i nënshtrohen ballafaqimet me argumentet që ofrojnë faktet e shifrat, përderisa nuk identifikojnë problemet reale të rritjes, emancipimit, demokratizimit të brendshëm e të vetë nevojës për një funksionim shumë më të mirë që ka partia Socialiste, përderisa nuk ofrojnë asnjë lloj baze të qëndrueshme për të korrigjuar të metat përherë të pashmangshme të qeverisjes, armët e tua të nxjerra nga sënduku i historive me “Dum Babën!”, nuk bëjnë tjetër, veçse injektojnë te njerëzit virus`in e urrejtjes primitive të njeriut “të bazës poshtë” ndaj njeriut “atje lart”, i cili paskëtaj, vetëm e vetëm pse është “lart” është shënjestra ku duhet të shfryjë” urrejtja e vegjëlisë”.

Teksa t’i shkruaj këta rreshta më mundon tmerrësisht shumë pamundësia për të marrë vesh se çfarë po mendon lexuesi. Unë vetë do të uroja që ai të ishte paskëtaj sadopak më i kthjellët lidhur me tërë këtë mjegull të re që ti përhape bash dy muaj pasi, së bashku me tërë përfaqësuesit e Familjes Socialiste e Progresiste në Kuvendin e Shqipërisë, i dhe edhe vetë “lejen e kalimit” Qeverisë së re. Do të uroja që lexuesi të kuptonte se fjalimet e dua demagogjike nuk duhen parë si shqetësimi i sinqertë i një Kryefamiljari të përgjegjshëm për fatet e Familjes së tij Politike, por si zemërata e verbër e kreut të një partie, që kërkon të ndëshkojë, pa llogaritur koston, të gjithë ata, “të mëdhenj” e “të vegjël” brenda partisë e pranë saj, të cilët nuk janë më të predispozuar as “t’i puthin dorën” në të gdhirë e as “t’i vijnë pas midesë” në të ngrysur. Do të uroja, pse jo, që lexuesi të kuptonte se rebelimi yt i papritur karshi të gjitha forumeve të zgjedhura të partisë, pra karshi të gjitha tryezave ku ti s’do të mund të bëje dot vetëm monologun tënd haxhiqamilist, është një makinacion i mirëfilltë politik për të përgatitur alibinë e çfarëdo aksidenti artificial që ke vendosur t’i shkaktosh Partisë Socialiste dhe qeverisë së saj, duke u rrekur të dalësh vetë si një Engjëll Shpëtimtar e duke ua lënë ish-shokëve, ish-miqve, ish-bashkëpunëtorëve, pra tërë Familjes tënde Politike, petkun e Djallit të Zi. Do të uroja gjithashtu që lexuesi të kuptonte edhe të thjeshtën arsye njerëzore të kësaj kryengritjes sate, Mik i Humbur, e cila konsiston në faktin se ti, krijuesi i kësaj krijese të çuditshme politike, që prej dhjetë vjetësh Partia Socialiste, nuk mund të dorëzohesh përpara realitetit të ndryshuar të gjërave e të pranosh se vetë kohët kanë ndryshuar, se krijesa jote nuk të bindet më ty si një manar i urtë, nuk e dëgjon më zërin tënd sa herë do ti, bile as nuk të ndjek më kur ti futesh në rolin e viktimës si në vitin 1999!

Me shpresën që këto urime të miat të shkojnë në veshin e Perëndisë, po e mbyll edhe këtë letër që nuk do të kisha dashur ta shkruaja kurrë në adresën e një njeriu që vetëm përpara tre e kusur vjetësh më tërhoqi nga bota e artit në baltën e politikës shqiptare, duke më ngulur në kokë një fjali-gozhdë: “Kur do të ktheheni në Shqipëri ju djemtë e nënës(?), kur ne djemtë e njerkës ta kemi pastruar të tërë baltën?!”

Post Scriptum. Po për ty a uroj gjë, o Mik i Humbur? Uroj të kujtohesh sadopak për ato letrat e mia të hapura drejtuar Presidentit të Shqipërisë, përmes të cilave, siç më ke thënë, edhe u miqësore me mua në distancën e mosnjohjes personale kur ishe në Burgun e Bënçës! U hodha mbrëmë një sy. Ishin zverdhur krejt, por brenda mbanin ende ato të vërteta, të thëna jo vetëm prej meje natyrisht, që po të mos kishin rënë në vesh të shurdhër, disa gjëra fort të rënda edhe mund të mos kishin ndodhur në historinë tonë të përbashkët. Me një shpresë atrofike se ti nuk do të bësh gabimin e tij dhe nuk do të jesh krejt i shurdhër ndaj tërë këtyre fjalëve të rreshtuara, gjithsesi, me kujdesin e njeriut tënd që, në fund të fundit, “mishin ta ha, por kockën ta ruan”, i lutem me gjithë zemër Zotit të të mbrojë nga armiku yt i pamëshirshëm: Vetvetja!

Marrë nga gazeta “Korrieri” e 15 nëntor 2001

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.