DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Imuniteti / Prokuroria shkresë Kuvendit: Shpërdoroi. E gjithë familja Prifti jashtë shtetit

07:00 - 28.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

28 Shkurt 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




Imuniteti / Prokuroria shkresë Kuvendit: Shpërdoroi

E gjithë familja Prifti jashtë shtetit

Ish- ministri me pasaportë kanadeze ka marrë me vete gruan dhe djalin. Dy prindërit e tij prej javësh ndodhen në SHBA, ndërsa vëllai jeton në Kanada. Pas Leonard Mones e Arben Krujës akuza për tenderat e KESH prej edhe Dritan Priftin

 

 

 

“Hiqni imunitetin e Dritan Priftit”

Prokuroria e Përgjithshme: Shpërdoroi detyrën

Prokuroria kërkon heqjen e imunitetit për ish-ministrin e Energjitikës, Dritan Prifti. Burime zyrtare nga organi i lartë hetimor pohojnë se kërkesa ndaj ish-kreut të KESH-it i është dorëzuar dje kryesisë së Parlamentit Shqiptar.

Heqja e imunitetit për Priftin mbështetet mbi akuzën “shpërdorim detyre”, që, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal, parashikon gjobë deri në 7 vjet heqje lirie. “Kryqëzata” ndaj ish-ministrit të Energjitkës pason vetëm pak kohë pas vënies nën akuzë të ish-drejtorit të KESH-it, Dritan Kruja, dhe drejtorit të Prokurimeve Publike, Leonard Mone. Ndërkohë kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme do të shqyrtohet nga Byroja parlamentare në mbledhjen e saj më të afërt (të hënën e javës që vjen), e cila do ta fusë këtë kërkesë në rendin e ditës. Kërkesa e Prokurorisë, para se të votohet, do të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Mandateve dhe Imunitetit. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, një deputet “zhvishet” nga imuniteti me shumicën e thjeshtë të votave të deputetëve pjesëmarrës në seancë, por votimi duhet të bëhet i fshehtë.

Organi hetimor ka guxuar të prekë kupolën e KESH-it, duke kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit për Dritan Priftin. Pas një kohe relativisht të gjatë “thashethemesh” mbi përgatitjen e “ndëshkimit” për ish-kreun e KESH-it, Prokuroria i dorëzon Kuvendit kërkesën “speciale” për heqjen e petkut “mbrojtës” ndaj Priftit, i cili momentalisht ndodhet jashtë kufijve të Ahqipërisë. Kërkesa për heqjen  e imunitetit i është dorëzuar dje kryesisë së Parlamentit Shqiptar e shoqëruar me akuzën: “shpërdorim detyre”:  Specialistet e institucionit të akuzës sqarojnë se fillimisht do të shqyrtohet kërkesa në fjalë dhe vetëm pas OK të dhënë nga parlamentarët, do t’i hapet rrugë procedimit penal ndaj ish-drejtorit të KESH-it, Dritan Prifti. Sipas ekspertëve, hetimi do të realizohet brenda afateve ligjore. Ashtu si edhe dy zyrtarët e lartë të KESH-it, Kruja dhe Mone, janë tenderat, ato që e vënë nën akuzë Priftin. Nga hetimet e kryera (datojnë mesin e muajit janar të këtij viti), rezulton që janë bërë abuzime të mëdha gjatë tenderimit për blerjen e energjisë elektrike për vitin 2001. Janë pikërisht aferat shumëmilionëshe ato që bëjnë me “mëkat” edhe ish-drejtorin e KESH-it. Dritan Prifti është i disati deputet që i hiqet imuniteti mbrojtës me kërkesë të Drejtësisë, për t’iu nënshtruar hetimeve. I pari që ka pësuar këtë fat, ka qenë deputeti demokrat dhe njëkohësisht një nga liderët e rinisë së Partisë Demokratike, Arbën Lika. Pas tij ka qenë kryetari i socialistëve, Fatos Nano, të cilit i është hequr imuniteti në vitin 1994 me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhjes, lidhur me ndihmat e qeverisë italiane. Por katër vjet më parë, në dhjetor 1998, ishte Sali Berisha ai që “u zhvesh’ nga imuniteti mbrojtës, me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme për organizimin e kryengritjes së armatosur më 14 shtator 1998.

 Për dritat pas Mones e Krujës, Prifti i treti

Superdosja e madhe e KESH-it, është hapur me emrin e Leonard Mones, drejtorit të Prokurimeve Publike në Korporatën Energjitike. Të hënën më 4 shkurt, Prokuroria e Përgjithshme pranoi zyrtarisht se kishte marrë në cilësinë e të pandehurit Monen me akuzën e shpërdorimit të detyrës, lidhur me tenderat e drejtpërdrejta të KESH-it gjatë periudhës kohore 2000-2001. Që atë ditë organi i akuzës premtoi se ‘do të shtoheshin të tjerë emra në dosjen e sapo nisur”. Thashethemet “hodhën në treg” edhe emrin e ministrit të Energjitikës Dritan Prifti, por kjo u konfirmua vetëm dje. Disa ditë më pas, më 16 shkurt prokuroria firmos urdhrin për marrjen forcërisht të ish-drejtorit të Përgjithshëm të KESH-it, Arben Kruja, i cili mbahet në polici për rreth 12 orë dhe i komunikohet e njëjta akuzë, ajo e shpërdorimit të detyrës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.