AKTUALITET

Black Cube/ Krerët e kompanisë së inteligjencës pranojnë spiunimin e ish-kryeprokurores Laura Kovesi. Ja me sa vite burg dënohen

20:09 - 08.02.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sipas një marrëveshjeje pranimi fajësie, krerët e kompanisë private të inteligjencës “Black Cube” pranuan se kishin spiunuar ish-kryeprokuroren në Drejtorinë Kombëtare të Anti-Korrupsionit të Rumanisë, Laura Kovesi.




Prokurorët rumunë të krimit të organizuar kërkuan të martën dënime të buta pasi krerët e kompanisë së inteligjencës “Black Cube” – Dan Zorella, Avi Yanus dhe Gal Farchi – pranuan se kishin spiunuar kryeprokuroren në Drejtorinë Kombëtare të Anti-Korrupsionit të Rumanisë, Laura Kovesi, e cila që atëherë ka marrë drejtimin e Zyrës së Prokurorit Publik Evropian.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë përfshinte një dënim me 35 muaj burg për secilin prej tyre, me një një program mbikëqyrjeje tre-vjeçare. Gjykata duhet të konfirmojë vendimin deri më 17 shkurt, sipas faqes së internetit G4Media.

Prokurorët rumunë akuzojnë shefat dhe punonjësit e “Black Cube” për organizimin e një grupi kriminal, sigurimin e qasjes së paligjshme në një sistem kompjuterik, transferimin e paautorizuar të të dhënave kompjuterike, falsifikim kompjuterik, operacione të paligjshme me pajisje dhe programe kompjuterike dhe shkelje të fshehtësisë së korrespondencës.

Krerët e “Black Cube” dyshohet se kanë nisur një fushatë mbikëqyrjeje dhe ngacmimi kundër Laura Kovesit me kërkesë të klientëve që ende nuk janë identifikuar dhe ndjekur penalisht.

Punonjësit e “Black Cube” të punësuar nga kontraktorë rumunë të paidentifikuar hakeruan emailet e Laura Kovesit dhe vodhën të dhëna.

Dy shtetas të tjerë izraelitë në skandalin “Black Cube” në Rumani, Ron Weiner dhe David Geclowicz, u dënuan me burgim me kusht nga dy vjet e tetë muaj secili në janar 2017 për qasje të paligjshme në adresat e emailit të të afërmve të Kovesit.

Në shtator 2016, prokurorët rumunë ndaluan Daniel Dragomir, një ish-punonjës i shërbimeve sekrete rumune, i cili dyshohej se kishte ndërmjetësuar lidhjen mes atyre që donin të mësonin informacione për Kovesin dhe punonjësve të “Black Cube”, të cilët ishin përgjegjës për spiunimin e saj./ Reporter.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.