LAJMI I FUNDIT

Rrëfimi/ Spartak Ngjela: Njohja me Kurt Kolën në burg, përplasja e Berishës me At Zef Pllumin dhe e ardhmja e Bashës

18:13 - 13.02.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Avokati i njohur Spartak Ngjela një nga miqtë më të afërt të Kurt Kolës, rrëfen në një intervistë ekskluzive për News 24 vitet e tyre të burgut, idetë për regjimin komunist, por edhe periudhën që pasoi me ndryshimin e sistemit në vitin 1990 dhe përplasjet me Sali Berishën. Ngjela tregon momentet kur 8-vjeçari Kurt Kola u internua së bashku me të ëmën, pasi i ati dhe dy vëllezërit u arratisën për në Jugosllavi, ku edhe u vranë nga UDB-ja.




Sipas Ngjelës hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj familjes Kola merr shkas nga një ngjarje gjatë luftës, kur babai i Kurt Kolës i kërkoi Abaz Kupit ta vriste diktatorin. Avokati flet gjithashtu edhe për figurën e Kolës pas 1990, përplasjet me Berishën dhe bashkëpunimi me Fatos Lubonjën e Daut Gumeni për ta rrëzuar atë. Lidhur me zhvillimet në Partinë Demokratike, Ngjela thotë se Berisha dështoi juridikisht ta merrte këtë forcë politike, teksa shprehet se Basha tani ka shansin e madh të krijojë fluksin e tij politik.

Është ndarë nga jeta Kurt Kola, i cili bëri 25 vite burg. Kush ishte Kurt Kola?

Kurt Kola, ashtu siç e kam shkruar rridhte nga një familje patriotike e nivelit të lartë. Fisi i tij u përfshi në luftra për dinjitetin kombëtar, kundër perandorisë osmane, kundër pushtimit të Italisë, Gjermanisë e kështu me radhë. Kurt Kola ishte i fundit i fisit të tyre sepse të tjerët u eliminuan. Dy vëllezër të Kurtit dhe babai kishin krijuar formacionin e tyre ushtarak kundër tiranisë komuniste në malet e veriut. Në momentin kur rezistenca ndaj regjimit komunist mori fund ata ikën, kaluan kufirin dhe vajtën në Jugosllavi. UDB i vrau me kërkesë të Enver Hoxhës. Duhet të kemi parasysh një gjë, ka qenë një takim i famshëm mes Abaz Kupit dhe Enver Hoxhës në një nga zonat e Veriut. Enveri filloi ta dridhte. Babai i Kurtit i tha Abazit “Duhet vrarë Enveri”. Por nuk e la Abaz Kupi. Enver Hoxha ia mbajti mend këtë Bilal Kolës (babait të Kurtit) dhe i kërkoi UDB-së ta vriste pasi në atë kohë ai kishte marrëdhënie të mira me Jugosllavinë. U vra babai i Kurt Kolës dhe dy vëllezërit e tij, 17 dhe 19 vjeç.

Pas vrasjes së babait dhe dy vëllezërve, familja e Kurt Kolës internohet…

Ai regjim ishte, internuan Kurtin 8-vjeëar dhe nënën e tij. Kurt Kola bëri dhe burg politik dhe në 1991 u lirua.

Në kujtimet që ai ka botuar, përmend edhe takimin tuaj të parë. Ka qenë burgu i Burrelit. Si e kujtoni takimin me Kurt Kolën në Burrel?

E kujtoj në mënyrë të veçantë. ishte nga të paktët që fliste hapur. Nuk mund të flisje dot hapur kundër komunizmit se të ikte koka. Ai që e merrte përsipër bënte një akt trimërie. Në na vunë në një dhomë dhe u bëmë miq. Në situata të tilla, njeriu mund të bëhet mik me tjetrin në 5 minuta sa nuk bëhet për 50 vjet. U bëmë miq për 5 minuta dhe vendosëm të rezistonim kundër regjimit. Kur erdhi problemi i rrëzimit të pushtetit komunist u tregua humanist. Në pozicionet që ka qenë është treguar humanist.

Çfarë e bënte Kurt Kolën humanist?

Ka mundësia që vuajtja e ka bërë humanist. Vuajtja e një personi me intelekt të lartë të çon në humanizëm, nuk të çon në ekstremizëm. Vuajtja e një personi me nivel të ulët intelektual të çon në hakmarrje.

Ju jeni takuar me Kurt Kolën edhe  në Burrel, keni qëndruar 10 vite bashkë?

Po kemi qëndruar 10 vite dhe pastaj shkuam në Kosovë. Kur shkuam atje regjimi ishte drejt rënies. Me njeri tjetrin, por edhe me miq të tjerë biseduam dhe arritëm në konkluzionin që këta do rrëzohen, por më pas çdo ndodhë? Ardhjen në pushtet e Sali Berishës si ish komunist Kurt Kola nuk e pranoi dhe filloi konflikti i dytë i tij me regjimet në pushtet që drejtonin në Tiranë. Është nga të parët që goditi Sali Berishën dhe ishte e rëndë për të se ai ishte një ish komunist kurse ky vinte nga shtresat 40 vite i persekutuar nga komunizmi. Dhe rezultoi e saktë analiza që Kurti bëri.

Pas përplasjes që Kurt Kola pati pas 1990 me Berishën për çështjen e dëmshpërblimit të të përndjekurve, ai organizoi grevën…

U arrestua, por nuk u dënua dot. Unë isha avokat i tij. Pushteti gjyqësor ishte i gjithi i Saliut, por pati frikë prej tij dhe nuk e dënoi. Berisha vendosi një regjim njësoj si komunizmi, vetëm se nuk ishte burgu aq i lehtë për kundërshtarët e tij. Berisha e ktheu në një tirani. Kurt Kola ishte nga të parët që e goditi hapur dhe e goditi me shtresën e të persekutuarve që e vinte në vështirësi të madhe një ish komunist. Saliu gënjente, shumica nuk e dinte që kishte qenë komunist. Ai kishte qenë sekretar partie. Kurt Kola nuk mund ta pranonte këtë. ishin dy këta që nuk e pranuan: Kurt Kola i cili në fillim heshti dhe pastaj e goditi menjëherë dhe At Zef Pllumi, i cili e takoi dhe i tha “ti nuk mund të drejtosh një lëvizje anti-komuniste. Duhet të tërhiqesh, është turp për ty që merr nëpër këmbë nderin tonë”. Berisha nuk e dëgjoi.

Kurt Kola nuk e kishte dëshirën për hakmarrje edhe pas 1990 kur pa që shumë prej tyre që kishin qenë persekutorë kishin marrë poste

Kurt Kola pati një evolucion të brendshëm shpirtëror, se kishte mik të ngushtë në burg priftin e famshëm, At Nikolla. Ai e mbajti afër dhe i infiltroi humanizmin Kristian. Të paktën ky është mendimi im. E kuptova nga mënyra se si fliste në lidhje me drejtësinë.

Kurt Kola pati këtë përplasje me Berishën në fillim të viteve 90 dhe më pas pati një lloj afilacioni me të majtën, me PS-në e kohës, si kandidat për deputet i tyre. A ishte ky një vendim i marrë prej tij në kushtet kur e djathta nuk ishte dhe aq e djathtë sa e priste ai?

Gjykimi i Kurtit në ato momente ishte ky: Sali Berisha është e keqja e madhe që nuk luan për interesin shqiptare. E kishte kuptuar me një ditë dhe i doli kundër. Formuan një treshe të djathtë, ishin të persekutuar Kurt Kola, Daut Gumeni dhe Fatos Lubonja. Formuan një treshe për të rrëzuar Sali Berishën dhe e rrëzuan. Grupuan gjithë të djathtën dhe e rrëzuan Saliun, por në momentin që do rrëzonin Saliun, e djathta ishte e gënjyer nga optika e Saliut. Këta u mbështeten te e majta në funksion të Shqipërisë, jo në funksion të bindjeve të tyre. E menduan si të keqen e Shqipërisë dhe krijuan revoltën e madhe të 1997 me ekipin tresh që iu thashë.

Juve ia atribuuat Kolës, Lubonjës dhe Daut Gumenit 1997-tën, ku vendi u kthye në kaos dhe u desh shumë kohë të rikthehej stabiliteti në vend. Është kjo një akuzë apo një meritë të thuhet se 1997 e bënë tre intelektualë?

Jo, më shumë se kaq. E para e punës, ajo ishte tirani e Berishës dhe populli i kërkoi dorëheqjen. i kërkuan dorëheqjen një tirani. Ku e japin tiranët dorëheqjen? Ende nuk e dinin shqiptarët që kishin zgjedhur  një tiran. Berisha nuk pranoi. Lëvizja filloi në Vlorë dhe këta shkuan në Vlorë. Pastaj Saliu në vend që të jepte dorëheqjen hapi armët. Treshja vazhdoi lojën dhe e rrëzoi. Sakrificën që bëri populli do ta justifikonte me ardhjen e një regjimi normal, humanist dhe e realizuan. Ju nuk e keni parasysh se çfarë ndodhte atëherë kur u shkatërrua gjithçka. Me 42 milionë dollarë të Serbisë regjimi i Saliut ka shkatërruar 500 fabrika e uzina.

Megjithatë armët e 1997 u përdorën gjatë luftës në Kosovë…

Çdo e keqe e ka një të mirë dhe armët që u hapën këtu shqiptarët i çuan në Kosovë.

Mendoni se SPAK ka nisur të vendosë Drejtësi në Shqipëri? Ka shumë Kritika për SPAK…

Nuk janë profesionistë ata që kritikojnë. SPAK nuk është aq e lehtë të mendosh që mund ti krijojë provat me 3 muaj. Duhet të kuptojmë një gjë: në qoftë se kemi krijuar një pushtet të ri gjyqësor duhet të dominojë prova, jo dëshira. Provat janë shumë të vështira të mblidhen. Tani lind problemi, po nivelet e larta? Ka filluar edhe në nivelet e larta, është arrestuar një ish- ministër, edhe majtas, me lidhje në sferat e larta të së majtës. Sekretari i Shtetit deklaroi se “SPAK e drejtojmë ne”. kemi shpresë që ata do ta drejtojnë me drejtësi.

Si e shikoni fundin e rrugës në të cilën po ecën PD-ja?

E shoh me optimizëm. Eliminimi i Saliut krijon rigrupimin e të djathtës. Neo komunizmin në të djathtën shqiptare e ka futur Berisha. PD-ja që drejtohet nga Basha është person juridik, të tjerat janë fantazma. Veprimet e Saliut janë juridikisht të pavlefshme. Ku do jetë fitimi i PD-së që do drejtohet nga Basha i cili po e merr veten? E djathta ka abstenim të madh në votime. E djathta klasike nuk voton për Saliun. Tani ky abstenim do vijë dhe do ti japë vlerë të re PD-së që do drejtohet nga fluksi i Bashës dhe Basha duhet të formojë një fluks të nivelit të lartë intelektual.

6 Marsi është shumë afër dhe do jetë një provë për PD-në dhe grupimin e Berishës…

Saliu dështoi, u fut me listën e partive të tjera. U bashkua me ilir Metën. U fut në listat e LSI-së. Ky është dështim, ju e dini fitore këtë? PD-ja fitoi gjyqin, u shpall si e vetmja forcë politike me të drejta juridike. Saliu gënjeu për votimet, ai thoshte kemi 1 mijë kur kishte 300.

Keni besim që Basha i shkëputur tani plotësisht nga Berisha, vendimet e tij politike do të jenë vendime që do e shpallin PD-në fituese?

Nuk e kuptoni që Berisha mbahej nga Rama? E mban mend fushatën e fundit elektorale, e di si thoshte Rama? “Nuk po votoni për Bashën, po votoni për Saliun”. Ekzistenca e Saliut e mban Ramën në pushtet. Tani Rama është trembur nga Basha.

A jeni ofruar të ndihmoni PD-në me ekspertizën tuaj ligjore, intelektuale?

Jo. Në këto momente nuk kam ndonjë marrëdhënie të drejtpërdrejtë në këshillim, por jam në mendimin tim përmes statuseve, shtypit dhe televizionit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.