OPINION

Ç’vjen nga Uashingtoni, e mirë për Shqipërinë

13:21 - 18.02.22 Preç Zogaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ashtu siç e tregoi Kryeministri ynë, takimi i tij me sekretarin e Shtetit, Blinker, në Uashington këtë të martë u lexua nga mjaft njerëz të medias si një takim rutinë, pa theksa të veçanta për temat e ndjeshme të aktualitet politik në vend. Në konferencë me gazetarët dhe në prononcime të tjera, Rama i sintetizoi bisedimet me Blinker te bashkëpunimi në dy korsi: në fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë.




Këto janë të vërteta, pa dyshim. E vërtetë pritja miqësore që tradicionalisht është më shumë se kortezi diplomatike; i vërtetë partneriteti strategjik, i vërtetë celebrimi i njëqindvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, i vërtetë bashkëpunimi dypalësh dhe në kuadrin e NATO-s për një gamë të gjerë çështjesh të interesit të ndërsjellë, i vërtetë vullneti i shprehur i SHBA për të punuar edhe më ngushtë me një vend mik si Shqipëria.

I vërtetë nga ana tjetër gëzimi i shqiptarëve kur kryeministrat, ministrat dhe politikanët e tyre të çdo krahu pritën në Uashington. Nga kjo pikëpamje, takimet konfirmuese të asaj që është arritur apo edhe celebrative mes dy vendeve nuk do të habisnin njeri. Edhe kur në mes është sekretari i shtetit, axhenda e tij shumë e ngjeshur.

Sidomos në periudhën e një krize shumë impenjative për superfuqinë e globit, siç është ajo me Rusinë për çështjen e Ukrainës. Mirëpo, nëse mbajmë parasysh përparësitë e sotme të politikës së jashtme të SHBA-ve, ku spikasin antikorrupsioni, sundimi i ligjit dhe ndëshkueshmëria e zyrtarëve të korruptuar si dhe problematikat që po ndesh kjo betejë në Shqipëri, mbajtja e takimit në suazën e treguar nga Rama do të lexohej më të drejtë si një shmangie nga zoti Blinker i pikave të nxehta të bashkëpunimit dypalësh.

Për rrjedhim si një bonus për zotin Rama. Për mua, së paku, por edhe për plot të tjerë si unë, që mendojnë se lufta kundër korrupsionit është tema që përshkon dhe përshkruan si asnjë tjetër dinamikën bashkëpunimit dypalësh dhe veprimin e diplomacisë amerikane në Tiranë, do të ishte e çuditshme që në një takim që ka zgjatur dyzet e pesë minuta, të mos zinte një vend qendror pikërisht çështja e çështjeve.

Njoftimi i Departamentit të Shtetit nuk vonoi të qartësonte tablonë e bisedimeve, duke vënë në dukje, veç atyre që kishte thënë Kryeministri ynë, se Sekretari i Shtetit “theksoi nevojën për të zbatuar plotësisht Reformën në Drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin”. Sa, si dhe çfarë është folur për ketë temë mbetet në diskredicionin e bisedimeve. Publiku shqiptar ka mundësi të informohet nga ngjarjet dhe zhvillimet konkrete që flasin më qartë se procesverbalet.

Beteja me korrupsionin në sferat e larta është sfida për ekzistencën e demokracisë dhe për rigjetjen e kuptimit të jetës në Shqipëri. Sidomos nga brezi i ri. Autokracia shqiptare, një stafetë autokratësh “të ndryshëm” nga një Kryeministër te tjetri, është shumë e fuqishme në pasuri dhe në mjete. Në historinë e njëzet e pesë viteve të fundit i ka bërë bashkë triniteti i prishjes së zgjedhjeve, mbajtjes së pandëshkueshmërisë në sferat e larta dhe korrupsionit në sistem.

Sot janë të bashkuar për të ruajtur gjendjen dhe sfiduar SHBA. Populli shqiptar e ka të pamundur, sipas meje, të çlirohet nga sundimi autokratik pa protagonizmin e SHBA-ve. Është fat për Shqipërinë që SHBA jo vetën kanë venë gishtin në plagë, por edhe janë angazhuar fuqishëm për t’ia hequr zgjedhën e korrupsionit vendit të vogël mik.

Duke ndjerë kohën që shtrëngon për ta, kasta solidare tridhjetëvjeçare është në sulm për të zhurmuar, deformuar, zhvlerësuar dhe zëvendësuar me spekulime deri banale gjithë çfarë po bëjnë SHBA për goditur të korruptuarit e inkurajuar drejtësinë. Një konglomerat antiamerikan, ca të përcaktuar me kohë si të tillë, ca të manipuluar nga konspiracitë dhe spekulimet e Berishës me shokë në lidhje me shpalljen e tij non gratta, po artikulojnë andej-këndej si asnjëherë tjetër gjatë këtyre tridhjetë vjetëve stilemat e Enver Hoxhës kundër ShBA.

Të parët kanë marrë zemër e frymëzim, të dytë janë viktima të mjera të lavazhit të trurit. Në këtë kontekst, mospërmendja nga Edi Rama e antikorrupsionit si temë e bisedimeve me sekretarin e shtetit ngjan e vetvetishme dhe “rimon” me gjithë zhurmimin dhe spekulimet në qarkullim. Në të vërtetë, re të zeza po mblidhen mbi korrupsionin madhor të qeverisë se Ramës. Re të zeza që janë të bardha për transparencën dhe ndëshkueshmërinë.

Megaskandali me inceneratorët po zgjerohet si një gropë e stërmadhe, që pritet të përthithë ministra, ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të tjerë të lartë që kanë futur duart. Por po skalit me germa të mëdha në sytë e njerëzisë edhe pyetjen që s’ka nevojë për përgjigje: Nëse nuk ruan miliardët e buxhetit të shtetit që kalojnë nën firmën dhe hundën e tij, çfarë ruan ky Kryeministër?

Rama ka bërë pjesën e vet për të dekurajuar e dobësuar drejtësinë e re. Me flamurin amerikan në dorë, që tani nuk e ka më. Tani ai është problemi dhe jo zgjidhja. Edhe në vlerësimin e partnerëve amerikanë. Po të lexohen me kujdes qëndrimet dhe prononcimet, e kupton zhgënjimin e tyre me Kryeministrin e Shqipërisë për prioritetin e tyre numër një, pavarësisht se marrëdhëniet me qeverinë kanë një diapazon me të gjerë dhe ruajnë vazhdimësinë.

Një gjë po del qartë në pah: Për të mbajtur premtimin që i kanë bërë popullit shqiptar, SHBA nuk kanë me vete as Kryeministrin Rama. PD dhe kryetari i saj, Lulzim Basha, janë të vetmit faktorë politikë në këtë moment që për antikorrupsionin dhe shtetin ligjor tërheqin nga tërheq SHBA-ja dhe BE-ja. A mjafton? Jo.

Duhet publiku i gjerë, duhen qytetarët. Në këtë moment del në pah shkalla e vetëdijes dhe e mençurisë popullore për shansin që u është dhënë. E thamë më lart se shqiptarët nuk çlirohen dot pa protagonizmin e SHBA. Por edhe SHBA nuk ia del pa një opinion publik të qartë se kush është e mira dhe të vendosur për të mos i rënë me shqelm asaj. Historia dhe faktet na tregojnë se çka ardhur nga Uashingtoni ka qenë vetëm e mirë për Shqipërinë. Ekzistenciale pastë qenë apo e zakonshme.

Nuk kemi një shembull të vetëm të kundërt. E tillë është politika amerikane për Shqipërinë për sot dhe për nesër, i tillë urdhri ekzekutiv i Presidentit Biden i muajit qershor të vitit të kaluar për të goditur korrupsionin në Shqipëri, duke e trajtuar si cenim të sigurisë kombëtare amerikane, i tillë instrumenti i shpalljes non gratta të zyrtarëve dhe i ish-zyrtarëve shqiptarë si minues të demokracisë, si të përfshirë në korrupsion domethënës apo si pengues të drejtësisë së pavarur.

E kemi thënë edhe herë të tjera se çdo i shpallur është në të drejtën e tij të shfrytëzojë çdo hapësirë ligjore për transparencë apo kontestim, por është kundër interesit të gjerë publik të goditet instrumenti si i tillë. SHBA në Shqipëri e kanë urryer dhe e urrejnë, e kanë shmangur dhe e shmangin vetëm politikanët që duan t’u rrinë njerëzve në qafë. Për asnjë arsye tjetër. Pavarësisht çfarë thonë gjoja si patriotë e sovranistë. Kur shtrohet pyetja çfarë na kërkon SHBA në shkëmbim, përgjigjja është: Demokracinë, shtetin ligjor, luajalitein si vend mik dhe anëtar i NATO-s. Asgjë tjetër veç asaj që u vlen të gjithëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.