LAJMI I FUNDIT

Jorida Tabaku: SPAK të veprojë, korrupsioni me inceneratorët ishte 430 milion euro

15:45 - 24.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka folur për inceneratorët dhe komisionin hetimor që është ngritur për të.




Sipas Tabakut qeveria shqiptare paguan për këto inceneratorë, ndërkohë që ata janë jashtë funksionit.

Ajo shtoi se janë në pritje të të dhënave nga institucionet, për lëvizjen e disa zyrtarëve, por edhe të dhëna të tjera që lidhen me hetimin.

“Qeveria shqiptare paguan çdo ditë, qytetarët paguajnë, buxheti i shtetit gjendet më i varfër dhe i vjedhur. I bëj thirrje institucioneve që nuk kanë kthyer përgjigje, vazhdoj me Bashkinë Tiranë që të kthejnë të dhëna për procedurës. Sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë premtoi të sjell procesverbalet e mbledhjeve kur janë diskutuar vendimet për inceneratorët. Presim që të sjellë lëvizjen e të gjithë personave që ne kemi kërkuar. Unë besoj se informacioni ka qenë publik i udhëtimeve të këtyre të fundit. Ne kemi dhe pak ditë për të bërë raportin. Kryebashkiaku i Tiranës tha se nuk ka një vendim të këshillit bashkiak. Tre kompanitë dhe përfaqësuesit e tyre nuk dinin të shpjegonin se ku shkuan paratë. Paratë e shqiptarëve kanë shkuar në parajsa fiskale. Kemi tre inceneratatorë në letër dhe askush nuk kryen punën”, tha Tabaku.

Nënkryetarja e PD tha më tej, se inkurajon SPAK për të vendosur përpara drejtësisë zyrtarët e niveleve të larta.

PD ka inkurajuar SPAK-un që të vendosë përpara drejtësisë zyrtarët e niveleve të larta. Tani që informacioni është publik dhe që tre kompani kanë marrë tre kontrata koncesionare, SPAK ndjen peshën që ky informacion është publik dhe ata duhet të veprojnë. Interesi i parë i PD në luftën ndaj korrupsionit është vendosja para drejtësisë e atyre që kanë bërë korrupsionin e madh me 430 mln euro” tha Tabaku

DEKLARATA E PLOTE E NENKRYETARES SË PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

Nesër është dita e fundit e mbylljes së hetimeve për Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.

Dje patëm ditën e fundit të dëshmive, një ditë e gjatë, intensive. Por që besoj i shërbeu publikut për të kuptuar aferën e tre inceneratorëve të Elbasanit, të Fierit dhe Tiranës me vlerë 430 milionë euro.

Nuk ka shqiptar që nuk e ka kuptuar që qeveria shqiptare ka dhënë 430 milionë euro, pa proçedurë, pa garë, kompanive, pronarët e të cilëve sot janë nën hetim, por njëkohësisht janë edhe në kërkim ndërkombëtar.

Ndërkohë që të gjitha këto ndodhin, qeveria shqiptare vazhdon dhe paguan çdo ditë qytetarët shqiptarë, vazhdojnë dhe paguajnë çdo ditë, buxheti i shtetit çdo ditë e më shumë gjendet më I varfër, më I vjedhur.

Unë përfitoj nga rasti që t’i bëj thirrje të gjitha institucioneve që nuk kanë kthyer akoma përgjigje dhe filloj me Bashkinë Tiranë të cilës i kërkoj të sjellë listën shkresore dhe komunikimin ndërmjet institucioneve për proçedurën që ne kemi në hetim, mungon pjesa e komunikimit të Bashkisë Tiranë me institucionet, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë premtoi se do të sjellë proçesverbalet e mbledhjeve ku këto kontrata konçesionare janë diskutuar.

Kompania guackë e Klodian Zotos, kompania ITS duhet të sjellë akoma librat e shitjes dhe të blerjes. Ne i kemi nga tre kompani të konçesionare librat e shitjes dhe të blerjes, kemi kuptuar shumë gjëra për to, por ndërkohë që presim akoma kompaninë guacë të Klodian Zotos që është kompania që ka marrë gjithë pagesat nga buxheti i shtetit dhe së fundmi, njëkohësisht Drejtori i Policisë së Shtetit, z. Gledis Nano, për të sjellë të gjitha lëvizjet e të gjithë personave që ne kemi kërkuar, kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, Ministrave Gjiknuri, Ahmetaj, dhe kryetarit të Bashkisë së Fierit Armando Subashi.

Unë besoj që informacioni ka qenë publik dhe në media për udhëtimet e këtyre të fundit, por ne këtë e kërkojmë zyrtarisht.

Nesër përfundon hetimi, ne kemi edhe pak ditë kohë për të shkruar Raportin, por ajo që është e qartë dhe që doli nga ky hetim është, që kushdo që dëshmoi përpara komisionit Hetimor tregoi se si korrupsioni qeveritar me firmë dhe me vulë të Edi Ramës u mbrojt politikisht dje nga Edi Rama por u pranua nga çdo zyrtar tjetër i shtetit.

Ministri i Financave tregoi përgjegjësitë që Ministria e Financave ka për miratimin e këtyre fondeve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, vetë dëshmoi dhe tha që nuk ka një vendim të Këshillit Bashkiak për autorizimin e këtyre fondeve.

Kryetari i Bashkisë së Fierit diskutoi përgjegjësitë e tij edhe në shkelje të kompetencave të tij ligjore për sa i përket bashkisë së Fierit dhe çështjes së pronës në Fier.
Më e rëndësishmja, tre përfaqësuesit e kompanive, administratorët nuk dinin të shpjegonin se si dhe ku kanë shkuar paratë. Ata kanë paguar veten. Paratë e shqiptarëve kanë shkuar në parajsa fiskale.

Sot kemi tre inceneratorë në letër, asnjëri prej tyre nuk funksionon, asnjëri nuk kryen procesin e incenerimit dhe këtu bëhet fjalë për korrupsionin më të madh të këtyre 30 viteve, 430 milionë euro.

Pyetje: Znj.Tabaku, ju jeni shprehur vazhdimisht që edhe SPAK-u është e kapur nga qeveria. Keni besim me dokumentin që do të dorëzoni në SPAK?

Jorida Tabaku: Unë nuk e kam thënë ndonjëherë një deklaratë të tillë.

Pyetje: PD?

Jorida Tabaku: As PD. PD e ka inkurajuar SPAK-un që të punojë, që t’i vendosë përpara drejtësisë. E ka inkurajuar SPAK që të shkojë deri në nivelet më të larta. I ka kërkuar llogari SPAK-ut pse nuk ka ecur më shpejt. Unë besoj se kjo ka qenë një deklaratë korrekte. Besoj që tani që informacioni është publik, kushdo që e ka parë që tre kompani pa eksperiencë, pa garë, pa kapital, kanë marrë tre kontrata koncensionare me vlerë 430 mln euro dhe SPAK-u ndjen përgjegjësinë dhe peshën e publikut që ky informacion tashmë është publik dhe ata duhet të veprojnë.

Falenderoj të gjithë qytetarët për interesin që kanë patur për këtë çështje. Në emër të PD, por edhe kryetarit të PD, z.Basha, ju siguroj që interesi i parë i PD në luftën ndaj korrupsionit është vendosja para përgjegjësisë i atyre që kanë bërë korrupsionin më të madh me 430 mln euro të inceneratorëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.