LAJMI I FUNDIT

Saimir Tahirin e viziton në burg bashkëshortja e tij (çfarë i thanë avokatët)

12:59 - 08.02.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas vetëm tri ditësh në qeli, ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i është mundësuar takimi me familjarët e tij. Në takim mësohet se i kanë shkuar familjarë dhe dy mbrojtësit ligjorë, të cilët po bëhen gati për të kryer edhe procedurat e rekursit të vendimit të Gjykatës së Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që të premten i dha dënimin prej 3.4 vitesh burg.




Ata pretendojnë të kapen në faktin e akuzës me të cilën iu dha vendimi, pasi ata pretendojnë se kjo akuzë, pra “Shpërdorimi i detyrës”, nga ku mori shkas edhe dënimi, nuk është në kompetencën e tyre. Po ashtu, ata pretendojnë edhe se klienti i tyre është i pafajshëm, jo vetëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, por edhe për të gjitha akuzat që janë shqyrtuar prej vitesh për aktivitetin e ish-ministrit.

TAKIMI

Sipas të dhënave në takimin që është zhvilluar pas mesditës së djeshme, përveç avokatëve, ka qenë edhe bashkëshortja e tij. Ish-ministri mësohet se do të kalojë edhe disa ditë në të njëjtin burg ku u vendos menjëherë pas dhënies së vendimit për dënimin e tij. Më pas bëhet me dije se ai ose mund të transferohet në një burg të sigurisë së zakonshme jashtë Tirane, ose mund të qëndrojë në të njëjtin vend ku edhe gjendet aktualisht. Tahiri, për shkak të pozicionit të punës që ka pasur, do të qëndrojë në një qeli më vete, pasi drejtuesit e burgjeve tentojnë të shmangin ndonjë përplasje me persona të botës së krimit që mund të jenë arrestuar në kohën kur ai ka qenë ministër i Brendshëm.

AKUZAT

Saimir Tahiri, edhe pse u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre”, duke iu shpëtuar akuzave “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, sërish beson në pafajësinë e tij. Në argumentimet e vendimit që dha Apeli i GJKKO-së, u nënvizua se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilajn dhe Artan Habilajn dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të Policisë dhe të shtetit dhe të pengojë luftën ndaj trafikut të drogës në vendin tonë. Sipas Gjykatës, Tahiri provohet se ka përfituar sende materiale nga vëllezërit Habilaj, kushërinj të tij, në mënyrë të padrejtë. Ndonëse Tahiri ka vite që e mohon lidhjen me ta, e sidomos bashkëpunimin në fushën e narko-trafikut ndërkombëtar, ai u dënua me vendim të formës së prerë, ndonëse brenda 30 ditëve Gjykata i dha mundësinë e një rekursi në Gjykatën e Lartë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.