DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Bie sërish Meta. Dje dha dorëheqjen….

07:00 - 14.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

14 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë.




 Bie sërish Meta

Dje dha dorëheqjen si ministër i Brendshëm

Arta Dade bllokon Qeverinë e re

 Si u detyrua të heqë dorë nga posti i ministrit të Brendshëm

Meta dorëzohet: Unë nuk hyj në Qeverinë e Re

Për pesë ditë me radhë Meta gjendej në një pozitë të vështirë. Nano dhe pasuesit e tij këmbëngulnin që ai të mos merrte postin e ministrit të Brendshëm. Madje përmes një deklarate ai iu drejtua Majkos me tonë ultimative, që Ministria e Brendshme të mos i përkiste grupimit të Metës dhe drejtuesi i saj të zgjidhej nga përfaqësuesit e Lëvizjes për reformimin e PS-së. Gjatë gjithë kësaj periudhe Meta nuk është tërhequr. Qenia e tij në projektlistën e kabinetit Majko ishte kthyer në një pikë që kishte bllokuar negociatat mes dy grupimeve të PS për krijimin e qeverisë. Dy ditë më parë Majko doli në konferencë shtypi, duke deklaruar se ishte i vendosur që Meta të merrte postin e ministrit të Brendshëm. Pas daljes së Majkos në publik me një deklaratë të tillë, Nano gjithashtu vendosi të luante publikisht. “Në mënyrë eksplisite nuk pranoj asnjë qeveri në të cilën Ilir Meta do të ketë postin e ministrit të Brendshëm, tha kryetari i PS-së, duke dalë nga mbledhja e Komisionit të Jashtëm parlamentar, dje paradite, në kohën kur në zyrën e Metës kishte mbërritur një letër e kryeministrit britanik Toni Bler. Tonet keqardhëse të Blerit për dorëheqjen e Metës nga posti i kryeministrit, duket se i shërbyen Metës si një mjet për t’u tërhequr jo me turp. Ndihmësit e tij njoftuan një konferencë shtypi për në orën 14.30. Ndërkohë negociatat e Majkos me pasuesit e Nanos për formimin e kabinetit ishin ndërprerë në pritje të deklaratës së Metës. Ish-kryeministri doli në konferencë shtypi, duke përdorur të njëjtat tone të ashpra kundër Nanos, si ato të disa ditëve më parë, kur dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Madje ai tha se në fillim kërkesën që ai të përfshihej në qeveri si ministër i Brendshëm, e kishte bërë grupimi i Nanos. “Unë nuk do t’i jap Fatos Nanos dhe atyre që i qëndroj afër, qoftë edhe një pretekst të vetëm për të destabilizuar vendin”, tha Meta. Ai u shpreh qartë se do të vazhdojë luftën e tij brenda PS-së kundër Fatos Nanos. “Si një ndër drejtuesit kryesorë të PS-së do t’i kushtohem europianizimit të mëtejshëm të saj, duke bërë të qartë demagogjinë dhe mashtrimin e së ashtuquajturës Lëvizje për reformim”, tha Meta. Ai e akuzoi Nanon se “ai dhe grupi i tij i ngushtë i ka vënë qëllim vetes sundimin e Shqipërisë sipas interesave të tij dhe të atyre që i qëndrojnë pas.

 

 

 

Bllokimi

Dje të gjitha gjasat tregonin se Qeveria Majko është bllokuar sërish, megjithëse vetë Kryeministri u tregua optimist kur deklaroi se sot do të dërgonte emrat te Mejdani. Ai rezulton të jetë bllokuar përsëri edhe me largimin e Metës. Vetë Majko ka larguar Malaj dhe Islamin dhe e gjithë lista që kishte përgatitur u shkërmoq. Takimi i fundit që ka bërë Majko, ka qenë ai me ministren e jashtme, Arta Dade, për ta bindur atë që të mos jetë më në këtë post. Kjo për shkak se pikërisht për emrin e saj Majko ka pasur shumë kundërshtime nga ana e deputetëve të lëvizjes për vetëpastrim brenda PS-së. Majko, pasi realizoi disa takime, shkoi te Nano për t’i dhënë dorën e fundit listës së tij. Tashmë duket se janë përcaktuar postet që kanë aleatët dhe pjesa më e madhe e socialistëve. Majko megjithatë është shprehur se do ta dërgojë në Presidencë qeverinë, në mënyrë që ajo të dekretohet nga ana e Meidanit. Kështu ai ka kapërcyer diskutimin dhe vendimin që do të merrte kryesia e PS-së, mbase edhe KPD-ja, në lidhje me qeverinë e re. Dërgimi me urgjencë i Qeverisë për dekretim te presidenti Meidani nga ana e Majkos, lidhet me shqetësimin e tij se po kalonte afati i vendosur nga Kushtetuta. Ky ka qenë shpjegimi që kanë dhënë një pjesë e deputetëve të PS-së, të cilët e kanë dëgjuar vetë këtë shqetësim të Majkos.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.