BOTA

Mbyllet protesta e shoferëve të kamionëve në Ontario, policia kanadeze ndërhyn për të hequr bllokadën në kufi

21:11 - 12.02.22 K.K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Situata e tensionuar në një pikë të rëndësishme kufitare për ekonominë e Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë duket se po qetësohej gradualisht të shtunën ndërsa policia kanadeze filloi të heqë bllokadën dhe të shpërndajë demonstruesit që filluan të largoheshin pa bërë rezistencë.




Shumë demonstrues u larguan nga Ura Ambassador, përmbi lumin mes Detroidit dhe Uindsorit, në provincën Ontario, ndërsa forca të shumta policie u afruan menjëherë pas agimit. Demonstruesit e kishin kaluar natën aty në shenjë sfide ndaj paralajmërimeve të reja për t’i dhënë fund bllokadës, e cila ndërpreu lëvizjen e trafikut dhe mallrave, si dhe e detyroi industrinë e makinave në të dyja anët e kufirit të ndërpriste prodhimin.

Të rrethuar nga dhjetëra oficerë policie, një burrë me slloganet “Urdhëri i lirisë” dhe “Trump 2024” të shkruajtura me bojë mbi makinën e tij u largua ndërsa protestuesit e tjerë filluan të çmontonin një kompleks të vogël tendash. Një shofer kamioni i binte borisë ndërsa largohej mes brohoritjeve dhe thirrjeve “Liri!”.

Megjithatë protestues të tjerë mbërritën në zonë në vazhdim, duke mbajtur flamuj dhe duke thërritur. Policia vazhdoi zmbrapsjen e njerëzve nga ura dhe nuk pati përplasje të dukshme fizike.

Demonstruesit po protestojnë kundër urdhrave kufizues të Kanadasë të lidhura me COVID-19. Por protestat janë gjithashtu dhe një shprehje zemërimi ndaj Kryeministrit Justin Trudeau.

Në një kohë kur Kanadaja është përfshirë nga protestat kundër vaksinimit të detyruar, shumë nga masat e ndërmarra nga ky vend, të tilla si mbatja me detyrim e maskave apo pasaportat e vaksinave për hyrjen në restorante dhe teatro, tashmë po lehtësohen, ndërsa nivelet e infeksioneve me Omicron janë ulur.

Kanadaja ka zbatuar masa më të rrepta ndaj pandemisë krahasuar me Shtetet e Bashkuara, dhe ato janë mbështetur kryesisht nga kanadezët. Shumica dërrmuese e kanadezëve janë të vaksinuar dhe shkalla e vdekjeve nga COVID-19 është sa një e treta e atyre të shënuara në Shtetet e Bashkuara./ Marrë nga VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.