BOTA

INTERVISTA/Letra e Moskës për Shqipërinë, ish-ambasadori Agim Nesho ngre shqetësimin: Kërcënim për të ardhmen!

11:59 - 05.02.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, apelon qeverinë shqiptare që ta konsiderojë si një kërcënim real për paqen dhe stabilitetin në Evropë letrën e Rusisë për Shqipërinë, së cilës i kërkon që të pozicionohet qartë për çështjen e Ukrainës.




Nesho thotë për Gazetën “Panorama.al” se kërcënimi i Moskës ndaj një vendi të lirë dhe sovran është precedent i rrezikshëm, që mund të kërcënojë në të ardhmen të gjitha shtetet e tjera. Sipas tij, politika e jashtme e Shqipërisë duhet të mbante qëndrim të qartë në favor të Ukrainës, ta mbështeste me rezoluta parlamentare.

 Z. Nesho, si e lexoni letrën që Ministria e Jashtme e Rusisë i ka dërguar Shqipërisë lidhur me tensionet në Ukrainë, ku i kërkon vendit tonë që të pozicionohet për këtë çështje? Çfarë synon Rusia përmes kësaj letre, që u është adresuar edhe vendeve të tjera të NATO-s?

Ministria e Jashtme e Rusisë u ka dërguar një letër të ashpër disa shteteve anëtare të NATO-s, ku përfshihet Kanadaja, SHBA, Shqipëria, etj., ku u kërkon respektimin e angazhimeve ndërkombëtare për sigurinë, si ato të Samiteve të OSBE-së në Stamboll (1999) dhe Astana (2010). Arroganca në tonet e letrës është pjesë e strategjisë së Federatës Ruse për t’u paraqitur si një fuqi botërore e rikthyer në skenën ndërkombëtare për të negociuar sigurinë europiane dhe respektimin e zonave të influencës. Në fakt, është vetë Rusia që për vite me radhë nuk ka respektuar këto angazhime si në Gjeorgji (2008) dhe me aneksimin e Krimesë në 2014, duke vënë në rrezik funksionimin e rendit liberal botëror, të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore. Thelbi i krizës së tanishme është përpjekja e regjimit revizionist të Moskës, si përfaqësuese e sistemeve autoritariste në botë, për të vendosur rregulla të reja loje nëpërmjet përdorimit të forcës, në një moment kur Perëndimi është përpara sfidave të tij të brendshme dhe mungesës së konsensusit për problemet e politikës së jashtme. Tërheqja nga Lindja e Mesme si dhe menaxhimi i largimit nga Afganistani krijoi një moment për provokim nga Moska për të testuar reagimin e NATO-s dhe Perëndimit në një situatë dobësie. Në fakt, sjellja revanshiste e Rusisë ka krijuar një moment unifikimi në Europë për rrezikun e dukshëm.

A është një lloj kërcënimi, ndërkohë që jemi vend anëtar i NATO-s?

Shqipëria si vend demokratik dhe anëtar i NATO-s duhej të ishte pjesë aktive e familjes së NATO-s, duke e vlerësuar këtë situatë si kërcënim real për paqen dhe stabilitetin në Europë. Politika jonë e jashtme duhet të mbrojë vlerat dhe parimet perëndimore, por edhe rregullat që mundësojnë funksionimin e rendit botëror. Kërcënimi i Moskës ndaj një vendi të lirë dhe sovran është precedent i rrezikshëm që mund të kërcënojë në të ardhmen të gjitha shtetet e tjera, për më tepër që Rusia po ushtron presion ndaj gjithë vendeve të Europës Lindore që po kërkojnë një të ardhme perëndimore. Për Rusinë ato duhet të mbeten ‘nën zonën e saj të influencës’, duke provokuar arkitekturën e sigurisë europiane për të realizuar parimin e sigurisë së pandashme.

Përse i drejtohet Shqipërisë?

Letra që Rusia u dërgon disa vendeve të NATO-s, ku përfshihet edhe Shqipëria, është një letër pa shënjestër të veçantë. Pra, Shqipëria është pjesë e grupit. Ajo që mund të interpretojmë në faktin pse Shqipëria është interesi i shtuar i Rusisë për rajonin e Ballkanit, lëkundjet e politikës së jashtme Shqiptare dhe bashkëpunimin e saj me regjimet e Vuçiç dhe Erdogan, duke e vënë atë në pozicionin e një vendi ‘vulnerabël’ që mund ta hajë presionin. Qëllimin përse e kanë vendosur Shqipërinë e di vetëm diplomacia Ruse dhe Kryeministri shqiptar.

Si mund ta qartësojë Shqipëria politikën e saj të jashtme…?

Politika e Jashtme e Shqipërisë duhet të mbante qëndrim të qartë në favor të Ukrainës, ta mbështeste me rezoluta parlamentare, por mund të ishte solidarizuar edhe me ndihmë modeste ushtarake kur partnerët tanë strategjikë tashmë janë angazhuar. Shqipëria e ka mbështetur sigurinë e saj në kuadrin e NATO-s dhe mundësinë e zbatimit të Nenit 5 të saj. Prandaj, angazhimi i saj aktiv në një krizë të tillë sigurie është në dobinë e saj afatgjatë për të siguruar mbrojtjen kolektive.

Cilat janë arsyet që ne ende nuk jemi rreshtuar me vendet që mbështesin Ukrainën dhe dënojnë veprimet e Rusisë?

Shqipërisë i mungon një politikë e jashtme e qartë dhe me vizion. Ajo luhatet midis respektimit të vijave të kuqe të vendosura nga Perëndimi dhe interesave të çastit të liderëve, që përpiqen të mbijetojnë politikisht. Shqipërisë i mungon një strategji e qartë për çështjen kombëtare dhe një strategji për zhvillimin e vendit dhe integrimin europian. Kjo vjen si rezultat i personalizimit të politikës së jashtme nga Kryeministri, përdorimi i saj për mbajtjen dhe zgjatjen e pushtetit dhe veprimet klienteliste ndaj fuqive të mëdha. Kjo politikë fluide pa bosht u shërben koniunkturave të kohës, interesave të një grupi njerëzish, por është pa vlera për pozicionin dinjitoz të Shqipërisë.

Politika e jashtme e Shqipërisë sot përfaqëson që nga strategjia e politikës së jashtme turke ‘zero probleme me fqinjët’, angazhim në projekte rajonale të iniciuara nga interesa ruse-serbe për një ndryshim gjeopolitik të Ballkanit, deri në zbatimin e kritereve të nevojshme të politikës së jashtme të BE-së dhe NATO-s. Për Kryeministrin Rama, kjo politikë e jashtme shikohet si vlerë dhe kreativitet, por në fakt kjo dëmton në afatgjatë interesat e Shtetit Shqiptar. Kthimi i politikës së jashtme në institucione dhe jashtë personalizimit të saj nga liderët e radhës është një detyrë urgjente./Panorama.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.