AKTUALITET

Dashuroni vetullzinjtë, veç mos jenë Moskalë, ndryshe juve do…/ Luftë mes Rusisë dhe Ukrainës? Poeti Sadik Bejko: Jam Kobzarin e Shevçenkon

17:13 - 07.02.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë dhe rreziku i fillimit të një lufte që mund të sillte pasoja të paimagjinueshme jo vetëm për këto dy vende, por edhe në Europë e më gjerë ka shqetësuar jo vetëm  liderët botërorë, por edhe personalitete të artit dhe të kulturës.

Këto ditë, të gjithë mbajnë frymën, teksa  ndjekin me ankth zhvillimet mes Rusisë dhe Ukrainës.

Dy ditë më parë, studiuesi dhe poeti i njohur Sadik Bejko ka publikuar një postim në rrjetin social “Facebook”, ku bën me dije se ruan në arkivat e tij pak gjëra në lidhje me Ukrahinën.

Profesori i njohur i letërsisë tregon vizitën e tij në Moskë  në vitin 1995 së bashku me Dhimitër Anagnostin dhe Dashnor Kokonozin.  “Fletëm në hotel “Ukrahina”, në oborrin e të cilit ishte (është) statuja e poetit kombëtar ukrahinas Taras Shevçenkos”, shkruan Bejko. Ndërsa deklaron se

“unë si poet jam me Ukrahinën, jam në krah të Taras Shevçenkos, të poetit të cilit disa vargje ende ia di përmendësh, të një poeti martir që e mbaj pranë që nga rinia ime..”

 

POSTIMI I PLOTË

JAM ME KOBZARIN, ME SHEVÇENKON

Ka disa javë që në mediat më të rëndësishme ndërkombëtare flitet me alarm për Ukrahinën.

Rrezikohet pavarësia, sovraniteti i saj.

Si poet, ruaj në arkivat e mia pak gjëra në lidhje me Ukrahinën. Mbaj mend që në romanin “Nëna” të Gorkit, personazhit me origjinë nga Ukrahina i drejtoheshin me nofkën “hoholli”, për dallim nga rusët.

Në bibliotekën time mbaj librin poetik “Kobzari”, botim shqip 1959, të poetit kombëtar ukrahinas Taras Shevçenko (1814- 1861), përkthyer nga Jorgo Bllaci, parathënia nga Dritëro Agolli. Nga ky përkthim mbaj mend disa vargje, si :

O mendime, o mendime e kam pisk me ju..

Ose:

Hajdamakët grurë mbollën,

Ukrahinë e gjerë,

Grurë mbollën, por s’e korrën,

Vallë ç’duhet bërë?

(Nga poema “Hajdamakët” , Cuba, Kryengritës)

Ose:

Dashuroni vetullzinjtë

Veç mos jenë Moskalë,

Ndryshe juve do të derdhni

Lotë brenge valë..

(Nga poema “Selvija”)

Kobzari (si lahutari) është bardi, rapsodi popullor ukrahinas, që këngët i shoqëron me kobzë, vegël muzikore.

Më 1995 me Dhimitër ANAGNOSTIN, @Dashnor Kokonozin jemi në Moskë, të ftuar nga Ministria Ruse e Kulturës.

Flemë në hotel “Ukrahina”, në oborrin e të cilit ishte (është) statuja e poetit kombëtar ukrahinas Taras Shevçenkos.

Kam një foto me këtë statujë, por nuk dua ta rëndoj më tej këtë postim.

Këto ditë po flitet për një pushtim të mundshëm të Ukrahinës nga ushtarët e Putinit.

Unë si poet jam me Ukrahinën, jam në krah të Taras Shevçenkos, të poetit të cilit disa vargje ende ia di përmendësh, të një poeti martir që e mbaj pranë që nga rinia ime..

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.