DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Heroina në Kukës/ Numri i Kryeministrisë në celularin e trafikantit

06:00 - 09.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

9 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë.




Heroina në Kukë/ Numri i Kryeministrisë në celularin e trafikantit

Ylli Ibrahimi dhe Shkëlqim Koçi janë kapur me 20 kile heroinë në Fuoristradë duke shkuar drejt Kosovës. Zbulohem lidhjet me persona VIP të mafias dhe politikës. Mes tyre edhe një funksionar i policisë së Kryeqytetit. Një grup niset urgjent nga Tirana me helikopter. Hetuesit: Jemi ende në fillim

Fuoristrada me targa policie transportonte mallin për në Kosovë. Në pranga Ylli Ibrahimi e Shkëlqim Konçi. Lidhje edhe me një funksionar të policisë së Tiranë

Droga në Kukës/Bllokohen 20 kile heroinë. Ndalohen dy korrierët. Zbulohen lidhjet me lart

Policia shqiptare ka zbuluar mbërmjen e së enjtes një lidhje të re mes trafikut të drogës së njerëzve me pushtet. Dy personat e arrestuar nga forcat e Kukësit  nuk janë gjë tjetër veçse korrierët që transportonin mallin nga Shqipëria në Kosovë.

Sipër tyre sigurisht që qëndrojnë njerëz shumë të rëndësishëm, të cilët deri tani u kanë siguruar edhe mbrojtjen nga Drejtësia. Rezultatet e para të marra nga hetuesit duket se janë shumë premtuese. Njëri prej të ndaluarve Shkëlqim Konçi, 26 vjeç gjatë gjithë paradites së djeshme është cilësuar nga media të shumta, por edhe burime policore si shoferi personal i Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve, Adi Shamku fakt i përgënjeshtruar më pas nga ky i fundit. Por në memorien e celularit të “Çimit” – kështu e njihnin të gjithë – ekspertët kanë zbuluar mes të tjerëve dy numra që i përkasin Kryeministrisë dhe një funksionari të Policisë së Tiranës. Hetuesit e dinë emrin e këtij të fundit, ndërsa për numrin e celularit të emërtuar Kryeministria, ende vazhdojnë hetimet për të gjetur se kujt i përket.

“Numrat që kemi në duar janë të shumtë dhe ne po kërkojmë se kujt i korrespondojnë. Emërtimi i tyre të bën të besosh se lidhjet me persona të pushtetshëm janë evidente” – tha dje në mbrëmje për Gazetën njëri nga zyrtarët e policisë që merrej direkt me këtë operacion.

 

Ngjarja

Fuoristrada Nissan me fenelinë dhe targa policie 0667 nuk kishte ndonjë arsye pse të ndalohej. Sigurisht që duhet të ketë qenë ndonjë sinjalizim i cili ka udhëzuar forcat e komisariatit të Kukësit për ta ndaluar e më pas kontrolluar automjetin e “kolegëve”. Sipas burimeve të policisë lokale të konfirmuara më pas edhe nga autoritetet e Tiranës, sapo kanë dëgjuar sinjalin nga pas, dy personat e ndodhur në automjet kanë hedhur diçka nga dritarja. “Malli nuk ka qenë gjë tjetër veçse 20 kg heroinë e presuar në ndarje njëkilogramshe dhe dy pistoleta tip Zastava e Bereta. Dy personat e ndaluar quhen Ylli Ibrahimi, 25 vjeç nga Miloti dhe Shkëlqim Konçi, 26 vjeç nga Tirana, i cili sipas komunikatës së policisë kishte punuar më parë në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Deri vonë asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të ketë lidhje me mallin, megjithëse sipas të dërguarit të Prokurorisë së Përgjithshme, ekzistojnë të gjitha provat për arrestimin e tyre.

Hetimi

Lajmi i arrestimit të “Çimit” ka mbërritur menjëherë në Tiranë e të njohurit e tij janë vënë në lëvizje. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe Ministria e Rendit dhe Prokuroria e Përgjithshme. Shefi i antidrogës dhe shefi i sektorit kundër krimit të organizuar bashkë me specialistë të tjerë kanë udhëtuar me helikopter drejt veriut. Jo vetëm për sasinë e mallit të kapur, por sigurisht edhe për emrin e personit të arrestuar. Në celularin personal të tij ekspertët kanë gjetur numra “të çuditshëm”. Pa llogaritur njerëz të administratës e persona të tjerë të njohur, dy numra kanë bërë më tepër përshtypje. Njëri i emëruar Kryeministria dhe tjetri nën emrin e një funksionari të Policisë së kryeqytetit. Menjëherë kanë nisur hetimet për lidhjet e mundshme, por informacioni i marrë nga njerëzit që merren me këto veprime ka qenë tepër i rezervuar. Implikimi i personave të njohur duket se u ka hapur tepër punë hetuesve, të cilët kanë nguruar të japin të dhëna të tjera. “Ne po hetojmë, rezultatet do i japim më pas” – ky ka qenë prononcimi që jepej dje në mbrëmje.

Dyshohet se sasia e heroinës e zbuluar dje, e një cilësie tepër të lartë nuk kalonte për herë të parë në rrugën Kukës – Morinë. Hetime të bëra më parë duket se kishin arritur të siguronin një vizion të qartë për kanalin e hapur nga Shqipëria drejt Kosovës. Pjesë e kësaj ndjekjeje ka qenë edhe fuoristrada që mbante targën e policisë e që brenda kishte edhe një të dytë TR 1385H. Nuk dihet ende sesi targa e policisë ka përfunduar në duart e dy trafikantëve. Dje janë dhënë disa variante pronësie të saj, nga kamionë të Ministrisë e deri në komisariatin e Pogradecit, pa nguruar të shtohet se është një targë e vjedhur, por ende nuk është dhënë autorësia e vërtetë e saj, ndoshta edhe për arsye hetimi.

 Drejtori i Rrugëve: Konçin e kam hequr para 6 muajsh

Kryemadhi dhe Shamku: S’kemi asnjë lidhje me dy të arrestuarit

Tiranë-Drejtoi i përgjithshëm i rrugëve Adi Shamku dhe kryetarja e FRESSHJ dhe deputetja Monika Kryemadhi janë deklaruar dje se s’kanë asnjë lidhje me personat e arrestuar për trafik droge. Nga ana e Shamkut thuhet se personi i arrestuar është pushuar gjashtë muaj më parë nga puna. Reagimi i tyre ka ardhur pas lajmeve se një nga të arrestuarit nga policia në Kukës është shoferi i Drejtorit të përgjithshëm të rrugëve Adi Shamku dhe më parë ka punuar për kryetaren e FRESSH. I pari ka reaguar Shamku i cili me anë të një njoftimi publik që ka dalë nga zyra e marrëdhënieve me publikun në drejtorinë e rrugëve. Në të thuhet se personi i kapur nga policia nuk është punonjës i kësaj drejtorie. “Spekulimi në këtë rast me punësimin e tij ka ardhur për arsye se ai ka punuar në Drejtorinë e përgjithshme të rrugëve si shofer i kreut të saj, deri para gjashtë muajsh. Ai është pushuar nga puna për thyerje të disiplinës në punë”, thuhet në njoftimin e drejtorisë së përgjithshme të rrugëve. Një fakt të tillë e ka përmendur edhe vetë Shamku i cili është emëruar në këtë detyrë me urdhër të Kryeministrit Meta pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 24 qershorit. Deputetja Kryemadhi ka reaguar duke thënë se s’ka asnjë lidhje me të arrestuarin. Në reagimet e dy drejtuesve të lartë të FRESSH bie në sy fakti se ata përmendin se lidhja e emrit të tyre me këtë ngjarje është bërë e qëllimtë dhe e sajuar nga grupime të njohura për arritjen e qëllimeve politike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.