Kronikë

Detajet/ Transportonte mina me telekomandë, 65-vjeçari ishte i përfshirë në skandalin e përdhunimit në grup të një vajzë 16-vjeçare

13:08 - 22.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Trafiku i disa minave me telekomandë u parandalua gjatë ditës së djeshme nga një operacion policor në zonën e Korçës.




Një 65-vjeçar u arrestuar në kuadër të aksionit të koduar “Remonte”, ndërsa u sekuestrua tri mina të telekomanduara. Policia sqaroi se ka arrestuar shtetasin Ilir Berbuqi, banues në Korçë, me precedentë të mëparshëm penalë për një ngjarje tjetër. Operacioni u ndërmor pas informacioneve në rrugë operative.

“Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në aksin rrugor KorçëPogradec, pranë vendit të quajtur Qafë-Plloçë.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga forcat e Policisë, shtetasit Ilir Berbuqi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë”, sqaroi Policia lokale.

Ende nuk dihet se nga vinin minat me telekomandë, ndërsa Policia po heton edhe destinacionin e tyre. Ende nuk dihet nëse minat do të përdoreshin në ndonjë ngjarje kriminale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar.

SEKUESTRIMET

Gjatë vitit të shkuar, mina të shumta me telekomandë u sekuestruan në aksin Shkodër-Lezhë. Lëndët plasëse dyshohet se montohen në Mal të Zi dhe më pas transportohen në mënyrë të paligjshme drejt vendit tonë. Në fund të vitit të shkuar, dy persona u arrestuan në aksin e vjetër MilotLezhë duke transportuar rreth 30 kallëpe C4, një eksploziv i fuqishëm dhe 17 kapsolla detonatorë.

Ndërsa dy aparate celulare të lidhura me përcjellës elektrikë gati për t’u montuar me mina me telekomandë. Nëse asnjë prej rasteve Policia nuk ka zbuluar asgjë përtej sekuestrimeve, ndërsa të arrestuarit kryesisht nuk japin asnjë të dhënë për blerjen dhe shitjen e tyre.

Nga fillimi i vitit janë sekuestruar rreth 30 mina me telekomandë dhe në pranga kanë përfunduar mbi 15 persona, kryesisht në Durrës, Lezhë dhe Elbasan.

Shpeshherë oficerët e Policisë kanë qenë të kamufluar si blerës të tyre, ku ka rezultuar se çmimi i një bombe me telekomandë shkon deri në 3000 euro.

Në të gjitha rastet Policia ka arrestuar vetëm transportuesit, ndërsa nuk ka të dhëna mbi bazën e prodhimit të bombave dhe as porositësit, të cilët i blejnë kundrejt shumave të ndryshme parash.

Të gjitha rastet kanë përfunduar në gjykatë dhe personat janë dënuar e vënë nën akuzë si transportues. Ata nuk kanë bashkëpunuar me Policinë apo drejtësinë për të dhënë detaje mbi bazën e prodhimit dhe destinacionin e tregtisë se tyre.

Trafikuesi i minave, i përfshirë në skandalin e Bisht-Pallës

Ilir Berbuqi rezulton i arrestuar rreth 20 vite më parë pas përfshirjes në një skandal ku një vajzë 16-vjeçare ishte përdhunuar në grup në bazën detare të Bisht-Pallës në Durrës.

Vajza jetime ishte transportuar nga Vlora për në drejtim të Durrësit dhe në ngjarje janë përfshirë të paktën 12 persona.

Berbuqi në atë kohë drejtonte një lokal në qytetin e Korçës. Gjashtë prej personave të implikuar ishin nga Vlora, dy nga Korça dhe tre të tjerë nga Durrësi.

Në kuadër të operacionit të njohur me emrin e bazës ushtarake “Bisht- Palla”, u arrestuan shtetasit P. H., V. D. dhe Sh. Sh. Dy të parët akuzohen nga Prokuroria e Rrethit Durrës se kanë përdhunuar në mënyrë sistematike 16-vjeçaren, në bazën ushtarake të Bisht-Pallës, ndërsa kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Emrat e tyre kanë dalë gjatë dëshmisë së vajzës së përdhunuar, por edhe të ushtarëve të tjerë të repartit.

Duke u bazuar në këtë provë, Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë Ushtarake u kanë vënë atyre prangat në mjediset e bazës detare. I arrestuari tjetër, Shkëlqim Sheta, akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me 16-vjeçaren, dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, e ka shfrytëzuar si prostitutë në lokalin e tij tip çadër, në sektorin “Rinia” të plazhit të Durrësit, që ndodhet në afërsi të Bisht-Pallës.

Operacioni në atë kohë u nda në dy pjesë. Njëra pjesë i përkiste thellimit të hetimeve në lidhje me implikimin e personave të tjerë nga qyteti i Durrësit, ndërsa tjetra, në lidhje me arrestimet që do të bëheshin në qytete të tjera të vendit.

Ndërkohë mësohet se nga hetimet e bëra nuk ka rezultuar që ndonjë oficer i bazës të jetë implikuar në këtë skandal. “Dëshmia e vajzës dhe hetimet tona nuk implikojnë ndonjë oficer të bazës. Ushtarët janë treguar shumë të kujdesshëm që oficerët të mos merrnin vesh gjë për vajzën. Ata e fshihnin minorenen në një bunker në breg të detit, sa herë që vinin oficerët, gjë që është pohuar nga vetë ajo”, bënin me dije burimet zyrtare të Prokurorisë së Durrësit.

Ndërkohë i takon Prokurorisë Ushtarake të shqyrtojë edhe një herë çështjen, për të parë nëse oficerët me neglizhencën e tyre kanë shkaktuar apo jo vepër penale./Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.