DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Letër e hapur/ Edi Rama: O Fatos o miku im i humbur!

07:00 - 05.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

5 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë.




 

  • Letër e hapur

Pas kërkesave të shumta në redaksinë e “Gazeta Shqiptare” po ribotojmë letrën e hapur që Kryetari i Bashkisë Edi Rama i drejton Kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano

 

  • Edi Rama: O Fatos o miku im i humbur!

Kështu që, o Miku im i Humbur, tash së fundi në një lumë erëkërmë hakmarrjeje politike brenda llojit, mos u përpiq ta mbash spektrin që po të ikën duarsh për fajin tënd, duke përdorur “thonjtë e mi të paprerë”! As të fifitosh terrenin e humbur të besimit të njerëzve duke më treguar mua si Bukëshkalë!

Sot Gazeta Shqiptare boton të plotë një letër të hapur të kryebashkiakut Edi Rama kundër liderit socialist Fatos Nano. Redaksia e Gazetës vendosi të publikojë këtë dokument pas kërkesave të shumta që prej disa kohësh na kanë mbërritur nga mijëra lexuesit e saj. Letra e hapur e Edi Ramës për Fatos Nanon është paralajmëruar gjatë javës së dytë të nëntorit 2002 nga zëdhënësja e Bashkisë së kryeqytetit, si një eveniment i rëndësishëm në jetën e kësaj Bashkie por si dhe një shqetësim të madh të Kryebashkiakut ndaj disa sulmeve të liderit socialist në adresë të tij. Vetëm pak ditë para kësaj letre të hapur që akuzon rëndë kryetarin e PS, Rama gjatë një takimi të tij me banorë të kryeqytetit, e quante kryesocialistin “Robert Çamçakizi”.

Nga Edi Rama

 

  • I dashur Mik i Humbur,

Në komunikimin mes nesh ose, e thënë më mirë, në komunikimin tim të shkruar me ty, kam vendosur të ftoj pas kaq vjetësh një person të tretë: Lexuesin! Lexuesin e gazetës ku ti do të lexosh sa më poshtë m’u duk a do të më duket edhe në kohën e ardhshme, e udhës të të them në sy të tij. Jam i vetëdijshëm se ai mund të jetë i çfarëdomoshe, seksi, profesioni, socialist, demokratikas, legalist a krejt indiferent karshi cilitdo ndër turlisojet e politikës shqiptare. Mund të jetë, për dreq, tmerrësisht i bezdisur nga gjithçka ka të bëjë me llallallanë e kësaj politike, ashtu siç mund të jetë, dhe kjo për motive nga më të larmishmet, tejet i interesuar të na shohë ballë për ballë faqe tij.

Duke vendosur të fus në urën e komunikimit mes meje e teje këtë person me kaq shumë prerje, prandaj edhe me plot anë të panjohura, e kam marrë në sy rrezikun e mbetjes peng në vallen çmendurake ku ti ke hyrë së fundi dhe kam pranuar, kësisoj, dorëzimin përpara Zotit të Vetëdijes sime Qytetare e Politike! Ky zë, ndryshe nga ç‘më sugjeronte deri para ndoca ditësh zëri përfundimisht i mekur i marrëdhënieve tona miqësore, më urdhëron përditë e më kumbueshëm thyerjen e heshtjes dhe publikimin e qëndrimit tim. Lidhur jo thjesht me gjithçka të padenjë për një lider historik të ka nxjerrë goja në adresë time përgjatë valles mediatike, që ke zënë të hedhësh në “bazën e partisë”, por edhe me atë që, fatkeqësisht, mendoj se është roli që ke marrë përsipër, duke i hyrë një valleje të tillë.

Fillimisht ke pretenduar një borxh moral, personal, që, sipas teje, “refugjati thonjpaprerë”, domethënë unë, i paska “bamirësit” të vet, domethënë ty. Dhe kësisoj ke harruar ose, më saktë, ke dashur të harrosh tërë ato ftesat e tua të përsëritura qysh se u bëre kryeministër e më kërkoje, sipas fjalëve të asaj kohe, “në krah të djathtë, si partner të denjë nga shoqëria Civile”. Ashtu sikundër ke harruar, në anën tjetër, “qëndresën” time konstante nga pozitat e njeriut që nuk donte të kthehej në atdhe për të hyrë në politikën aktive, edhe pse shikonte te ti Njeriun e Kthesës Shqiptare drejt Europës. Por, duke dashur të harrosh edhe rrethanën shumë të veçantë që një ditë, me shumë shi e baltë, më pruri mua në shtëpi, me një biletë kthimi Paris-Tiranë-Paris, për të varrosur babanë e jo për t’u bërë ministër i qeverisë sate, si edhe duke spekuluar turpshëm me dorën e sinqertë të bashkëpunimit që unë të shtriva si një somnambul mbrëmjen e asaj dite zie, për të bërë, bashkë me ty e të tjerë sigurisht, punë të mira në dobi të këtij vendi, ti ke provuar katërcipërisht rrëshqitjen në një nivel të komunikimit me njerëzit ku s’është e vërteta që të intereson, as interesi i përbashkët që gjer më dje dukej se të lidhte me mua, as e “nesërmja më e mirë” apo ecja” së bashku në udhë të mbarë”, që trumbetonin, vetëm para pak muajsh, afishet e grisura të fushatës sonë fituese elektorale. Jo, Mik i Humbur! Për fatin tënd e për fatin tim, fat i keq në të dyja rastet, ty tashmë nuk të interesojnë as këto dhe bile, me sa duket, nuk të intereson as vetë fati i kapitalit tënd politik, i cili mishërohet në organizmin e forcës politike që ti drejton prej dhjetë vjetësh e me të cilën je ti që, pas dhjetë vjetësh në drejtim, po futesh qorrazi në një borxh pa hesap

Teksa mendoj që personalisht nuk të kam asnjë borxh moral, jam çdo dekikë e më i bindur që, nëse mund të flitet për borxhe morale, publike jo personale, natyrisht, je ti ai që ke hyrë prej kohësh në një borxh të tillë me mua! Sepse ndërkohë që unë kam pranuar “të ndërroj jetë” e i jam përgjigjur ftesës sate për të punuar me ty e me të tjerë miq, shokë e kolegë, në emër të ëndrrës së përbashkët të Shqipërisë Europiane, ti ke qenë për mua, jo njëherë, shkaktar zhgjëndrash të dhimbshme. Duke filluar që nga koha e qeverisë sate, kur bash siç ka mbetur e shkruar në letër apo e arkivuar në kujtesë, jo vetëm për fajin tënd, por në radhë të paerë për fajin tënd, punët e qeverisë ishin një zallahi e vërtetë ku gjithkush bënte sa mundej, po ku askush nuk e gjente dot kufirin ku ndahej miku nga shoku, shoku nga kolegu, kolegu nga truproja, e drejta nga detyra, detyra nga interesi i përveçëm, interesi i përveçëm nga etja për fitim, etja për fitim nga uria për pushtet, uria për pushtet nga urrejtja për shtet e kështu më tutje. Duke vazhduar me kohën e revanit tënd, pas rimarrjes së kreut të Partisë Socialiste, kur nuk le gur e marionetë pa luajtur, për të më demoralizuar dhe penguar në punën time. Me qëllim që ta detyroje kreun e qeverisë të më hiqte qafe si ministër konflikutal e të realizoje, kësisoj, jo përmirësimin e qeverisjes, por një betim tëndin, si rëndom, në të gdhirë pranë një tavoline të rrëmbushur me qelqe të zbrazta, kur më anunçove nja një duzinë orësh, pasi kishe mbajtur në hollin e Pallatit të Kongreseve një fjalim mbi “solidaritetin parimor”, se nga unë fillonte radha e atyre që do të qëroheshin, meqë zgjodhën Majkon e jo ty”! Dhe, duke ecur më tutje në të tëra kohërat që, siç e thonë edhe letrat që të kam dërguar dorazi në konfidencë, u mundova të fsheh nga “sytë e botës” shkopinjtë e panumërt që më vure sistematikisht ndën rrota, pa e çarë kokën fare në unë po bëja punën që, natyrisht, bashkë me punën e tërë të tjerëve në Familjen tonë Politike të ndihmonte ty të dilje kryelartë në fushatat elektorale apo punën e ku e di unë se të kujt armiku që i kanosej personalitetit tënd.

Ndaj edhe për ta mbyllur pa shumë ornamente logjike kornizën e argumentimit tim për Borxhin Moral, Publik, Jopersonal, që mendoj se më ke, po ndalem tek e drejta e njeriut që, me vepra, jo me fjalë, i ka mbetur sot e gjithë ditën besnik ëndrrës dikur të përbashkët të Shqipërisë Europiane, por që e pati të pamundur të mbetet bashkëpunëtori yt besnikërisht miop, kur me kalimin e kohës, ndjeu dhe kuptoi, jo pa dhimbje për vetveten, atë defekt të pariparueshëm të konstitucionit tënd etiko-moral që Fjalën dhe Veprimin i mban gjithnjë të ndara brenda teje! Që, e thënë ndryshe, Fjalën e Tribunave e ke fasadë dhe Veprimin e Kulisave e ke mënyrë jetese! Që, e thënë edhe më shkoqur për këtë “kryqëzatën” e fundit, Fjalën për Interesat e Vegjëlisë e ke gënjeshtër me brirë dhe Veprimin për Interesin tënd Personal e ke kredo morale!

Por, shkurt fjala, ajo çka ty të bën borxhli ndaj meje, nuk shpjegohet tekembramja vetëm me fjalë, pas të cilave jam i sigurt se rendë ndonjë, a më shumë se një, ndër kalorësit vanitozë të kësaj palo “kryqëzatës “ sate e do të përpiqet të më kapë “befasisht” në llaf. Borxhin tënd moral, e përsëris Jopersonal por Publik, karshi meje, e shpjegon, si në një kronikë Pa Koment, kontrasti mes Llafeve gjithnjë e më pa bukë që ti ke prodhuar qysh se “më more nga Parisi” për ndërtimin e Shqipërisë Europiane dhe Tullave që, me shumë mund mendor e fizik, kam vënë unë në themelet e saj! Në daç kur punova me ty, në daç kur punova me Pandeli Majkon e në daç që kur po punoj me Ilir Metën! Të tjerat janë dokrra hiri!

Para se të shtrij më tutje fillin e arsyes, dëshiroj të tërheq vëmendjen e lexuesit lidhur me faktin se këtë lloj Borxhi  Moral Publik ti nuk ma ke vetëm mua, sepse afërmendsh që s’jam vetëm unë që punoj pa u lodhur në këtë vend e për këtë vend, por ua ke të tërë atyre qytetarëve të këtij vendi, qofshin të Familjes sonë Politike a jo, të cilët, si unë apo më shumë e shumë më shumë se unë, përpiqen të vënë “tullën e tyre në urën që, Dhëntë Zoti, do të na bashkojë një ditë edhe ne me Europën.

Kështu që, op Miku im i Humbur, tash së fundi në një lumë erëkërmë hakmarrjeje politike brenda llojit, mos u përpiq ta mbash spektrin që po të ikën duarsh për fajin tënd, duke përdorur “thonjtë e mi të paprerë”! Apo të rifitosh terrenin e humbur të besimit të njerëzve duke më treguar mua si Bukëshkalë! Sepse as unë jam shkaktari i zbehjes së yllit tënd në orbitën socialiste e as socialistët janë kaq tuhafë përballë armëve të demagogjisë ekstreme që ti ke zgjedhur për të hedhur baltë mbi tërë ish-miqtë, ish-shokët, ish-kolegët dhe mbi vetë Partinë Socialiste, të cilën, le ta themi faqe lexuesit, do ta shkatërrosh përpara se të krijosh një parti tënden të re!

Mos u përpiq më kot, as të zhbësh në sytë e njerëzve suksesin e arritur me shumë punë të Bashkisë së Re të Tiranës, duke më treguar mua me gisht. – E pse? Vetëm e vetëm pse edhe kësaj radhe s’jam e s’kam si të jem hiç gjëkundi i një mendjeje me ty!- si një dobiç faqezi të Familjes Socialiste. Sepse s’ma ha mendja të ketë peshk të të besojë kur më denoncon nga kafenetë e fshatrave të Shqipërisë, si “shitës ikonash të vjedhura në kohën e Saliut”, e vetë bie prehë e atij imoraliteti të skajshëm politik që bazohet mbi moton e mbrapshtë: “Qëllimi justifikon mjetin”.  Ashtu sikurse nuk ma do mendja të ketë qytetar të informuar që të aprovojë kur më akuzon si “hajdut në xhepin e Scorpions-ëve”, duke vërtetuar në fakt kësisoj, bile katërcipërisht, se metoda që ke zgjedhur “për të shëruar Partinë Socialiste” nuk është kurative, po destruktive; nuk është transparenca me bazën e partisë, po manipulimi i skajshëm i bazës e i vetë opinionit publik në përgjithësi; nuk është forcimi i demokracisë së brendshme në parti, po degjenerimi në anarki i saj. Lëre pastaj kur rrëshqet fare në vakuum logjik e më rendit mua në listën e të akuzuarve për tentativë të rikthimit të komunizmit në gjirin e partisë sate apo për përpjekje për futje të metodave të Doktorit në PS!

“Për fat”, as Enveri nuk është harruar akoma këtyre anëve tona e as Doktor Rrumpalla nuk na e ka lënë ende shëndenë. Që do të thotë se kësi budallallëqesh në adresë time qelben erë, qoftë si ato tablotë sinoptike mbi agjenturat në gjirin e Partisë, të cilat Ai i pari ia servirte bazës komuniste përmes magnetofonëve sovjetikë të Komitetit Qendror, qoftë si ato përrallat me mamuthë e me sorra që ky tjetri, me të cilin gojët e liga thonë se ke filluar të japësh e të marrësh mesazhe, por që mua emrin në gojë s’ma do xhani t’ia zë, ka dy pesëvjeçarë që ua rrokanis kokën shqiptarëve.

E pse atëherë më ha mua meraku e të shkruaj kur vetmevete jam i bindur se, për sa më takon në pikëpamjen morale, zotrote më merr të keqen jo me sa ke nxjerrë gjer më tash nga goja, po edhe sikur deri në fund të kësaj valleje t’i kesh nxjerrë goje të tëra pocaqitë që, për fatin tënd të keq, i kanë jashtëqitur më parë për mua të shtatë palë gojët e Partisë Demokratike?!

Mua, O Mik i Humbur, më ha meraku, për së pari, për administratën që mezi po e ngre prej një viti e që ti e shqetëson, e shkurajon, e paralizon; më ha meraku për qetësinë shpirtërore të tërë atyre nëpunësve civilë që punojnë me mish e me shpirt, deri në mbrëmje vonë, në Bashkinë e Re të Tiranës, për të kryer çdo di të e më tepër nga ato punë të programit tonë, të cilat ty aq shumë të pëlqenin, vetëm këtu e tre muaj më parë, saqë vajte e dole, jo vetëm përpara tërë krerëve lokalë socialistë, por edhe faqe qindra-mijëra teleshikuesve e the: “Edi Rama është modeli i qeverisjes socialiste!”; Më ha meraku për shumë të rinj ndër ta, të cilët nuk mund e nuk duhet të ceken asnjë grimë në dinjitetin e tyre nga stërkalat e baltës që ti lëshon, vetëm tre muaj pas deklaratës sate emfatike, teksa hedh vallen e akuzave të tua absurde, duke më goditur pabesisht mua, njeriun tek i cili ata besojnë e me të cilin janë bashkuar në një rrugë të vështirë. Dhe bën një Krim Moral, ta dish, kur, njësoj si të tjerë demagogë vulgarë të këtij atdheut tonë të cfilitur, ti harron se, pas punëve të një të akuzuari veresie me gjoja fakte, si puna ime në këtë rast, ka të rinj që janë rikthyer prej jashtë shtetit e të tjerë që kanë lënë sektorin privat apo kanë zgjedhur të mos i drejtohen këtij sektori për një rrogë më të mirë, thjesht e thjesht sepse duan të punojnë për rindërtimin e vendlindjes së tyre!

Mua, o Fatos, më ha meraku për Alban Eftimin, një emër që ty me siguri nuk të thotë asgjë. Është emri i një djali që, pasi ka kryer studimet e larta dhe ka punuar si arkitekt matanë detit, është rreshtuar në “ushtrinë” e nëpunësve civilë të shtetit shqiptar me “gradën” Drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit Urban në Bashkinë e Tiranës! Më ha meraku për të, sepse është goditur pabesisht në dinjitetin e tij nga Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilin e pa në televizor në orën njëmbëdhjetë të natës – pasi në orën shtatë e gjysmë Albani është normalisht ende në zyrë duke punuar edhe për Planin Rregullues të tiranës që ti the se “nuk po bëhet, sepse me lejet e ndërtimit”, që sipas teje, “jepen me pikatore”, “po fitohen miliarda nga Kryetari i Bashkisë dhe nga miqtë e tij”! Më ha meraku për të, sepse është krejt i paralizuar, teksa i duhet të fshijë pështymën e pabesë që zotrote i ke hedhur mbi fytyrë, ndërkohë që ai dhe drejtorët e juristët e atij sektori jetojnë prej muajsh nën presionin konstant, ndonjëherë edhe të egër, deri edhe me armë pas veshi, në pragun e errët të shtëpisë, të atyre që janë mësuar t’i marrin lejet jo sipas Planit Ekzistues Rregullues, as sipas Studimeve Pjesore Urbanistike që në Bashkinë e Re të Tiranës janë konceptuar, aprovuar e imponuar sipas ligjit, po sipas logjikës së vjetër të “ngritjes së traut” të ligjit me para nën dorë! Çfarë t’i them Alban Eftimit, shoku Kryetar i Partisë Socialiste!? T’i them, siç u thua ti atyre që të pyesin se ku e ke hallin që ke marrë kot?! Domethënë që, “O ti bëhesh President i tërë shqiptarëve, o të tërë Albanët e këtij vendi do t’i hajë dreqi si në vitin 1997”?!

Po Belinda Ikonomit, Drejtoreshës së Përgjithshme të Burimeve Ekonomike, e cila është ende larg të tridhjetave dhe në Bashkinë e Tiranës ka hyrë pasi ka grisur përgjigjen pozitive të Zyrës së Emigracionit në Kanada, ku e priste një punë me rrogë të mirë e sigurisht jo një kryetar partie në pushtet që, ekran më ekran, mbulon me shpifje kryebashkiakun që nga partia e tij është zgjedhur e votuar? Si t’ia shpjegoj broçkullat që u thua zotrote fshatarëve të Malësisë së Madhe a të Pezës për gjoja davaritjen e 300.000 dollarëve të Koncertit të Scorpions-ëve? ! T’i them, siç u thua ti atyre që të pyesin, se ku do të dalësh?! Domethënë që ja, sa të nxjerrë kryetari dufin personal me partinë e qeverinë e partisë së tij dhe pastaj kjo gojështhurrje pa din e as iman do të marrë fund?!

Marrë nga Gazeta “Korrieri” e datës 15 nëntor 2001(vijon nesër)

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kur Rama e ndjen veten ne rrezik, I ben thirje F. Nanos per ta ndihmuar, kurse G. Rucin as e permend, sepse e di ai dhe gjithe te tjeret se cfare pergjigje do mare. Kushedi set ku eshte fshehur Ruci.

    Përgjigju ↓