DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Negociatat, Mbrëmë takimi në zyrën e Meidanit. Gjithçka që ndodhi gjatë dhe pas KPD

07:00 - 07.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

7 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë.




Negociatat / Mbrëmë takimi në zyrën e Meidanit

Majko Kryeministër

Gjithçka që ndodhi gjatë dhe pas KPD.

Takimi i Nanos me grupin e tij dhe çfarë kushtesh do i vënë Majkos.

Pse Majko iu bashkua dje idesë së Nanos për zgjedhjen e Presidentit

Në mbledhjen e djeshme kanë qenë 24 deputetët dhe procesi i mbledhjes së firmave nis sot, Burime afër Nanos bëjnë të ditur se numri i deputetëve socialistë që e mbështesin do shkojë në 33 vetë

 

 Kreu i PS dje zyrtarizoi Grupimin e tij. Sot pritet të mbledhë firmat e deputetëve nanoistë

Nano voton Majkon me dy kushte

“Qeveri me pasuesit e mi dhe Ok për referendumin”

Pasaporta e Majkos

Emri: Pandeli

Mbiemri: Majko

Datëlindja: 15.11.1967

Vendlindja: Tiranë

Arsimimi: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Fakulteti Politeknik, dega inxhinieri mekanike

Eksperienca politike:

1992-2001: Deputet, përfaqësues i Partisë Socialiste

1992-1995: Drejtues i Forumit Eurosocialist Shqiptar

1996-1997: Sekretar i Marrëdhenieve me Publikun në Partinë Socialiste

1997-1998: Kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste

1997-1999: Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste

1998-1999: Kryeministër i Shqipërisë

1997-2000: Kryetar i delegacionit shqiptar në OSBE

2001-2002: Ministër i Mbrojtjes

 

 

Rezultati: 65 vota pro 37 kundër, 5 abstenime

Majko mund Meksin në KPD

Islami tërhiqet nga konkurrimi

 Pandeli Majko ka marrët 65 vota në mbledhjen e KPD-së, 28 vota më shumë se rivalja e tij, Ermelinda Meksi, që mblodhi 37 vota. Ky ishte rezultati që e shpalli Pandeli Majkon si kandidatin për kryeministër që pritet t’i paraqitet presidentit Meidani. Para se të niste votimi, Kastriot Islami ka deklaruar se tërhiqet nga gara për t’i dhënë mundësi zgjedhje Ermelinda Meksit për të cilën ai kërkoi edhe mbështetjen e të tjerëve. Në fjalën e tij Majko tregoi pse kandidonte, ndërsa Ermelinda Meksi tha se gjithkush e njihte atë dhe punën e saj.

KPD-ja zgjodhi edhe komisionin e votimit, në krye të të cilit u vendos zevendësministri i Drejtësisë, Sokol Hazizi, ndërsa në komision bënin pjesë disa anëtarë të tjerë. Deputeti Spartak Braho gjatë propozimeve përmendi emrin e deputetit Sabit Brokaj si anëtar komisioni. U duk qartë se propozimi i tij u bë si kundërpërgjigje ndaj akuzave që u bënë në fillim nga ana e Brokajt për votimin e 20 gushtit të 2001, kur Meta u zgjodh kryeministër. Kryetari i PS-së, Nano, ankesën e tij për shfuqizim të këtij votimi e bazoi te deklarimi i bërë nga Sabit Brokaj, i cili tha se kishte gjetur një fletë votimi me shenjë në atë kohë. Megjithatë dje ai nuk u bë anëtar i komisionit të votimit, megjithëse u propozua nga ana e Brahos.

A.K.

 Nano duket se nuk do ta bllokojë Majkon por do të negociojë me atë. Ndërkohë fituesi në KPD pritet që të qëndrojë larg luftës mes dy grupimeve brenda Partisë Socialiste. Bisedimet mes kryetarit të PS dhe kryeministrit që zgjodhi KPD pritet të zhvillohen sot.

Dje në mbrëmje, Nano ka mbledhur grupin e deputetëve që e mbështesin të cilëve u ka kërkuar që të firmosin një dokument në bazë të të cilit formësojnë përfundimisht lëvizjen e tyre politike dhe i japin mandat Nanos për të negociuar në emër të tyre. Ata kanë vendosur që Nano para se të çojë emrin e Majkos te Meidani, kandidati për kryeministër duhet të plotësojë dy kushte: të mos dalë kundër referendumit dhe të pranojë në qeverinë e tij një numër të caktuar mbështetësish të kryetarit të PS.

Idenë e pazarit Nano e la qartë të kuptohet që në përfundim të mbledhjes së KPD. Votimi ishte mbyllur dhe Majko kishte fituar. Të gjithë prisnin se çfarë do thoshte Nano, nëse do bllokojë procedurën e mëtejshme për dekretimin e kryeministrit siç kishte paralajmëruar dhe pak orë më parë apo do tërhiqej. Para fillimit të mbledhjes së KPD, Majko u takua me atë grup deputetësh që përkrah Nanon. Ata e kishin paralajmëruar se nëse nuk tërhiqte kandidaturën, ata do ta bllokonin në Parlament. Por Majko nuk u thye. Megjithatë gjatë gjithë ditës së djeshme ai luajti lojën e tij dhe jo të Metës siç e akuzuan pasuesit e Nanos. “Unë në postin e kryeministrit do mbështes përpjekjet për katarsis, i cili nuk kërkohet vetëm nga PS por nga gjithë opinioni”, tha Majko në fjalën e tij duke huazuar kështu një nga tezat e Nanos. Gjatë gjithë kohës Majko bëri thirrje të hapur për paqe mes palëve. Gjithsesi Nano e la lojën të hapur. “Unë do rivlerësoj dhe një herë rezultatin e kësaj mbledhjeje dhe pasi të jem konsultuar me disa institucione të tjera të partisë do vendos për të përdorur të drejtën e kryetarit në marrëdhënie me presidentin”, tha Nano në përfundim të mbledhjes.

Nano ka mbledhur dje grupin e mbështetësve të tij në selinë e PS. Ishin të njëjtët deputetë që kishte me vete kur rrëzoi katër ministrat e Metës. Të gjithë kanë qenë të mendimit se do ishte i padobishëm bllokimi i Majkos në Kuvend, por kanë këmbëngulur që atij duhet t’i vendosen disa kushte para se të votëbesohet. Nano ka shprehur menjëherë propozimin se duhet të zyrtarizohet grupimi i deputetëve të tij. Ai ka kërkuar që të gjithë deputetët që e mbështesin të regjistrohen dhe të hedhin firmën në një dokument përmes të cilit i japin Nanos të drejtën të negociojë në emër të tyre. Në këtë mënyrë Nano është përpjekur të shmangë diversionin që mund të bëhet në radhët e mbështetësve të tij. Në mbledhjen e djeshme kanë qenë 24 deputetë dhe procesi i mbledhjes së firmave nis sot. Burime afër Nanos bëjnë të ditur se numri i deputetëve socialistë që e mbështesin do shkojë në 33 vetë. Ky grupim i cili do drejtohet nga Nano zgjodhi dhe kryesinë e tij. Në të bëjnë pjesë katër anëtarët e kryesisë së PS: Petro Koçi, Makbule Çeço. Limoz Dizdari dhe Arben Malaj si dhe Kastriot Islami, Fatmir Xhafa e Mezan Malaj. Në këtë mbledhje u vendos që në negociatat që do të zhvillohen me Majkon, do t’i kërkohet një numër vendesh në parlament, në bazë të përqindjes që do ketë ky grupim deputetësh brenda grupit parlamentar të PS. Ata do këmbëngulin që emrat e ministrave dhe portofolet që do marrë ky grupim të përcaktohet nga vetë ata. Ky është njëri prej kushteve. Kushti tjetër është që Majko të japë garanci, qoftë dhe me shkrim se nuk do përfshihet në luftën brenda PS. Ata do t’i bëjnë të ditur se nuk e japin votën e tyre në favor të Majkos në parlament, nëse ai do të bllokojë referendumin. Shkurt, përmes këtij kushti, ata kërkojnë ta shkëpusin Majkon nga grupi i Metës.

Majko sot e ka ditë negociatash. Ai do takohet me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeverisës. Por takimi më i rëndësishëm i tij është ai me Nanon. Nuk dihet saktësisht se sa portofole do kërkojë Nano për të vetët dhe cilat ministri. Një gjë është e sigurt, se ai nuk do shkojë te Meidani për të çuar emrin e Majkos, nëse ky i fundit nuk do pranojë kushtet që i ka vendosur.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.