OPINION

Anti-korrupsioni quhet dixhitalizim!

18:00 - 22.02.22 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministria e Drejtësisë ka një drejtori anti-korrupsion. Ka njerëz të rinj të zotë e kurajozë në këtë drejtori. Në tre muaj kanë kryer 18 kallzime penale. Por nuk mjafton. Dhe më e rëndësishmja, ata nuk kanë nevojë emergjente për juristë. Se juriste kanë. E kanë domosdoshmëri të pajisen me topografë të ndershëm. Topografë?! Po pse? Po! Topografë. Pse që masakra me pronat, e cila përbën 95 përqind të denoncimeve të qytetarëve në këtë drejtori, të arrijë të zhbirohet, duhet të matet çdo tokë e grabitur pëllëmbë më pëllëmbë. Duhet të bëjmë sistemet me të dhënat në format elektronik. Vetëm të dhënat e patrukuara elektronike do na shpëtojnë njëherë e mirë nga korrupsioni me te drejten baze te njeriut, pronen. Nga formula e famshme e korrupsionit e studjuesit Klitgaard, ai barazohet me pushtet dhe mundësi abuzimi me hapësirat evazive ligjore apo të rregullave të tjera. Nëse kësaj formule i bën minus transparencën dhe llogaridhënien, korrupsioni humbet. Rrudhet, mpaket deri në zvogëlim të plotë. Transparenca është një dallëndyshe ditësh të para marsi, që shumë rreken në Shtetin tonë ta bëjnë të tyren, po që askush nuk e sjell, sado portale të krijojë apo raporte të mbushë. Transparencën e plotë e sjellin vetëm të dhënat dixhitale në dispozicion të qytetarit, të pakontrolluara dhe të patrukuara. Me dixhitalizimin, rrjeti kundër korrupsionit vjen në një nivel të ri, që s’ka oligark dhe burrë nëne ta deformojë. Por ai duhet kryer i plotë! Është e vërtetë që kemi hyrë në procesin e regjistrimit elektronik të të dhënave mbi pronat e shqiptarëve dhe të Shtetit. Por vetëm sa kemi hyrë! Sa kemi hedhur këmbën e parë. Ministria e Drejtësisë, në rradhë të parë struktura e saj e re e drejtorisë anti-korrupsion, duhet të bëjë shumë kujdes. Duhet t’i rrijë skifter në kokë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ish-hipoteka e dikurshme. Hipoteka ka qenë foleja e grerëzave të korrupsionit. ASHK-ja e re ende nuk është pastruar nga grerëzat. Ka shumë segmente të fjetura e të pafjetura brenda saj që do të duan dhe provojnë ta mbysin në djep beben “dixhitalizim” në pronat e shqiptarëve dhe të Shtetit, me justifikime të paplotësisë së të dhënave. E kanë të gjithë interesin ta bëjnë këtë. Në mos ta mbysin fare, të paktën do provojnë fort të vonojnë rritjen e bebes. Me ofrimin mjeshtëror të qindra e mijërave justifikimeve. Ministria e Drejtesise duhet realisht të bëjë shumë kujdes. Magjistricat dhe driadat e korrupsionit ish-hipotekor janë aty. Të rregjura në mashtrime dhe abuzime me pronat, të nivelit 1.2 miliadë euro(me mijëra ha tokë të trukuara dhe të kaluara abuzivisht në duar të privatit që paguan nën dorë, nëpërmjet dhjetra mijëra vërtetimeve hipotekare dhe akteve të marrjes së tokës në pronësi-AMTP), ato dijnë aq bukur të miklojnë, të të marrin mendjen dhe të të ngopin me para. Kundër tyre, drejtoria e anti-korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë ka vetëm një staf të vogël nëpunësish me integritet dhe nuk ka topografë. Topografët kësaj drejtorie qeveria duhet t’ia japë urgjentisht. Si dhe specialistë të teknologjisë së informacionit. Këta të fundit duhet të vigjëlojnë me syrin e shqiponjës mbi tentativat për vonesa të procesit të rregjistrimit elektronik të titujve të pronësisë dhe të gjithë informacionit shoqërues dhe zbardhës së titullit. Të gjitha këto kërkojnë patjetër kohën e tyre, por kjo kohë nuk duhet lënë të dhjetëfishohet nga abuzuesit dhe të korruptuarit që ende gjallojnë në skutat e ASHK-së së sotme. Korruptimi, deformimi i fakteve dhe i së vërtetës është kanceri i Shtetit që do të duhet ta luftojmë for bashkërisht dhe ku drejtoria e vogël anti-korrupsion e Ministrisë së Drejtësisë ka një rol të madh. Duhet të kontribuojmë të gjithë bashkë që t’i shpëtojmë faktet, të dhënat mbi pronat nga deformim-korruptimi dhe të shpëtojmë të vërtetën nga korruptimi i vazhdueshëm. Lufta kundër korrupsionit është në thelb një luftë për modernizimin e Shtetit. Dhe modernizimi i Shtetit mund të vijë vetëm nëpërmjet dixhitalizimit të shpejtë të tij. Sot po ndodh digjitalizimi i të gjitha shërbimeve publike dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk mund t’i ngjajë një karroce me rrotat e anuara që zvarritet të modernizohet, nga pesha e plehut të mykur që ende fsheh në shtresat e fundit të saj. Sa më shumë të humbasë kohë kjo Agjenci për dixhitalizimin e të dhënave të saj mbi pronat e shqiptarëve dhe Shtetit, aq më shumë oksigjen i japim akoma korrupsionit, që të na vrasë shpresën se Shteti ynë bëhet!





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.