LAJMI I FUNDIT

Procedurat e dhënies me koncesion/ Komisioni hetimor, dy raporte të kundërta për inceneratorin e Elbasanit

20:50 - 09.02.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Komisioni Hetimor Parlamentar për inceneratorët debatoi të mërkurën për procedurat e ndjekura në dhënien me koncension të inceneratorit të Elbasanit.




Opozita, e cila është inciatore e këtij hetimi paraqiti argumentet e saj, duke pretenduar se janë shkelur ligjet në fuqi gjatë procedurave të dhënies me koncension dhe praktikat e ndjekura janë korruptive. Opozita i mëshoi faktit që pikërisht për ndërtimin e këtij inceneratori është sot në burg ish-ministri socialist Lefter Koka, i cili akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre në këtë rast.

Përmbledhjen e gjetjeve për Elbasanin i prezantoi në komisioni deputeti i PD-së nga ky qark, Luçiano Boçi. Ai renditi datat për të gjithë praktikën e ndjekur që nga shpallja e emergjencës nga Bashkia e Elbasanit, oferta e pakërkuar nga kompania koncensionare Albtek Energy dhe deri tek vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave për kontratën për ndërtimin e këtij impanti.

“Dokumentat tregojnë se brenda 24 oreve janë kryer 17 procedura, nga shpallja fituese deri tek miratimi i kontratës nga qeveria,” tha Boçi duke renditur institucionet e përfshira në proces dhe duke e komentuar këtë nxitim si tregues të një afere korruptive.   “Kemi parë që ka një gabim trashanik sepse sipas ligjit nuk kërkohet miratim nga Këshilli i Ministrave, por nga ministria e Financave. Baza ligjore nuk e mbështet këtë procedurë,” tha Boçi.  Sipas tij, përgjegjësi kryesor është kryeministri Edi Rama, ndërsa i kujtoi mazhorancës se një ish-ministër i tyre dhe pronarët e këtij inceneratori janë tashmë para drejtësisë për këtë incenerator.

Nënkryetarja socialiste e komisionit, Ermonela Felaj, paraqiti përfundimet e mazhorancës për këto procedura, duke bërë të qartë që në nisje se nuk do të komentonte vendimet e marra nga Koka, pasi sipas saj, “është një çështje që i përket drejtësisë”. “Nuk po mbrojmë askënd sepse përgjegjësitë penale janë individuale, jo kolektive,” tha ajo, pasi u akuzua nga kolegët e opozitës se po mbronte ish-ministrin socialist.

Ajo iu përgjigj pretendimeve të opozitës për vendimet e marra brenda 24 orëve duke e cilësuar një procedurë normale të punës së qeverisë. “Unë kam qenë ministre dhe e di që ministrat komunikojnë nëpërmjet një sistemi unik online për çdo VKM,” tha ajo duke e cilësuar si një “përkim të bukur” faktin që qeveria nuk harxhonte letër për çdo komunikim, si një akt që i shërbente mbrojtjes së mjedisit.

Të gjithë procedurat e ndjekura në dhënien e koncensionet sipas Felajt ishin të bazuara në ligjet në fuqi, ndërsa e cilësoi inceneratorin e Elbasanit si një nevojë emergjente për situatën e ndotjes në këtë qytet. Ajo tha se inceneratori sot i është dorëzuar bashkisë dhe po prodhonte energji, ashtu siç ishte parashikuar në kontratë.

Felaj citoi një shkresë të OSHEE-së ku thuhej se kompania koncensionare ka injektuar në rrjet 6.748.2 KW dhe ka përdorur për nevojat e tij 2.792.6 KW.

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, e cilësoi një gënjështer këtë konstatim duke cituar një shkresë të ERE-s ku thuhet se nuk ka asnjë subjekt të ri që prodhon energji.

Pas disa orë debatesh, disa prej deputetëve u drejtuan drejt Elbasanit për të parë nga afër punën në këtë incenerator, ndërsa hetimi do të vijojë të premten me kontratën koncensionare për inceneratorin e Tiranës./ BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.