AKTUALITET

Miratohet plani hetimor për inceneratorët dhe lista e dëshmitarëve. Deputetët: Do shohim nga afer impiantet e mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë

19:40 - 07.02.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Komisioni hetimor për inceneratorët ka nisur punën të hënën pas vendimit të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores për t’i njohur si afat ligjor për përfundimin e punës datën 25 shkurt. Me konsensus të të gjithë anëtarëve u rihodh në votim dhe u miratua plani hetimor, i cili ishte rrëzuar në mbledhjen e fundit me votat e mazhorancës.




Po ashtu komisioni ra dakord që të thërrasë një dyzinë me dëshmitarë, zyrtarë të lartë të qeverisë, që nga kryeministri Edi Rama, zv/kryeministri Arben Ahmetaj dhe ish-ministra e deputetë socialistë, si dhe administratorët e kompanive koncensionare dhe përfaqësues të medias.

Pjesë e listës së dëshmitarëve është dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i cili ndodhet në burg i arrestuar me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash në rastin e dhënies me konçension të inceneratorit të Elbasanit. “Besoj që nuk do të jetë e mundur për ta thërritur atë, ne do bëjmë shkresën”- tha kryetarja e komisionit Jorida Tabaku. Sipas saj edhe për tre pronarët e kompanive koncensionare të shpallur në kërkim nga drejtësia do të kërkohet që në vend të tyre të thirren administratorët e këtyre kompanive.

Mazhoranca nuk shtoi emra të tjerë në listën e dëshmitarëve të propozuar nga opozita, ndërsa kërkoi që pjesë e hetimit të bëhen dhe vizitat e komisionit pranë inceneratorëve, kërkesë që u pranua nga opozita.

Nënkryetarja socialiste e komisionit, Ermonela Felaj, tha se atje do të shihet nga afër puna e bërë nga këto impiante dhe çfarë të mire i kanë dhuruar ato mjedisit. “Ne duam që nëpërmjet vajtjes tonë në këto impiante edhe publiku të shohë se çfarë ka ndodhur me këto projekte të mëdha”- tha ajo.

Hetimi do të përqendrohet në dhënien përgjigje të disa pyetjeve, si; “A ka pasur shkelje të kuadrit ligjor gjatë procedurave për ndërtimin/administrimin e incineratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës? Cilat janë subjektet (persona juridikë/fizikë) që kanë pasur detyrimin për zbatimin e ligjit në procedurat e sipërcituara? Cilët janë subjektet që i kanë shkelur detyrimet ligjore? Cilat janë arsyet apo motivet që i kanë shtyrë subjektet për kryerjen e këtyre shkeljeve? A kanë shfrytëzuar zyrtarët e lartë publikë, vecanërisht kryeministri Edi Rama, ministrat Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Lefter Koka, kryebashkiakët Erion Veliaj, Qazim Sejdini dhe Armando Subashi, ish- sekretari i përgjithshëm (aktualisht Deputet) Alqi Bllako dhe sekretari i Përgjithshëm Ëngjëll Agaçi, funksionet e tyre publike për përfitime pasurore personale? Cila është lidhja e këtyre zyrtarëve me pronarët e incineratorëve, përkatësisht shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja?”

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes kryetarja Tabaku tha se pavarësisht bllokimit që i ka bërë mazhoranca dhe institucionet shtetërore e private punës së komisionit, ajo kishte arritur t’i siguronte provat për hetimin.
“Nuk kam dëshirë fare as të ankohem, as të qahem dhe të them që nuk më kanë nisur këtë shkresë dhe atë shkresë se unë në burime zyrtare dhe jozyrtare kam arritur që t’i marr shkresat”- tha ajo duke paralajmëruar dhe një herë institucionet që nuk kanë kthyer përgjigje se do të përballen me padi penale.

Tabaku shtoi se u deshën 6 vite për të nxjerrë në dritë të vërtetën, por tashmë nuk ka mbrojtje politike për përgjegjësit e kësaj afere. “Në gjykimin tonë, Edi Rama, Engjëll Agaçi, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, janë përgjegjës për këtë aferë”- tha ajo.

E pyetur nga BIRN nëse hetimi për Fierin dhe Tiranën pritej të nxirrte një skemë të ngjashme pastrimi parash si ajo e zbuluar nga SPAK për inceneratorin e Elbasanit, Tabaku tha se ishte e mundur.

“Nuk dua që t’i paraprij të dhënave, por mund të të them që; si në skemën e TVSH-së dhe rimbursimit të TVSH-së, si në skemën e përdorimit të fondit të garancisë gjatë pandemisë për bizneset të cilat duhet të kishin fondin e pandemisë në dispozicion ashtu edhe në rastin e një skeme të pastrimit të parave, edhe në rastin e inceneratorit të Fierit, sigurisht në përmjet pagesave tek konsulentët, kompanive fiktive, apo edhe mediave, ne kemi të dhëna që konkludojnë që ka ndodhur një skemë e ngjashme me atë të Elbasanit”- u përgjigj ajo.

Plani i hetimit parashikon shqyrtimin e dokumentacionit zyrtar lidhur me miratimin e konçensioneve për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane të Fierit, Elbasanit dhe Tiranës.

Më pas do të nisë thirrja e dëshmitarëve të ndarë në tre grupe dhe më 23 shkurt do të bëhet prezantimi i konkluzioneve të hetimit. Komisioni vendosi që të mblidhet çdo ditë pune deri në përfundim të afatit ligjor më 25 shkurt./ BIRN

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.